Mbushen burgjet me të rinj dhe MINORENË. Familjarët i kërkojnë dhe i gjejnë nëpër birucat e komisariatëve të rretheve
Prej pesë ditësh gjithë vendi dhe kryesisht Tirana është përfshirë në protesta masive kundër dhunës së policisë. Tubimet nisën me kërkesën për drejtësi pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha dhe tashmë janë kthyer në një reagim mbarëpopullor kur qeveria po përdor policinë për dhunë ndaj qytetarëve.
Institucionet e pavarura dhe as vetë Policia e Shtetit deri më sot nuk ka dhënë informacione zyrtare mbi atë që ka ndodhur gjatë protestave. Argumenti se një pjesë e protestuesve ishin të dhunshëm dhe dëmtuan pronën publike në Tiranë, ka bërë që forcat e policisë së shtetit të kryejnë me qindra shkelje të tjera ligjore kundër qytetarëve. Në pesë ditë policia ka bërë qindar e qindra shoqërime të paligjshme dhe ka ushtruar dhunë pa asnjë shkak ndaj qytetarëve që kanë qenë në tubim ose kalimtarëve të zakonshëm në rrugët e Tiranës. Çdo polic që ka zbatuar në mënyrë të verbër urdhrat politik dhe ka dhunuar apo torturuar duhet të dijë se akti i tij, me apo pa uniformë, dënohet nga 4-deri në 10 vite burg.
Por shkelja më e rëndë e policisë së shtetit gjatë këtyre pesë ditëve është arrestimi, dhunimi dhe mbajta në burg e miniorenëve. Avokati i Shtetit deklaroi dje se janë arrestuar apo ndaluar më shumë se 50 minorenë. Megjithatë vetë përfaqësues të Avokatit të Popullit nuk kanë arritur të hyjnë në të gjitha komisariatet apo të kenë të dhëna të sakta për numrin dhe mënyrën e trajtimit të miniorenëve. Vetë procedura e ndalimit, prangosjes, burgosjes së minorëve është shkelje e rëndë ligjore nga ana e Policisë së Shtetit. Pastaj, pjesa që ka të bëjë me dhunimin e të miturve është një veprim skandaloz që nuk ka të bëjë ligjet, por dëshmon sjelljen barbare të një regjimi që nuk kursen askënd. Kushtetuta, Kodi Penal i Shqipërisë dhe Konventat Ndërkombëtare parashikojnë në mënyrë të qartë se ndalimi i të miturve dhe aq më pak dhuna ndaj tyre është e ndaluar rreptësisht. Këto ditë policia ka shkelur me qindra herë këto ligje duke dëshmuar se ka kaluar kompetencat e një institucioni që siguron rendi dhe zbaton ligjin, por është kthyer në një instrument dhune për interesa politik të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Denoncimet për dhunën ndaj të rinjve janë pa fund dhe të gjitha janë raste flagrante. Minorenë të shoqëruar nga policia në Tiranë, rezultojnë se prej ditësh se nuk gjenden nga familjarët. Ka raste skandaloze, kur avokatë të marrë nga prindërit për fëmijë që banojnë në Tiranë, kanë arritur të gjejnë fëmijët pas 2 ditësh në komisariatet e Kavajës dhe të Durrësit. Policia ka ndaluar në Tiranë dhe për shkak se nuk ka pasur vend nëpër komisariate i ka nisur nën rajonet e policore të qyteteve të tjera pa asnjë të dhënë shoqëruese. Këto ditë dyerve të policisë së Tiranës ka me qindra prindër që kërkojnë informacione për fëmijët e tyre që janë ndaluar nga policia.
Deklaratat e drejtuesve politike të Qeverisë dhe PS se të rinjtë po kryejnë akte dhune nuk vlen për shumicën e rasteve. Rrugëve dhe rrugicave të Tiranës janë kapur adoleshentë dhe minorenë që nuk kanë pasur asnjë lidhje me protestuesit dhe aq më pak të kenë bërë akte dhune. Ndërkohë që dhe nëse ka raste për akte dhune të tyre, kjo nuk i jep të dejtë policisë ti dhunojë apo torturojë nëpër komisariate duke u sjellë në mënyrë çnjerëzore.
Çdo ndalim i minorenëve është një ngjarje që duhet të hetohet dhe verifikohet nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe nga institucionet e drejtësisë që këto ditë janë trullosur nga gazi lotsjellës i qeverisë dhe kanë harruar të bëjnë detyrën.
Mbushja e burgjeve më të rinj është një skandal që shkon përtej policëve dhe lidhet me mënyrën sesi kjo qeveri po trajton qytetarët e saj. Arrestimi dhe dhuna ndaj fëmijëve nuk është më zbatim i ligjit i policisë, por sjellje kriminale e një regjimi.
Mili Xhani