Maskarada e atyre që nxorën me zor në media Xhisiela Malokun
Publiku ishte ngarkuar me mllef nga dhuna ndaj Xhisiela Malokut, një vajzë studente, pa babain dhe e rritur në mjerim me dy motrat dhe nënën e saj. Fshehja e faktit se ajo ishte dhunuar, bile përdhunuar forcërisht thonë dëshmitë e saj në polici, si dhe mosveprimi i prokurorisë dhe organëve të tjera shtetrore ndaj saj vetëm se kishim të bënim me djalin e një deputeti të mazhorancës, mbetet një njollë e madhe e shtetit shqiptar.
Pas publikimit të dosjes së denoncimëve të saj në polici e që më pas kanë shkuar në prokurori, shoqëria shqiptare u vu në lëvizje, sepse ishte një krim ndaj një qytetari të pafajshëm, aq më tepër një femre. Bile femre krejt e pambrojtur nga kurkush. Opozita, natyrisht, e përdori rastin për të sulmuar qeverinë. Dhe me të drejtë.
Rëndësi pati se shoqëria u zgjua dhe filloi protestat për t’i thënë ndal një krimi shtetror. Pothuajse si në rastin kur shoqëria shqiptare u ngrit kundër armëve kimike. Dhe sapo shoqëria lëvizi, politika u vu në alarm dhe në sherr për rastin në fjalë, mazhoranca nxitoi në një mënyrë tjetër.
Bleu viktimën!
Nuk mund të themi blerje në sensin e parasë, ndonëse mund të ketë aludime, por ama e nxori viktimën në tregun mediatik dhe të shoqërisë. Ajo doli dhe tha në thelbin e intervistave se nuk ishte dhunuar, aq me pak përdhunuar; nuk kishte asnjë problem me djalin, pasi gjithçka e ka bërë nga xhelozia (!), se ka dëshmuar në polici, por ka gënjyer,etj etj. Pra mohoi se ç’kishte deklaruar ajo vetë në polici, mohoi vetveten.
Shoqëria civile shqiptare mbrëmë u shokua nga intervistat e saj në Top Channel dhe Klan, dy televizionet kryesore në vend që bëjnë opinion publik.
Pra ajo hodhi poshtë gjithçka. Dhunuesit u ndjenë të çliruar nga presioni i publikut dhe nga hetimi, nëse do të ishte profesional dhe i pa ngarkuar nga presioni politik i deputetëve të mazhorancës.
Tashmë prokuroria, ndonëse gjykata e Krujës e la prapë në burg djalin e deputetit Rraja, mund të vendos arrestimin e Xhiseila Malokut për deklaratë të rreme. Ligjërisht ajo mund të arrestohet që sot. Por të gjithë e dijmë se Xhisiela Maloku e bëri intervistën e detyruar, bile ia kishin saktësuar se çfarë do të thoshte. E kishin sjellë me makinë dhunuesit dhe vetë qeveria. Që të fliste ato çka tha për të pastruar fytyrën e PS-së, qeverisë dhe atyre që e kanë dhunuar.
Ajo kur u përballë me një pyetje të gazetares profesioniste dhe kurajoze Klodiana Lala, duke mos patur të përgatitur përgjigjen live prej dhunuesve privatë dhe dhunuesit politik PS, iku me vrap nga studio e TV KLAN. Sikurse Eni Vasili në Top Channel deklaroi se atë e kishin parë me sytë e tyre se e kishin sjellë me një makinë private (mundet dhunuesit), por atyre u kishte thënë me taksi. Ndërkohë që takati i saj familjar dhe ekonomik për një rrugëtim të tillë Krujë-Durrës (ku u bë intërvista) dhe pritja prej tre orësh e taksisë, nuk ia del ta paguaj nga xhepi i saj. Pra gënjeu e detyruar. Gënjeu, përveç shumë të tjerave, edhe kur ishte live në Klan sapo tha se tani Top Channel po mashtron me intervistën e saj, ndërkohë që nuk kishte se si ta shikonte Top Channel që ishte live për të dhe kur vetë ishte live në Klan! Pra dikush-menaxher i këtij spektakli mafioz, shumë të rëndë për shtetin, i nisi sms Xhisiela Malokut dhe ajo tha “Top Channel mashtron!”. Me pas iku me vrap nga Klan.
Xhisiela Maloku ndonëse gënjeu live, prapë duhet ndihmuar. Duhet ndihmuar se është peng. Duhet ndihmuar se po e mbajnë prapë me dhunë dhe po e përdorin në media për të shpëtuar veten e tyre në PS dhe dhunuesit e vertetë. Duhet ndihmuar që të flasë për të vertetën që mban fshehur nga halli i jetës që të mos e vrasë banda kriminale. Duhet ndihmuar që të mos ketë më raste të tjera “Xhisiela”.
Mbrëmë pamë se si mazhoranca ishte angazhuar për të mos dalë e verteta e vajzës së dhunuar nga bandat e PS-së.
Ky është tashmë një krim shtetror.
Lajme të tjera për këtë argument:
- Basha:Vajza mohoi përdhunimin dhe masakrën vetëm që të mbesë gjallë!
- Bylykbashi: PS e paska gjetur konsensusin për reformën zgjedhore
- Aksioni shtetëror që mori peng opinionin publik
- Tallje me shqiptarët apo vajza është peng?
- Flet Xhisiela: Rexhepin do vazhdoj ta mbështesë në çdo gjë
- Berisha: Mos u revoltoni me intervistën e Xhisielës