Me Lulin apo Jozefinën?

 

Nga Andi Bushati

Një nga figurat emblematike të PD-së, Jozefina Topalli, ka ngritur e para zërin brënda radhëve të partisë së vet, për të kundërshtuar versionin zyrtar të Lulzim Bashës lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 21 qershorit. Në thelb mesazhi i ish kryetares së parlamentit, i cili formalisht u dërgohej të rijve shkodranë, kishte tre të vërteta themelore. Së pari që pavarsisht se disa zëra të rëndësishëm brenda selisë pretendonin të kundërtën,PD-ja nuk kishte fituar. Së dyti që ndryshe nga sa thoshte Lulzim Basha, ajo nuk ka bërë një hap të madh përpara. Dhe së treti që pavarësisht nga problemet e zgjedhjeve, PD-ja duhet të shohë nga vetja për tu rregulluar.  

Me anë të këtij reagimi Topalli është bërë zëri i parë autoritar brenda partisë (madje shumë e dëgjuar në rradhët e militantëve) që kërkon të çojë të vërtetën në vendin e saj kundër realitetit absurd ku kërkonte ta mbante linja zyrtare e PD-së. Por pyetja që lind pas kësaj përballjeje të parë të madhe pas zgjedhjeve është: pse reagoi kështu Topalli?  Pse tentoi ajo ti thyente hundët të pavërtetës së madhe që u mundua të krijonte Basha?

Hamendësimi i parë është se kështu do të vepronte një njeri inteligjent, me përvojë politike, që beson tek e vërteta dhe që shpreson se ajo është armë shumë më e mirë për ringritjen e një force politike që mendon për të ardhmen dhe jo për të mbyllur situatën e momentit. Pra gjithkush nga simpatizantët e opozitës që nuk do një fitore si kjo edhe në vitin 2017, me siguri që duhet të mendojë në këtë mënyrë, të shohë difektet dhe të përpiqet ti rregullojë ato.

Hamendësimi i dytë lidhet me historinë. Është një fakt i njohur se Jozefina Topalli nuk e ka parë me sy të mirë Bashën, që kur ky i fundit ka futur këmbën në PD.  Që në vitin 2005, shpesh pa të drejtë ajo ka mbrojtur pozicionin e qëndrestarëve të opozitës (1997-2005) që i shikonin të rijtë e KOP-it si disa çunakë, që u ulën poshtë pemës, pikërisht në momentin kur do të binin kokrat.  Shpesh Topalli e ka gjykuar me këtë sy edhe angazhimin e Bashës dhe njerzve të tij në qeverisje. Por për hir të autoritetit të gjithpushtetshëm të Berishës, ajo nuk ka folur. Madje nuk e bëri këtë edhe pasi Basha u ngrit në krye të PD-së pas një gare të diskutueshme me Oldashin. Jozefina Topalli qëndroi në heshtje duke luajtur me simbole dhe duke lënë të kuptohet se ajo njihte PD-në me Berishën kryetar. Duhet të kalonin pra afro dhjetë vjet, që ajo ti kundërvihej kaq hapur dhe kaq ballas Lulzim Bashës duke i vënë vulën e humbësit të zgjedhjeve.

Pyetja që shtrohet në këtë moment është: a e dëmton deklarata e Jozefinës PD-në? A e godet ajo lidershipin e Bashës edhe kështu të lëkundur nga humbja e thellë?

Në pamje të parë duket se po. Sepse reagimi i këtij zëri autoritar brenda partisë, që mishëron një nga emblemat e elektoratit më fanatik, i jep fund linjës zyrtare të zgjedhur këto ditë. Ajo i jep liri të gjithë të tjerëve të flasin për këtë humbje jo të zakontë. Dhe po të mendosh se Basha kërkoi të bënte që në fillim atë që Edi Rama bëri pas humbjes së vitit 2009, pra shpikjen e një fabule për të fshehur një të vërtetë, prodhimin e një alibie për të fashitur zërat e kundërshtarëve brenda partisë, futja në këtë debat e Jozefina Topallit e hedh në erë gjithë këtë strategji.

 Por paradoksalisht ajo që duket këto ditë si një thikë pas shpine është në fakt një dorë e shtrirë për Bashën. Sepse ajo duket sikur e godet në këtë moment, por ajo e ndihmon në afatgjatë. Së pari me përvojën e saj të gjatë politike, Jozefina Topalli e di, se Lulzim Basha nuk rrezikohet nga armiqtë e brendëshëm. Për të bërë gardianin e tij brenda partisë, vazhdon të mendojë Sali Berisha. Jo më kot lideri historik i PD-së doli i pari dhe deklaroi se kryetari nuk jep dorëheqje për zgjedhjet lokale, kur asnjeri deri në atë moment nuk ja kish kërkuar Bashës këtë. Pra jozefina Topalli e di mirë se Basha sado i traumatizuar për momentin, nuk rrezikohet në të tashmen. Rreziku i tij real është në të ardhmen e afërt (2017). Dhe në këtë kuptim reagimi i Topallit është një ftesë për reflektim, jo për të menaxhuar  hallin e vogël të këtyre ditëve, por për të përgatitur betejën e madhe të dy viteve më pas.  Pak rëndësi ka se daklaratat e saj nisen nga motivet private të një gruaje qejfmbetur, apo nga qasja parimore për të mirën e PD-së. Kryesore është që ato i shërbejnë opozitës shumë më tepër se alibia e përkohshme e Bashës.

(lapsi.al)   

SHKARKO APP