Më në fund, ministrat ikën!
Partia Demokratike ka dalë dje nga qeverisja me Partinë Socialiste. Gjashtë ministrat teknikë dhe zëvendëskryeministrja, të propozuar nga PD pas paktit Rama-Basha më 18 maj, kanë paraqitur dorëheqjen nga detyra. Pritet që në ditët në vijim të formalizohet procedura e largimit të tyre duke i dhënë fund zyrtarisht qeverisjes më të çuditshme të 26 viteve tranzicion në vend. Një bashkëqeverisje pa asnjë efektivitet, përkundrazi vetëm sa e shkërmoqi Partinë Demokratike. Dhe që me këtë mënyrë PD i njohu “patentën” e shoferit zotit Rama.
Ministrat teknikë u emëruan më 22 maj, pas një marrëveshje ende të pazbardhur me detaje mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Një marrëveshje të cilën shumëkush e quan pazar personal të të dyve në kurriz të demokracisë.
Një pazar që do t’i dalin “gjedhët” e blerë në pazarin e Milotit natën e 18 majit.
Por tashmë jemi para faktit konkret; më në fund ministrat e PD-së ikën. Por duhet një analizë e asaj që prodhoi në politikën shqiptare bashkëqeverisja mes PS dhe PD dhe për çfarë shërbyen konkretisht këta ministra.
Si asnjëherë më parë opozita mori gati gjysmën e kabinetit qeveritar dhe postin e numrit dy të qeverisë. Veç ministrave, marrëveshja Rama-Basha përfshiu dhe të paktën 10 drejtori kryesore në vend. Sipas Lulzim Bashës këto emërime ishin garancia e PD-së që zgjedhjet të mos vidheshin dhe të mos kishte manipulime. Ministrat do të ishin gardianët e votës së demokratëve dhe qytetarëve dhe do të ndalnin përfshirjen e krimit në zgjedhje. Por gjatë ushtrimit të detyrës, rezultoi se ministrat nuk bënë asnjë prej gjërave për të cilën u emëruan. Sigurisht jo se nuk donin, por sepse marrëveshja Rama-Basha ua “lidhi” duart që të vepronin me forcë kundër hashashit, blerjes së votës dhe manipulimeve. Ata ishin si një perde e asaj që projektoi me marifet Edi Rama.
Në një muaj fushate zgjedhore ministrat e PD-së, që sipas Bashës, do të mbanin krimin larg zgjedhjeve, nuk bënë asnjë denoncim serioz. Nuk pati asnjë arrestim të bujshëm sekserësh votash dhe nuk u denoncua asnjë skemë manipulimi. Ndërsa Basha gjatë kohës në çadër thoshte se miliardat e drogës do blejnë zgjedhjet, ministrat që emëroi po vetë Basha deklaronin në mes të fushatës se problemi i drogës ishte drejt zgjidhjes përfundimtare! Si ka mundësi që biznesi më i madh kriminal u zhduk brenda 20 ditësh? Gjatë protestave në çadër Lulzim Basha fliste për skema gjigante blerje votash, kurse në fushatën elektorale ministrat e tij bënë denoncime të parëndësishme dhe shpreh herë pa prova të mjaftueshme për blerje vote. Në shumicën e rasteve heshtën, ndërsa jo pak ministrat u përdorën për një tjetër lojë politike. U përdorën për lojën mes PS dhe PD për të dëmtuar LSI. Në gjithë aksionet e ministrave të PD-së, sidomos në javët e para të detyrës, kishte penalizime dhe ndëshkime të pabazuar ligjërisht kundër zyrtarëve të LSI dhe jo kundër shkeljeve reale në zgjedhje. Sigurisht, kjo taktikë sulmi nuk ishte e rastësishme dhe as e bazuar ligjërisht. Ishte pjesë e skemës së marrëveshjes mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Por duke u marrë më shumë me zyrtarët e LSI dhe me emërimet në administratë, ministrat e Bashës harruan motivin kryesor përse ishin zgjedhur në detyrë. Kishin mision të ruanin votat. Ministrat e PD-së nuk shërbyen për asgjë. As votat nuk i ruajtën dhe as nuk e rritën imazhin e PD. Përkundrazi, për shkak të gafave dhe konflikteve pa kuptim me zyrtarët e tjerë, ministrat e PD u dukën si modeli më i keq që selia blu mund të ofronte në qeverisje. Sot shqiptarët do të kujtojnë emrat e zgjedhur nga Basha si ministrat që kërkonin hotele me pesë yje dhe jo si shtetarë shqetësoheshin për standardet e zgjedhjeve. Bile nga imazhi i tyre jo pak votues thanë ndër dhëmbë se “si këta që na solli Basha do të na qeverisin pas 25 qershorit” dhe, mundet, edhe për inat, por edhe për pazarin e 17 majit demokratët nuk dolën në votime. Përfitoi PS-ja, duke shfrytëzuar PD-në. Por pazari ndaj është pazar; merr dhe jep. Shet dhe blenë! Cili shiti e cili bleu, ka pak rëndësi tashmë. Edi Rama, me PD-në në krah, mori timonin, karrocën, gjithçka.
Për të qenë realist jo të gjithë ministrat mund të kritikohen për punën. Kishte mes tyre zyrtarë dinjitozë të cilët tentuan të marrin vendime të forta gjatë pak muajve në detyrë. Por për shkak të marrëveshjes Rama-Basha, shpejt e kuptuan se ishin vendosur në ato poste jo për të zbaruar ligjin, por për të zbatuar një marrëveshje mes dy burrave.
Gjithsesi tashmë kapitulli i provave me qeveri teknike u mbyll. Përfundoi në formën me të turpshme, pasi shumica e shoqërisë, mediave, politikës dhe qytetarëve, që pas 25 qershorit dhe humbjes e PD i bënte thirrje Bashës t’i largonte ministrat. Askush në PD dhe as vetë ministrat teknikë nuk e kuptonin se përse qëndronin në qeveri pas humbjes së zgjedhjeve. Aq më tepër që kryeministri Rama as nuk mblodhi qeverinë me ta dhe as i begenisi. Thjesht i talli. Zyrtarisht thuhej se ministrat po përgatisnin raportin e zgjedhjeve. Por për çfarë raporti mund të flitet kur vetë PD nuk ka bërë asnjë denoncim parregullsish në KQZ dhe Prokurori? Edhe vetë selia blu nuk doli ditën e zgjedhjeve njëherë për të denoncuar apo inkurajuar militantët e saj apo shoqërinë.
Qëndrimi i ministrave teknikë kaq gjatë në qeveri e bëri dhe më qesharake humbjen e PD dhe qeverinë teknike Rama-Basha.
Ministrat teknikë dhanë dorëheqje. Tani mbetet të shikohet realisht nëse Lulzim Basha është dorëhequr përfundimisht nga marrëveshje me Ramën apo loja vazhdon.
Por Lulzim Basha, ndonëse e rimori PD-në, ka përsëri probleme në PD. Dhe nuk i ka të vogla. Atë e shpëton vetëm një opozitë e fortë, përbashkuese dhe që sjell garanci në popull se do të qeverisin më mirë se sa Edi Rama.
Q.Xh.