Kancelarja Merkel pa shumicë – pesë mundësi si mund të venë punët
Nga radio gjermane Dojçe Welle/
Një ndryshim personeli të martën tregoi se kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk organizon dot më mazhoranca as brenda radhëve të saj. Rrezik për fund të shpejtë të kësaj qeverie, mendon kryeredaktorja, Ines Pohl.
Kryetarët e grupeve parlamentare quhen të suksesshëm atëherë, kur opinioni nuk merret shumë me punën e tyre. Në sistemin partiak gjerman, ata janë përgjegjës për t’i organizuar kreut të partisë mazhorancat e deputetëve të partisë së vet. Nëse kryetarja apo kryetari i partisë është edhe kancelare apo kancelar, atëherë ata kujdesen, që këta ta bëjnë punën e tyre pa shumë zhurmë. Teorikisht.
Por çështja është se aktualisht në qeverinë gjermane asgjë nuk zhvillohet pa zhurmë. Edhe negociatat për krijimin e qeverisë u shoqëruan nga intrigat, dorëheqjet dhe rreziku i përhershëm i zgjedhjeve të reja. E gati në të njëjtën ditë, një vit pas zgjedhjeve të Bundestagut, duket se është vetëm çështje kohe shpërbërja e koalicionit dhe Gjermania do të fillojë sërish të kërkojë një qeveri të re.
Revolucion në pallat
Jo vetëm pse partitë qeverisëse grinden me njëra-tjetrën si në pazar duke e humbur besueshmërinë tek popullata me luftërat për pushtet. Tani Angela Merkelit i ka ikur nga dora edhe mazhoranca në radhët e veta. Moszgjedhja e të besuarit të saj prej vitesh dhe kryetarit të fraksionit, Volker Kauder është një revolucion në pallat, që mund të përfundojë në një skenar: Zgjedhje të reja pa Angela Merkelin, që për 13 vjet përcaktoi fatet e Gjermanisë dhe Europës.
Fakti që zgjedhja e politikanit gati të panjohur, Ralph Brinkaus u bë e njohur pikërisht në atë moment, kur Donald Trump sërish e sulmoi verbalisht Gjermaninë hedh një dritë të çuditshme mbi Gjermaninë si fuqinë më të madhe ekonomike europiane.
Shumë deputetë të parlamentit aktual gjerman duket se nuk e kanë kuptuar ende seriozitetin e momentit. Ata u zgjodhën nga qytetaret e qytetarët e këtij vendi për t’u angazhuar për të mirën e Gjermanisë. Dhe jo për ta pezulluar me javë qeverisjen, për t’u grindur për vogëlsira, për personelin e me këtë duke ndihmuar vetëm të forcohet AfD.
Çmontim i personalitetit të vetëm të besueshëm
Nga dita e parë, kësaj qeverie i mungonte një projekt i përbashkët politik, sidomos personalitete aktive, që kanë dimensionin e drejtimit të Gjermanisë në kohë të vështira. Personaliteti i vetëm i i besueshëm ishte Angela Merkel, deri në të martën historike (25.09) e cila e mbulonte dhe tejkalonte përçarjen e thellë në koalicionin qeveritar dhe në radhët e veta.
Kjo tani ka marrë fund. Deputetët e CDU dhe CSU-së nuk refuzuan vetëm Volker Kauderin, si kryetar grupi parlamentar të CDU/CSU-së. Ata e denigruan publikisht kancelaren në këto kohë ta pasigurta. Me këtë tani çështja nuk shtrohet më, se a po vjen fundi i Angela Merkelit, por se sa shpejt do të vijë ai.
Një zhvillim që meriton vëmendje! Jo vetëm, sepse po gëzohen AfD dhe Donald Trump gëzohen.
Merkeli pa shumicë – pesë mundësi si mund të venë punë
Angela Merkelit iu desh të pranojë një disfatë të hidhur. Grupi Parlamentar unionist e rrëzoi nga kreu kandidatin e Kancelares. Çfarë do të thotë kjo për qeverinë Merkel?
1. Edhe më tej njësoj – Merkeli qeveris sikur të mos kish ndodhur gjë
Angela Merkeli mund t’i besonte fjalët që tha kryetari i ri i Grupit Parlamentar unionist, Ralph Brinkhaus. Pas zgjedhjes së tij të papritur Brinkhaus tha: “Midis kancelares dhe meje nuk mund të fusësh as një fije letër”. Edhe shumë mbështetës të Brinkhausit thanë se vërtet duan një ndryshim, por nuk i vënë pikëpyetje qeverisë Merkel. Kancelarja pra mund të bëjë sikur nuk ka ndodhur gjë. Që të mërkurën ajo u takua me Brinkhausin, për të diskutuar për bashkëpunimin konstruktiv. Nëse Merkeli i përpunon temat duke iu përmbajtur ngushtë marrëveshjes së koalicionit dhe për çështjet e kontestueshme i jep Grupit Parlamentar ndjesinë se e dëgjon, Brinkhausi, ashtu si më parë Kauderi mund t’i organizojë asaj shumicat e nevojshme.
2. Votëbesimi – Merkeli lufton për pushtetin e saj
Merkeli mori nga Grupi Parlamentar konservator një “jo” për kandidatin e saj të preferuar. Që të mos kesh shumicë te njerëzit e tu, do të thotë të mos kesh shumicë të sigurtë as në parlament. Për të verifikuar nëse koalicioni i madh i CDU/CSU dhe SPD-së e mbështet ende atë, Angela Merkeli mund të kërkojë votëbesimin në parlament. Po të merrte një mbështetje të qartë ajo mund të tregonte: deputetët i kam pas vetes, disfata në Grupin Parlamentar unionist nuk ishte një revolucion anti-Merkel. Po ta humbiste votimin, Presidenti i Gjermanisë mund ta shpërbëjë parlamentin. Epoka e Merkelit do të merrte fund. Në rastin se e fiton votëbesimin, Merkeli mbetet kancelare.
3. Grindje në koalicion – Grupi Parlamentar me besim në vetvete
Në të kaluarën deputetët e Grupit Parlamentar janë ndierë shpesh si marioneta të Zyrës Kancelarore. Tani ata duan të tregojnë pavarësinë dhe kompetencën e tyre. Me nisma ligjore vetjake dhe me kundërpropozime ndaj qeverisë ata mund të përpiqen të krijojnë profil. Kjo mund të rrezikonte jo vetëm stabilitetin e Kancelares, por edhe paqen e koalicionit me SPD. Volker Kauderi i ka propozuar në të kaluarën koalicionit shpesh kompromise dhe shpesh mendonte edhe për interesat e socialdemokratëve. Po të kërkojë tani Grupi Parlamentar nën Brinkhausin politikë të kulluar konservatore, kjo mund t’i zemërojë socialdemokratët dhe të çojë në fundin e parakohshëm të koalicionit.
4. Tërheqje – Merkeli jep edhe më tepër pushtet
Nëse pas zgjedhjeve që priten në Bavari dhe në Hessen, Merkeli do të ndodhet edhe më shumë nën presion, për shkak të rezultateve eventuale jo të mira të konservatorëve, mund të dëgjohen kërkesa për dorëheqje. Merkeli do të kishte atëherë alternativën që në kongresin e CDU-së në dhjetor në Hamburg të mos kandidojë më për kryetare dhe të hapë rrugën për kryetarë të rinj partie. Pas kësaj ajo ose mund të vazhdojë të qeverisë e dobësuar fort, ose t’i japë fund ushtrimit të detyrës si Kancelare. Në të kaluarën Angela Merkeli ka theksuar herë pas here se e konsideron me vend, kur Kancelarja është edhe kryetare partie.
5. Lame Duck – Hapësira e veprimit të Merkelit në botë rrudhet
Në plan ndërkombëtar Merkelin e kërcënon ai fat, të cilin iu desh ta përjetojnë shumë drejtues shtetesh para saj: statusi i një “lame duck”, i një njeriu të pafuqishëm. Një figure pra që është në largim dhe që nuk do të ketë për një kohë të gjatë më pushtet. Me dështimin në votimin e Kauderit është bërë edhe njëherë e qartë se baza e pushtetit të Merkelit lëkundet. Në plan ndërkombëtar Merkeli vazhdon të respektohet fort dhe të nderohet, por dobësia në Gjermani regjistrohet. Kësaj i shtohet që koalicioni i ri mund të kufizonte edhe hapësirën e saj të veprimit në politikën botërore. Në të kaluarën, Kancelarët gjermanë i zgjidhnin punët shumë herë me para. Politikani i ashpër për buxhetin, Brinkhaus mund t’i vërë Merkelit këtu kufij të ngushtë. Për Emmanuel Macronin, Jean-Claude Junckerin ose Tsiprasin ky mund të ishte një lajm i keq.