Merkel: Reformoni drejtësinë dhe më pas merrni investime!

 

Vizita e parë zyrtare e Kancelares Angela Merkel në Tiranë ishte një leksion gjerman për politikën dhe politikanët shqiptarë. Ishte një leksion që nga përpikmëria në orare, pasi politikanët shqiptarë nuk kanë hequr dorë nga vonesat. Por ishte një leksion edhe në mënyrën e artikulimit të mesazheve. Deklaratat ishin të sakta dhe paksa të ‘ftohta’, edhe këto në stil gjerman, por të vërteta dhe pa zbukurime me të cilat na i paraqesin zakonisht politikanët në Tiranë. Në rreth 4 orë vizitë në Tiranë, kancelarja Angela Merkel dha të paktën tre mesazhe kryesore, që edhe pse të hidhura, janë të vërteta dhe mbeten problemi real i Shqipërisë.

Mesazhi i parë ishte ai i sistemit të drejtësisë. Shqipëria kërkon prej vitesh që kompani të mëdha biznesi gjermane të shohin tokën tonë si vend ideal për investime. Në këtë pikë, Merkel ishte e qartë: pa reformuar sistemin e drejtësisë, biznesi gjerman nuk mund të ketë garanci në Shqipëri. E tha më shumë se dy herë, në konferencën me kryeministrin Edi Rama dhe në takimin me përfaqësuesit e botës së biznesit. “Marrëdhëniet ekonomike janë shumë të rëndësishme mes Shqipërisë e Gjermanisë dhe është kënaqësi që shoh në këtë takim personalitete të shquara të biznesit gjerman. Kemi folur se çfarë mund të bëjë politika dhe sipërmarrësit për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe ekonomia gjermane është e gatshme të investojë në Shqipëri kur ka garanci ligjore”, – tha Merkel. Pra, jemi gati të investojmë nëse ka garanci ligjore për biznesin. E thënë nga Zonja e Hekurt e Europës në Tiranë, kjo deklaratë e bën edhe më serioze jo thjesht kryerjen e një reforme, por vendosjen e një modeli europian të drejtësisë. Nëse investimet gjermane do të mungojnë edhe në vitet në vazhdim, arsyeja dihet dhe është në dorë të mazhorancës të vendosë se çfarë zgjidhje do të japë.

Mesazhi i dytë kryesor i Merkelit ishte lufta ndaj korrupsionit. Edhe pse tingëllonte i përsëritur nga gjithë ndërkombëtarët, në gojën e Kancelares Merkel merr një tjetër rëndësi. Korrupsioni nuk është vetëm sëmundja që mban larg investitorët seriozë, por edhe fenomeni që penalizon integrimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Në qëndrimet e saj, Merkel iu referua standardeve europiane që duhet të plotësojë Shqipëria dhe nevojës që politika t’u japë zgjidhje problemeve kryesore të qytetarëve.

Kancelerja gjermane ishte detyruar dje të përsëriste dhe një detaj teknik për gjithë qytetarët shqiptarë që e shohin Gjermaninë si vendin ideal për të kërkuar azil. “Shqipëria nuk është një vend prej të cilit azilkërkuesit do të njihen si azilantë, por sigurisht që Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar dhe mendoj se Shqipëria bën pjesë në ato vende që mund ta ofrojë këtë fuqi punëtore”, – tha Merkel. Me të njëjtin mesazh ajo u është përgjigjur edhe aspiratave të politikanëve shqiptarë për t’u bërë pjesë e bashkimit Europian. Një vend ku qytetarët kërkojnë azil nuk mund të kërkojë të hyjë menjëherë në Bashkimin Europian.

Qëndrimet e tilla të mbajtura dje në Tiranë janë të njohura për politikanët shqiptarë. Ndryshimi është se këtë herë vijnë të deklaruara nga drejtuesja e një vendi që ka peshën kryesore të vendimmarrjes në Bashkimin Europian ose siç thuhet kryeministrja e Bashkimit Europian.Nuk ishin deklarata si ato të eurodeputetëve, që para se të flasin për publikun shqiptar, kalojnë më parë në selitë e partive simotra ku bëjnë pjesë forcat e tyre politike. Mesazhet e Merkel për integrimin e Shqipërisë nuk ishin entuziaste, të paktën jo siç priteshin, por ishin realiste dhe vinin në dukje problemet reale të vendit.

Kjo u duk edhe në angazhimet që kryeministri Edi Rama premtoi dje publikisht. Kryeministri tha se brenda vjeshtës së këtij viti, reforma në drejtësi do dërgohet në Kuvend. Ndërsa premtoi se pas kalimit të reformave do t’i kërkohet Bashkimit Europian një datë konkrete për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Merkel foli qartë dhe prerë. Tani duhet politika shqiptare t’i futet punës nëse do sinqerisht integrimin në Europë.

SHKARKO APP