Mbani premtimin për kazinotë dhe bastet, zoti Kryeministër!

Kryeministri Edi Rama doli dje në konferencë shtypi, e cila mund të quhet konferenca më e rëndësishme e tij prej një viti në krye të qeverisë. Shumë pikëpyetje kanë lindur se pse doli dje dhe shpalli luftë kazinove dhe mafios së tyre, por rëndësi ka që e bëri një akt të tillë. Edi Rama tha prerë se nga 1 janari asnjë kazino nuk do të ketë më në qendrat e banuara. Vetëm në hotelet me 5 yje në zonat turistike mund të lejohen. Në asnjë vend tjetër-tha Kryeministri. Madje urdhëroi heqjen e reklamave të basteve sportive nga mediat dhe portale online brenda 24 orëve. Ndërsa bastet sportive nuk do ekzistojnë fare-premtoi Rama. Ky është vendim i fortë. Ia kishte kërkuar me kohë LSI ta zbatonte këtë aksion dhe vendim të madh kombëtar, por deri më sot nuk ishte marrë vendimi. Gjithsesi më mirë vonë se kurrë!
Kryeministri e deklaroi publikisht: Nuk ka më baste dhe lloto! Fenomeni i kazinove elektronike dhe pikave të basteve në çdo cep pallati ishte kthyer në gangrenë për shoqërinë shqiptare. Familje të shumta janë shkatërruar nga këto lojëra fati, të cilat jo vetëm nuk sjellin fat, por shkatërrojnë dhjetëra mijë familje shqiptare, të cilat kanë përfunduar në vrasje, ndarje, shitje shtëpish, pengje, etj. Pa e zgjatur ky është vendim që duhet mirëpritur dhe përgëzuar, sikurse duhet mbajtur nën monitorim të përditshëm pas datës 1 janar 2019.
Pra Kryeministri Edi Rama tha nga se data 1 janar “do të pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë” por edhe “bastet sportive me kuaj, qen apo çdo skllav tjetër të faunës”. Gjithashtu, Rama tha se “Lotaria Kombëtare nuk do të ketë asnjë element të kazinove elektronike ose siç quhet VLT”. ” Sipas ligjit, duke nisur nga data 31 dhjetor të këtij viti do të pushojnë së funksionari të gjitha kazinotë elektronike. Ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive, si dhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, me kuaj, me qen, apo me çdo lloj skllavi të faunës shqiptare. Ndërkohë po punohet për regjimin e ri të licencimit dhe të kontrollit të kësaj veprimtarie në distancë, pra, nëpërmjet internetit dhe brenda po këtij afati, 31 dhjetorit, ne do të kemi një regjim të ri gati”,-premtoi Rama.
Para se të vij data e famshme 31 dhjetor, kryeministri testoi dje dhe gatishmërinë e mediave dhe opinionit publik për të hequr reklamat e lojërave të fatit. “Në zbatim të ligjit ekzistues, që ndalon reklamimin e kompanive të basteve dhe që është shkelur nga të gjitha mediat pa përjashtim, unë i paralajmëroj të gjithë: Brenda 24 orësh të heqin të gjitha reklamat nga ekranet, nga radiot, nga gazetat, apo nga portalet. AMA duhet të garantojë zbatimin e ligjit përsa i përket ekraneve dhe radiove, ndërsa ne do të mbyllim me forcë çdo faqe online, që pas 24 orësh do të ketë akoma reklama bastesh në shkelje të ligjit ekzistues të Republikës së Shqipërisë”,- deklaroi Kryeministri. Ligji për heqjen e reklamave është prej vitesh në fuqi, por kreu i qeverisë nuk shpjegoi se çfarë i kishte penguar institucionet që të vinin në zbatim që më herët këtë masë kundër medias. Megjithatë mediat serioze e hoqën reklamën e çdo kompanie bastes sportive.
Por çështja e reklamës mbetet dytësore përballë nismës së madhe qeveritare për tu përballur me biznesin e lojërave të fatit. Janë jo më shumë se 15 kompani kryesore që kontrollojnë gjithë tregun e kumarit në vend. Vetëm në dokumentet zyrtare këto biznese qarkullojnë më shumë se 140 milionë euro në vit. Ndërsa shuma reale flitet së është disa herë më e madhe. Për të kuptuar sesa pushtet kanë këto kompani, mjafton të përmendim faktin se ligji për lojërat e fatit jo pak herë ka krijuar edhe sherre brenda qeverisë socialiste. Ministrat dhe deputetët e PS që nuk e imagjinojnë që të mos i binden Edi Ramës, në disa raste për të mbrojtur lojërat e fatit kanë arritur ta detyrojnë kreun e qeverisë që të heq dorë nga zhvendosja e tyre. Ky lobim i fortë u duk edhe në qëndrimin e kryeministrit kur tha se “ka nga ata që po synojnë të çajnë rrethimin e ligjit ekzistues”. Por dje kryeministri doli para shqiptarëve dhe deklaroi se kishte një lajm të mirë për të gjithë, mbylljen e lojërave të fatit. E përsërisim se mbetet një vendim i fortë politik. Por pyetja vjen vetvetiu: A do të jetë në gjendje kryeministri Rama t’i rezistojë gjithë mafias së lojërave të fatit, të cilët jo vetëm pastrojnë paratë në lojëra të tilla, por janë mësuar prej dekadash të pinë gjakun e fukarenjve që shpresonin të ndryshonin jetën me lojëra fati? A mos lobet e deputetëve të PS-së do ta bllokojnë kryeministrin në miratimin e tij? Apo deputetët e mazhorancës do ta detyrojnë, Edi Ramën, ta zbusë atë që premtoi?
Mësohet se që mbrëmë ka patur takime të disa deputetëve të PS-së të cilët zotërojnë bisnese të tilla apo që miqtë e tyre kanë kompani bastesh e kazinosh. Nuk dihet akoma sa i fortë do të jetë ky grupim deputetësh në mazhorancë për ta rrëzuar kryeministrin në nismën e tij.

Pra mbetet e hapur pyetja: Po nëse kryeministri e shtyn prapë këtë datë zbatimi, pra datën 1 janar 2019 e bën 1 janar 2020, 21, … a kemi të drejtë ta rrëzojmë nga pushteti?!
/A. Marku/

SHKARKO APP