Mes mesiasit dhe djallit

 

Shumë pyesin se si ia del presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter, të shpëtojë gjithmonë nga akuzat për korrupsion.

Joseph Blatter ka luajtur edhe futboll. Në vitet 1960 për FC Visp si sulmues. Në klubin e tij të vendlindjes, ai ishte edhe trajner. Asokohe askush nuk e merrte me mend, se ai do të bëhej dikur funksionari më i fuqishëm i futbollit në botë. Blater u lind në vitin 1936, ai ishte djali i dytë i një automekaniku në Visp në kantonin e Valsit, jo larg nga Matterhorni. Pas maturës ai studioi për administrim biznes dhe ekonomi në Lozanë. Blater ka punuar fillimisht në industrinë e PR për shoqatën turistike të Valisit dhe për një koncern orësh.

Me ndihmën e Adidasit

Me 39 vjet ai filloi karrierën si funksionar në FIFA. Presidenti i atëhershëm i FIFA-s Joao Havelange e mori Blatterin në këtë federatë si drejtor i Programeve të Zhvillimit, ku ai ishte përgjegjës ndër të tjera për Kampionatin Botëror të të Rinjve. Blatteri u mbështet nga Horst Dassler (1936-1987), themeluesi i firmës gjermane Adidas. Për disa muaj madje Blatteri duhet të jetë paguar madje nga koncerni Adidas dhe Horst Dassler i ka vënë Blatterit gjithashtu edhe një zyrë në dispozicion në Alzasë.

Industrialisti gjerman duhet të ketë luajtur edhe një rol vendimtar në FIFA, kur Blatteri u zgjodh në vitin 1981 si sekretarit të përgjithshëm duke marrë kështu përsipër postin e dytë më të lartë në Federatën Botërore të Futbollit. Zvicerani ishte tani e tutje përgjegjës për tregtimin e të drejtave televizive për Kampionatin Botëror dhe për kontaktet me sponsorët. Përveç kësaj ai ka kontribuar edhe për ndryshimin e disa rregullave, si rregulli i tre pikëve. Blatter konsiderohej si njeri kompetent dhe komunikues.

Ithtarë besnikë në Azi, Afrikë apo Amerikën Latine

Në vitin 1988 Joseph Blatter u zgjodh më në fund president i FIFA-s duke fituar ndaj suedezit Lennart Johansson. Asokohe u tha se ai i kishte blerë votat e delegatëve afrikanë me një milionë dollarë. Blatteri tha se këto para ishin "ndihmë për zhvillimin". Nga ajo kohë ka pasur shumë skandale, por Blatteri ia ka dalë gjithmonë mbanë të shpëtonte, madje edhe kur fjala ishte për procese gjyqësore si në vitin 2010, kur FIFA pagoi një shumë milionëshe që të mbyllej një proces për pagim rryshfetesh për funksionarët e FIFA-s nga firma e marketingut ISL.

Në vitin 2011 Blatteri përfitoi prej korrupsionit në radhët e FIFA-s, sepse Mohamed bin Hammam e tërhoqi kandidaturën, kur u mor vesh se ishte përpjekur të blinte delegatët. Po ashtu komisioni i etikës i FIFA-s e nxori të pafajshëm Blatterin edhe kur qe fjala për vendimin për kampionanët botërorë në vitin 2018 dhe 2022 në Rusi dhe Katar, megjithëse kryehetuesi i FIFA-s Michael Garcia qe i një mendimi tjetër.

Të gjithë pyesin se si ia del Blatteri që të shpëtojë gjithmonë. Blatteri e di se si funksionon pushteti dhe si mund të qëndrosh në post. Ai shfuqizon konkurrentët, reagon me të qeshur ndaj kritikave dhe shtyp revoltat në kampin e tij. Këtë ai e bën sepse ka ithtarë besnikë nga vendet e Azisë, Afrikës dhe të Amerikës Latine. Prej 17 vjetësh ai sillet sipas metodës "jep dhe merr" dhe e quan veten presideti i të vegjëlve.Në vendet e Azisë, Afrikës dhe të Amerikës Latine ai konsiderohet si një "mesias i futbollit", sepse jo vetëm që angazhohet për federatat e atjeshme por edhe i mbështet ato me para, pavarësisht nëse këtë e bën si ndihmë për zhvillimin apo për arsye të tjera. Dhe edhe pse UEFA është kundër tij dhe nuk do që ai të jetë më në krye të FIFA-s, Evropa ka vetëm një të katërtën e federatave anëtare, pra shumë pak për ta përmbysur Blatterin.

SHKARKO APP