Mediu: Ik nga qeveria, zoti Basha!
Thirrja publike i ka shkuar Lulzim Bashës, jo vetëm nga Astrit Patozi e Jozefina Topalli dhe grupi i madh kundër praktikave të kryetarit të PD-së, por pikërisht nga aleati më i ngushtë dhe historik i PD-së, Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane. Zoti Mediu ka kërkuar, as më pak e as më shumë se sa vetë demokratët e thjeshtë duan; largimin një orë e më pare të ministrave të PD-së nga qeveria e Edi Ramës dhe fillimin e një koalicioni stërmadh opozitar kundër qeverisë së re të PS-së. Nëse kritikët brenda PD-së nuk i ka dëgjuar deri më sot kryetari i PD-së, Basha, tashmë do ti duhet të përgjigjet se si duhet të veprojë opozita demokrate, pasi është Fatmir Mediu kreu i PR-së që doli hapur duke kërkuar një opozitë të fortë e të besueshme. Dhe Mediu nuk është një opozitar dosido, por ka shumë lidhje me Uashingtonin zyrtar prej shumë vitesh. Po kështu për ikje mënjëherë nga qeveria e Edi Ramës (ndërkohë që selia blu thotë se Rama na vodhi dhe bleu votat) janë shprehur edhe Agron Duka, kreu i PAA, Dashamir Shehi kryetari i LZHK, Nard Ndoka kreu demokristian, por edhe më ashpër është shprehur Vangjel Dule lideri i PBDNJ, i cili kërkon një rrëzim të kryeministrit dhe zgjedhje të parakohshme pas një viti.
Edhe opinioni publik pyet se si ka mundësi që Lulzim Basha thotë se ia vodhi votat duke ia blerë Edi Rama dhe PS, por edhe rri në qeveri me Ramën! Apo takimi i 18 majit vazhdon dhe nuk është marrëveshje politike, por siç akuzojnë shumëkush se ishte pazar. Dhe kur thuhet pazar nënkupton gjithçka që shitet e blihet!
Lulzim Basha, ndonëse është në muaj pushimi dhe natyrisht është njeri si gjithë të tjerët, por duhet të lëshojë mesazhe të prera e të sakta se si do të jetë PD-ja në raport me qeverinë e zotit Rama. Ndryshe ,siç thotë edhe Fatmir Mediu, PD-ja kthehet në një opozitë qesharake.