Meta, Berisha dhe furtuna “Doshi”
Nga Skënder Minxhozi
Efekti i parë dhe ndoshta më i dukshmi dhe më i thjeshti i aferës “Doshi” në jetën politike shqiptare, pritet të jetë mosmarrja e Bashkisë së Shkodrës në zgjedhjet e 21 qershorit të ardhshëm nga PS. Me shumë gjasë e majta nuk do ta fitojë dot të parin mandat qeverisës të rajonit më të madh verior të vendit. Një zonë e vështirë për socialistët, edhe kur Tom Doshi ishte një deputet i përkushtuar i Nanos e Ramës, por që bëhet edhe më sfiduese tani që ai do të punojë kundër ish-partisë së tij. Pa harruar se qeverisja thuajse dyvjeçare qendrore, ka krijuar natyrshëm pakënaqësitë e para te votuesit.
Megjithatë, momentalisht po shohim se drama (për dikë komedia) e vrasjes së pretenduar të Tom Doshit, po luhet në zemër të sistemit politik shqiptar. Akuzat e Doshit kanë tronditur, siç e paralajmëroi edhe ai vetë ditë më parë, mazhorancën dhe qeverinë. Në mënyrë të panatyrshme, kësaj radhe në fokus të sulmit nuk ishte Edi Rama, por aleati i tij, Ilir Meta. Madje u duk sikur nga furtuna që shkaktoi Doshi me daljen e tij, Rama doli më pak i dëmtuari.
Nuk e kishim parë ndonjëherë kreun e Parlamentit, pas 23 qershorit, që të merrej me familjen e Sali Berishës. Ndodhi këto ditë, pasi Tom Doshi e akuzoi si vrasësin e tij, kurse Berisha i kërkoi me ngulm dorëheqjen. Nuk e kishim parë Metën as të delegjitimonte Lulzim Bashën, duke e quajtur “kryetari formal”. Edhe kjo ndodhi këto orë, kur opozita e ktheu akuzën publike të Doshit, në shigjetën e radhës, për të goditur shumicën. Ishim mësuar ta shihnim Ilir Metën si një figurë “babaxhane”, në foltoren e lartë të Kuvendit të Shqipërisë, që nuk e ngrinte kurrë zërin dhe që shuante ose përpiqej të shuante çdo zjarr që lindte mes Ramës, Tahirit, Berishës apo Topallit.
Ndoshta duhet të mësohemi këtej e tutje me faktin që ky imazh është grisur tashmë me duart e vetë Kryetarit të Kuvendit. Implikimi direkt që po tentohet ndaj Ilir Metës këto ditë, në lidhje me vrasjen e pretenduar të Tom Doshit, është një akuzë tejet e rëndë, tejet provokuese për ta lënë indiferent politikanin, që prej vitesh (më saktë, që nga skandali “Prifti”), kishte ndërruar lëkurën e tigrit me atë të qengjit, kishte ulur zërin dhe tonet, duke predikuar paqe, bashkëpunim dhe kompromis mes palëve.
Ky ndryshim cilësor i qëndrimeve të Metës është efekti i parë politik i aferës “Doshi”. Një ndryshim që shënon në fakt një thyerje të fortë në stilin politik të njeriut që ka lundruar me sukses në tetë vjetët e fundit mes dy formacioneve të mëdha politike. Në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, Ilir Meta negocioi një marrëveshje fitimprurëse me Edi Ramën, e cila i solli atij rreth 180 mijë vota në të gjithë vendin. Pas votimit, kur shumica e re u ul në postet drejtuese të vendit, u pa se marrëveshja në fjalë ishte edhe më e mirë sesa dukej për kreun e LSI. Pushtet politik, poste ministrore dhe kosto afër zeros – kjo ka qenë pozita e Metës që nga shtatori i vitit 2013.
Në një vit e gjysmë qeverisje, Meta ka pasur një pozitë më se komode, në një stinë të gjatë krizash e përplasjesh për aleatin e tij, Rama. Ndërsa Kryeministri merrte (dhe merr) mbi vete të gjitha kostot e qeverisjes, të gjithë impaktin e reformave shpesh shtrënguese, të gjitha pakënaqësitë e kategorive sociale kryesore, kreu i Kuvendit e menaxhonte institucionin ligjvënës, sikur të ishte një prurje “teknike” brenda mazhorancës, pa u përplasur dhe konfliktuar thuajse kurrë me krahun e djathtë të sallës. Aty ku ish-aleati Berisha shkumëzonte çdo të enjte kundër qeverisë, ku vetë LSI mban poste kyçe.
Mes Berishës, Metës e Bashës u duk se në muajt e parë pas rotacionit politik kishte një pakt të heshtur mossulmimi, i cili erdhi duke u harruar gradualisht në muajt pasardhës, por pa krijuar përplasje të ashpra publike. Deri në përplasjen e të enjtes, e cila duket të jetë një ndarje pa kthim. Të paktën deri në 2017, kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe do të zgjidhet pasardhësi i Nishanit.
Një efekt tjetër i tërmetit që shkaktoi Doshi është rishfaqja e hipotezës së një bashkimi PS-LSI. Ka një vullnet të shtuar nga LSI këto ditë, për të folur për projektin e bashkimit të dy partive. Mesa duket LSI e sheh diskutimin mbi këtë hap si një strategji të efektshme për të kaluar momentin negativ që ka krijuar ngjarja me deputetin e Shkodrës, por ndoshta edhe për të shuar kësisoj taktikisht, reputacionin gjithnjë e më problematik që LSI dhe krerët e saj kanë në një pjesë të elektoratit socialist. Duket e pamundur që dy partitë të bashkohen së afërmi, por me sa po shihet, hedhja në tregun e debatit politik e kësaj teze e ndihmon indirekt LSI-në të gjejë mbështetje dhe të qetësojë minimalisht shpirtrat e trazuar nga akuzat e Tom Doshit.
I vetmi politikan i lartë, i cili ditën e enjte, kur krerët e shtetit kacafyteshin në Kuvend, ishte duke vënë lule në monumentin e Adem Jasharit, ishte kryetari i opozitës. Ai që Ilir Meta e quajti për herë të parë pas 23 qershorit “kryetari formal”. Pikërisht atëherë kur pakica në Kuvend duhet të ishte udhëhequr e menaxhuar nga kryetari i saj, ajo ra edhe një herë në dorë të ish-kryetarit. Si për të treguar se në Partinë Demokratike, Lulzim Basha nuk ndodhet kurrë në vendin dhe kohën e duhur, kurse Sali Berisha vijon të jetë i pazëvendësueshëm në çdo rrethanë.
Sherri në Kuvend për skandalin “Doshi”, së bashku me helmet që ka lënë pas, duket se po i japin dorën e fundit spostimit faktik të Lulzim Bashës nga kreu i PD. Radikalizimi i qëllimshëm i situatës nga Berisha dhe ngjitja e tij në timonin e punëve në parti, rifillimi i protestave kundër Metës dhe zëri gjithnjë e më i mpakur, me të cilin Basha flet çdo ditë nga zyra e tij në bashki, janë treguesit më të besueshëm se linja e fortë tashmë ka triumfuar plotësisht në radhët e opozitës. Ashpërsimi përfundimtar i marrëdhënieve me Metën këput të fundit zinxhir që e mbante PD në suazën e një sjelljeje “të moderuar” në raport me kundërshtarin politik. Dhe viktima më e parë e këtij procesi s’mund të jetë veçse Lulzim Basha.