Mazhoranca, pothuaj korrekte, “opozita” e re mistrece dhe pise!

Komisioni Hetimor për Presidentin e Republikës është një nismë e panevojshme ligjore dhe krejtësisht lëvizje politike e kryeministrit Edi Rama kundër kreut të shtetit, Ilir Meta. Megjithëse ligjërisht kreu i shtetit nuk ka detyrim që të paraqitet si dëshmitar para deputetëve, Presidenti Ilir Meta kreu një akt prej shtetari duke pranuar të shkojë në komision për të dhënë sqarimet e tij për çështjen e datës së zgjedhjeve.

Për shkak të fyerjeve, sulmeve personale, familjare dhe një loje të pistë që mazhoranca ka nisur prej shumë muajsh kundër kreut të shtetit, refuzimi për tu paraqitur në komision do të ishte një veprim që mund të dukej normal nga kreu i shtetit. Refuzimi i një mazhorance që ka shkatërruar gjithë institucionet dhe shtetin nuk do të cilësohej në opinion si një shkelje nga ana e kreut të shtetit.

Por Ilir Meta zgjodhi të respektojë institucionet dhe detyrën që mban duke treguar se argumentet ligjore, parimet e Kushtetutës e qëndrimet e tij për 30 qershorin janë më të rëndësishme se sulmet politike dhe gjullurdia që ka krijuar PS. Duke shkuar para deputetëve të PS që deri dje thoshin se “do e pjekim Presidentin”, Meta nuk tregoi dobësi dhe nuk i bëri shërbim mazhorancës. Përkundrazi, prania në komision dhe argumentet e dhëna treguan edhe njëherë fytyrën e kësaj mazhorance, të këtij parlamenti dhe u sqaruan shqiptarëve ligjshmërinë e qëndrimeve të Presidentit të Republikës. Mazhoranca ishte përgatitur që Presidenti t’i refuzonte dhe të mos paraqitej. Pas kësaj gjithë skema e sulmit dhe e baltës ndaj kreut të shtetit do të fitonte dhe një argument më tepër duke e akuzuar jo vetëm për shkelje të Kushtetutës, por edhe për injorimin e Parlamentit si institucion. Por presidenti shkoi dhe duke marrë pjesë në një palokomision arriti të tregojë para publikut falsitetin e kësaj nisme dhe degjenerimin real të Kuvendit aktual të Shqipërisë.

Mjaftuan dy orët e debatit mes Presidentit dhe deputetëve të komisionit për të kuptuar se në çfarë derexheje është katandisur institucioni më i rëndësishëm i vendit, Parlamenti. Deputetët e PS kishin javë për tu përgatitur për pyetjet ndaj Presidentit, por maksimumi që bënë ishin përsëritja me terma “ligjorë” e akuzave publike të Edi Ramës. Realisht, nëse përjashtojmë vetëm disa pyetje jo shumë profesionale të një deputete, pjesa tjetër e deputetëve të PS ishin pothuaj ‘korrekt’ në qëndrimin e tyre, gjithnjë në raport me linjën politike të tyre. Ata e pranojnë se kanë marrë një nismë politike për shkarkimin e kreut të shtetit dhe e dinë që ligjërisht nuk mund t’a argumentojnë, por vetëm do votojnë si militantë. Ndaj, në prani të presidentit ishin thuajse korrekt kur flisnin në emër të Edi Ramës dhe jo të parimeve ligjore. Ata që ishin jashtë loje dhe duket se kishin ngatërruar sallë ishin të ashtuquajturit deputetë të “opozitës” së re. Një deputet i ri, pa asnjë përvojë profesionale dhe aq më pak politike si Halit Valteri tregoi se i ka rënë më qafë profesionit të ligjvënësit. Pyetjet e tij ndaj kreut të shtetit ishin jo vetëm pa etikën e një ligjvënësi, por edhe pa njohuritë minimale juridike. Valteri është i vetmi deputet që në faqen online të Kuvendit nuk ka publikuar se çfarë arsimi të lartë ka. Thuhet se ka mbaruar për juridik, por sot tregoi se edhe diplomën e ka marrë njëlloj si mandatin e deputetit, rastësisht. Jashtë çdo standardi ishin dhe pyetjet e deputetit Adriatik Alimadhi, i cili ka pak përvojë në Kuvend, por një përvojë të gjatë në politikë në çështjet e Ballit Kombëtar. Por duket se Balli Kombëtar donte votimet e kohës së komunizmit, pra me një parti!

Qëndrimet Ulsi Manjës, Adnor Shametit, Vasilika Hysit, edhe pse jo normale, janë të kuptueshme si përfaqësues të denjë të Rilindjes. Në këtë kuptim, ata sot ishin korrekt në çmendurinë që ka kapur PS dhe Rilindjen. Madje sot ishin dhe me kulturë në sjelljen antiligjore për të shkatërruar parimet e shtetit. Të paktën në fasadë ishin korrekt në sjellje. Kurse ish-kryeministri Bashkim Fino foli në pozitën e një partiaku të lartë dhe që ka dhënë kontribute për PS-në. Ai dukej edhe si një kandidat për kryeministër të një qeverie zgjedhore, gjithnjë nëse palët bien dakort për zgjedhje të parakohshme.

Ajo çfarë habiti ishin qëndrimet e deputetëve që i thonë vetë opozitarë. Treguan se janë të paqartë politikisht dhe përdorën nga PS si gomerë kur i duhen qeverisë. Janë aq injorantë juridikisht dhe na dëshmuan se nuk dinë as procedurat e një mbledhje dhe jo më të njohin parimet e Kushtetues apo ndarjen e pushtetit. Kot nuk i akuzojnë si “deputetë të Pazarit të Milotit”.

Mëqënëse PS-ja e ka lojë dhe sulm politik ndaj presidentit, duhej që përveçse si deputetë, por edhe si opozitarë që thonë se janë, të përkrahnin nismën kushtetuese të presidentit për zgjedhje gjithëpërfshirëse e jo me një parti, siç u zhvilluan. Ata, të tre, treguan se përdoren nga kryeministri Rama më keq dhe më poshtërsisht se sa disa deputetë të PS.

SHKARKO APP