Mesazhi amerikan: Opozitë të fortë Ramës
Zgjedhjet e 25 qershorit dhe fitorja e vetme e Partisë Socialiste kanë sjellë jo vetëm ndryshimin e skenës politike në Tiranë, por edhe ndryshimin të mesazheve të ndërkombëtarëve karshi qeverisë së re. LSI denoncoi e para si forcë politike blerjen e votave nga paratë e drogës prej PS-së dhe më pas doli edhe PD-ja duke e denoncuar Edi Ramën.
Por PS-ja ka 78 deputetë bashkë me tre deputetët e PDIU, të cilët janë deklaruar pro kryeministrit Rama, pavarësisht se selia zyrtare e PDIU ka denoncuar vjedhjen e mandatit të kryetarit të saj Shpëtim Idrizi. Edhe Tom Doshi i PSD është me Edi Ramën. Realisht kemi një mazhorancë të blinduar në vota dhe interesa.
Nuk ka vonuar dhe dje ka ardhur qëndrimi i parë i Uashingtonit lidhur me cilësinë e zgjedhjeve, reformat, dhe atë që presin ndërkombëtarët nga shumica e re qeverisëse në Tiranë. Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Hoyt Brian Yee, një prej zyrtarëve më të lartë të SHBA që kujdeset për zhvillimet në rajon dhe në Shqipëri, ka dhënë porositë e para për klasën politike në vend.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, zyrtari i DASH që pati rol kryesor në futjen e opozitës në zgjedhjet e 25 qershorit, ka folur qartë për ato që SHBA pret nga klasa politike. Në mesazhet e tij theksohen çështjet që janë të njohura; zbatimi sa më parë i reformës në drejtësi, si dhe lufta kundër krimit të organizuar e trafiqeve. Këto janë kushtet që deklarohen gjithmonë nga partnerët tanë që kanë dhënë jo pak fonde dhe para të taksapaguesve amerikanë në Shqipëri për realizimin e reformave. Lidhur me problemet dhe incidentet gjatë zgjedhjeve, zyrtari i SHBA tregohet i kujdesshëm kur flet për standardet e 25 qershorit. Duke bërë një vlerësim për cilësinë e zgjedhjeve ai thotë se “komuniteti ndërkombëtar i konsideroi në përgjithësi në përputhje me standardet ndërkombëtare”.
Por në intervistën dhënë te “Zëri i Amerikës”, përfaqësuesi i DASH pati dhe një mesazh jo të zakonshëm që jepet për klasën politike në vend. Hoyt Brian Yee nuk foli vetëm për ato që SHBA pret nga qeveria e re e Edi Ramës, por edhe për ato që duhet të bëjë opozita shqiptare. Diplomati amerikan tha se opozita shqiptare duhet të bëjë një opozitë të fortë ndaj qeverisë. Ai shtoi se opozita, nuk duhet të lërë dorë të lirë qeverisë Rama që të bëj gjithçka.
“Në vendin tim, si edhe në demokracitë evropiane është gjithmonë e rëndësishme që një qeveri e fortë të ketë një opozitë të fortë. Pa një opozitë të fortë, pa konkurencë, në shumë raste nuk ka nxitje të mjaftueshme për të gjetur përgjigjet më të mira të mundshme. Prandaj edhe opozita ka një rol të rëndësishëm për të luajtur, nuk mundet thjesht të rrijë e mënjanuar dhe të lërë shumicën të bëjë gjithçka”,- u shpreh Hoyt Brian Yee. Kjo është një deklaratë ka brenda saj disa mesazhe. Diplomati i SHBA nuk flet vetëm për një parti opozitare, por flet për opozitën në tërësi. Apeli i tij ngjan më shumë si një thirrje për pozicionimin e forcave opozitare përballë një qeverie që do të ketë gjithë pushtetet e mundshme në dorë. LSI e ka deklaruar hapur kalimin në opozitë të fortë ndaj Edi Ramës. Me sa duket mesazhi amerikan ishte për PD-në e cila luan me dy porta. Edhe me veten e saj si opozitë, por edhe e ka lenë një derë hapur të flirtojë prapë me kryeministrin. Pra Brian Yee vetëm sa nuk thoshte hapur se duhet që PD-ja të pozicionohet fort kundër qeverisë.
Nga ana tjetër, Hoyt Brian Yee ka dhe një mesazh për Kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e PS. Gjatë intervistës, diplomati i SHBA disa herë thekson se është detyrë e Kryeministrit të kërkoj konsensusin për çështjet që kanë të bëjnë reformat. Edhe pse Edi Rama deklaron se fitoi “timonin” i vetëm, diplomati i amerikan thekson se qeveria e re nuk duhet të marrë vendime të pakonsultuara dhe që shkojnë kundër qytetarëve dhe opozitës. “Shumica duhet të zgjasë dorën dhe ne besojmë se është e rëndësishme që shumica të jetë përfshirëse, të gjejë mënyra për ta përfshirë opozitën të luajë rolin e saj tradicional, por është e rëndësishme gjithashtu që opozita të mos dalë gjithmonë vetëm me ankesa dhe kritika, por të dalë me ide alternative, opsione për ato që propozon pala në pushtet. Kjo nuk është vetëm për Shqipërinë”,- deklaroi diplomati i SHBA.
Vendimet e njëanshme të qeverisë së PS-së dhe mungesa e konsensusit duket se nuk do të kenë miratimin e SHBA. Për këtë, Hoyt Brian Yee shton se është përgjegjësi e Kryeministrit Edi Rama që të ofroj konsensus me opozitën. “Nuk ka dyshim që udhëheqësi i shumicës në çdo vend ka përgjegjësi të veçanta, duke pasur mundësinë të miratojë lidhje dhe reforma. Por sigurisht në çdo demokraci, i takon si partisë ose koalicionit në pushtet që së bashku me opozitën të gjejnë zgjidhje, që të jenë të pëlqyera dhe të pranueshme nga shumica e qytetarëve, çka do të thotë se është e rëndësishme për shumicën të punojë me parti të tjera që nuk janë në shumicë ose në koalicionin e shumicës, që të gjejnë zgjidhje që të jenë të pranueshme për të gjithë, ose për një pjesë sa më të madhe të popullsisë që të jetë e mundur”,- shprehet diplomati amerikan.
Nëse sheh retorikën e Edi Ramës gjatë dhe pas fushatës, ajo që binte në sy është mania që timonin qeverisës ta ketë vetëm ai. Tashmë nuk ka kush e pengon qeverinë e PS që të marrë të gjitha vendimet që i gjykon të vlefshme. Por këto vendime nuk duhet të vlejnë vetëm për PS, por për gjithë vendin. Ndaj dhe një mazhorancë që do tentojë për të marrë vendime arrogante nuk do të ketë mbështetjen e ndërkombëtarëve. Mes rreshtave, diplomati i SHBA i ka dhënë dje mesazhet edhe Edi Ramës që të bëj kujdes me “timonin”, pasi nuk mund të ketë pushtet absolut në një vend demokratik. Por po kaq i rëndësishëm mesazhi dhe më i qartë është dhe për partitë që nuk fituan në 25 qershor, teksa thotë hapur: Duhet opozitë e fortë.
LSI është pozicionuar fort e hapur kundër qeverisë së re të Edi Ramës. Pritet që pas mesazhit amerikan, edhe PD, të deklarohet dhe të pozicionet si opozitë dhe të mos bëjë lojë me dy porta.
A. Mati.