Mesazhet e Metës për Kryeministrin Rama
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:29
Pas intervistës së tre ditëve më parë të kryeministrit Edi Rama, ku u mundua të qetësoj zhurmën brenda koalicionit për një krisje mes PS-së dhe LSI-së, dje kryetari i Kuvendit ka kthyer përgjigje në të njëjtën mënyrë. Ashtu si Rama, edhe Meta ka lënë për pak kohë pushimet për të qartësuar disa çështje e pikëpyetje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me Ramën dhe me qeverisjen. Në vend që të dalin të dy bashkë, si para 21 qershorit, por shfaqen papritur dhe lëshojnë mesazhe njeri tjetrit me anë të medias,pa u takuar është e vertetë se diçka e rëndë ka ndodhur mes tyre. Kështu, në “News 24”, Meta ka folur për marrëdhënie të mira mes tij dhe Ramës, duke hedhur poshtë aludimet për një mungesë komunikimi apo probleme serioze mes tyre. “Nuk jemi idhnuar me njëri-tjetrin. Marrëdhëniet tona janë normale dhe jemi takuar disa herë”, u shpreh Meta. Ndërsa ka shtuar se raporti me socialistët është i mirë në përgjithësi. Po pse dalin të dy e shkruajnë apo flasin në media, ndërkohë si mjeshtra që janë mund të sajonin bashkë një dalje në këto ditë plazhi dhe nuk kishin pse lodhin miletin për t’i lexuar në gjashtë faqe gazetë apo në një orë direkt në televizion, kur njërëzit kanë plot halle në këtë vapë gushti? Nuk e shohin dot njeri tjetrin?! Apo nuk duan as të takohen para medias, bashkërisht?
Meta ka konfirmuar vazhdimin e aleancës, por në intervistën e kreut të Kuvendit nuk mungojnë edhe mesazhet indirekte për kryeministrin Edi Rama. Së pari, ndryshimet në qeveri. Kreu i Kuvendit dhe aleati kryesor i PS-së ka folur për ndërrime emrash, por nga ana tjetër, ka përmendur nevojën e përmirësimit. Thënë ndryshe, disa sektorë të kabinetit qeveritar kanë nevojë të kenë një ritëm tjetër. Por teksa kërkon përmirësim të Qeverisë, natyrshëm që lë të kuptohet se diçka duhet të ndryshojë në kabinetin qeveritar. Ndërsa Rama e cilëson qeverisjen si të suksesshme, Meta edhe pse nuk përmend ministra konkretë, pranon se disa sektorë nuk kanë dhënë ato që priteshin. “Përmirësimi i politikave në ato drejtime, ku ato nuk kanë dhënë efektet e pritura, janë një reflektim i mençur dhe ne të gjithë kemi nevojë për t’u përmirësuar çdo ditë”,- tha kreu i Kuvendit. Pra Edi Rama deklaron se nuk bëj ndryshime në kabinet, kurse Ilir Meta i thotë si me marifet se duhet patjetër të ketë ndryshime ministrash. A mund t’ia thonin këtë njeri tjetrit sy me sy dhe pa zhurmë në publik nëse janë në “kohë të arta” siç duan të thonë, ndonëse thikat janë nën rrogoz. Por Meta nuk “fle” në rrogoz që prej vitit 2003 , vit kur u nda me Fatos Nanon nga pabesia e ish-kreut socialist.
Mesazhi dytë dhe më kryesori i Metës, ka të bëjë me faktin sesi ndahen meritat apo dështimet e qeverisë. Në intervistë, kreu i Kuvendit përdori një term më të butë, por që në PS është kuptuar në mënyrën e duhur. Ai foli për personalizime dhe parcelizime të qeverisë. Thënë ndryshe, në qeveri ka tendenca për të personalizuar apo marrë meritat dhe për të ndarë sektorët, në të PS-së dhe të LSI-së. “LSI është kundër personalizimit dhe parcelizimit të qeverisë dhe ka punuar për frymën e bashkëpunimit brenda qeverisë dhe koalicionit”, – u shpreh ai. Qeverisja ka hyrë në gjysmën e dytë të mandatit dhe shumë shpejt do të nisin dhe bilancet paraelektoralë të arritjeve apo dështimeve. Meta duket se u ka paraprirë debateve të sukseseve apo dështimeve të njërës parti, duke kërkuar që PS-ja ta shohë qeverisjen si koalicion dhe jo t’i ndajë ministritë sipas partive. A mund t’ia thoshte direkt Meta, kryeministrit, këto ? Po, por nuk duan ta takojnë njeri tjetrin ,bile as ta shikojnë në sy.
Meta ka folur me mesazhe pajtuese, ashtu si dhe Rama tre ditë më parë për koalicionin, por në çështjet që lidhen me ekonominë ka shprehur jo pak divergjenca mes PS-së dhe LSI-së.
Çështja e taksave është mesazhi i tretë që kreu i Kuvendit dhe aleati kryesor i PS-së ka pasur për kryeministrin Edi Rama. Meta tha se duhet një politikë më e mençur taksash dhe duhet hequr dorë nga ideologjia. Taksa progresive e vendosur nga PS-ja ishte një premtim elektoral ideologjik i majtë që nuk po jep rezultat, përkundrazi, po shkon drejt dështimit. Këtë gjë duket se thotë dhe Meta në një mënyrë më të moderuar. “Kur flasim për politikë të mençur të taksave, mendoj se duhet të analizojmë treguesit e deritanishëm të ndryshimeve që janë bërë dhe rezultatet e arritura, që të kuptojmë çfarë duhet të përmirësojmë në të ardhmen. Politikë e mençur e taksave dhe ekonomike është ajo që sjell një rritje ekonomike në potencialet që ka vendi dhe jo nën potencialet e tij. Prandaj duhet të shohim gjithë këtë hapësirë që mbetet për t’u shfrytëzuar”,- u shpreh kreu i Kuvendit. A mund t’ia thoshte edhe këtë kritikë Meta kreut të Qeverisë përballë tij ? Po, por nuk don ta takojë fare. Edhe Edi Rama duket se ka të njëjtin mendim të armikut-mik, si Ilir Meta; të mos takohen fare !
Duke shkuar më tej, Meta ka folur dhe për nisjen e takimeve me grupet e interesit lidhur me mënyrën e taksimit. Shenjë që paralajmëron se çështja e taksave do të jetë një tjetër argument që mund të ndajë qëndrimet mes PS-së dhe LSI-së.
Duket se jo pa qëllim, kreu i Kuvendit ka pranuar të bëhet pjesë e një lajmi të pakonfirmuar për takimin mes Edi Ramës dhe Fatos Nanos. Në media një takim i tillë u servir si lëvizje që sinjalizonte ndryshime tektonike tek e majta dhe tek raportet mes PS-së dhe LSI-së në koalicion. Për Metën, kur dy njerëz takohen, qofshin këta edhe Fatos Nano me Edi Ramën, “nuk mund të ndiejë gjë tjetër, veçse gëzim”. “Gëzimin” që ka ndjerë Ilir Meta e shpreh buzëqeshja e tij që me shumë donte të thoshte se “ takohuni, takohuni ju “ballistët” kundër meje, por nuk e dini se jam partizan i kohëve të kuqe, unë “!
Dikush në media ka thënë se të dy Rama e Meta kanë veshur “ brekë” hekuri këto kohë, por duket mirë se iu duhen “brekë” çeliku, sepse edhe hekurit ia kanë gjetur anën teknologjitë e sotme dhe shpohet!
Ilir Meta foli, por nuk dihet se ku ka qenë Fatos Nano sot; në “pushime serioze” apo në “biseda serioze” me Edi Ramën .
Por kushdo që e shikon kryeministrin Rama si të lehtë për t’u gëlltitur, e ka gabim. Rama nuk është as Berisha, as Nano e as Majko. Është një njeri me ambicje të forta politike dhe shtetare e ndaj duhen bërë mirë llogaritë në çdo përplasje me të.