Meta-Kolinda Grabar-Kitaroviç: Shqipëria dhe Kroacia, partneritet strategjik
Në Ballkanin që njihet për sherre dhe grindje mes shteteve ka dy kombe që bëjnë përjashtim. Shqiptarët dhe kroatët duket se janë të vetmit që historia nuk i përmend kurrë për konflikte apo mosmarrëveshje me njeri-tjetrin. Në Kroaci jeton një komunitet prej më shumë 20 mijë shqiptarësh, i vendosur aty rreth 300 vjet më parë, të cilët edhe sot ruajnë identitetin e tyre dhe janë pranuar si vlerë nga shoqëria kroate. Kroacia, sot vend anëtar i NATO dhe anëtar i Bashkimit Europian ka një peshë tjetër dhe ka rol orientues për vendet e Ballkanit që janë në proces integrimi. Në këto vitet e fundit, diplomacia jonë rajonale është luhatur sa mes Ankarasë dhe Beogradit dhe lojës së “madhe” gjeopolitike duke harruar rëndësinë që kanë shtetet e rajonit që janë pjesë e BE dhe kanë peshën e tyre në Ballkan. Kroatët janë popull trim, i kulturuar dhe bashkëpunues. Edhe në Botëror treguan se çfarë vlerash kanë brenda shpirtit kombëtar derisa arritën në finale e Botërorit, kur u eleminuan Gjermania, Anglia, Brazili, Argjentina, etj.
Për shkak të rëndësisë që kanë marrëdhëniet rajonale për Shqipërinë, vizita e Presidentes kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç në Tiranë, me ftesë të Presidentit Ilir Meta, merr një peshë të veçantë. Vizita zyrtare të nivelit të lartë, si kjo e kryetares së shtetit kroat, tregojnë për një model të ri të diplomacisë rajonale që mesa duket ka munguar deri më sot. Ndaj dhe në deklaratën zyrtare, Presidentit Ilir Meta duke i cilësuar marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera kërkoi që raportet mes Tiranës dhe Zagrebit të kalojnë në nivelin e partneritetit strategjik. Ky hap diplomatik, mes të tjerash, nënkupton jo vetëm rritje të bashkëpunimit dypalësh, por edhe koordinimin e qëndrimeve për çështjeve të rajonit.
“Kroacia ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë e çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Modeli dhe eksperienca e Kroacisë në BE, është shumë e vyer për ne shqiptarët. Po kështu, si dy vende anëtare në NATO, ne ndajmë vizion dhe interesa të përbashkëta edhe në fushën e sigurisë dhe për këtë kemi një bashkëpunim shumë të mirë e të konsiderueshëm dhe që do ta shtojmë akoma më tej në të gjitha aspektet. Dy vendet po punojnë që së shpejti ta ngrenë nivelin e bashkëpunimit, në atë të “partneritetit strategjik”,- deklaroi Presidenti Meta. Nga ana tjetër mes dy vendeve ka hapësira të mëdha bashkëpunimi, si ekonomia, energjia dhe infrastruktura, që deri më sot nuk janë shfrytëzuar si duhet. Kroacia është vendi që në rrugën për tu bërë pjesë e BE ishte më e suksesshmja se gjithë vendet e tjera të rajonit. Përvoja kroate në Bruksel cilësohet si model që duhet të ndiqet edhe nga Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me Kroacinë për çështjen e integrimit është veprimi më i matur që mund të bëjë qeveria shqiptare. Kjo temë ishte pjesë e bisedës së presidentes kroate me kreun e shtetit ku mes dy vendeve pritet të ketë bashkëpunim të ngushtë për çështjen e integrimit.
Nga ana e saj, presidentja kroate ka risjellë në vëmendje se veç faktit se dy vendeve nuk ka pasur kurrë konflikte, shqiptarët e Kroacisë renditen te qytetarët që kanë sakrifikuar për lirinë e këtij vendi. Këtë detaj të rëndësishëm të raporteve mes dy shteteve, presidentja kroate e përmendi në fjalimin e mbajtur në takimin me Presidentin Meta, por edhe në fjalën e saj në Parlamentin Shqiptar. “Shumë shqiptarë sakrifikuan jetën e tyre për Kroacinë dhe ne nuk harrojmë. Miqësia jonë daton herët, që në kohën e Venedikut, pasi nuk ka fakte historike për konflikte midis dy vendeve. Kroacia e mbështet fuqishëm perspektivën europiane të Shqipërisë, rrugën drejt integrimit në BE dhe mirëpret progresin e bërë nga Shqipëria”, tha ndër të tjera Presidentja e Kroacisë, në fjalimin e mbajtur dje në Kuvend. Shenjë e rëndësisë që Shqipëria i kushton raporteve me Kroacinë janë dhe titujt dhe dekoratat që u akorduan për Presidenten Kitaroviç. Kreu i shtetit Ilir Meta i vlerësoi dje homologen kroate me “Dekoratën e Flamurit”, një nga medaljet më të rëndësishme të shtetit shqiptar për personalitetet e huaja. Po dje, Bashkia e Beratit i dha presidentes kroate titullin “Qytetare Nderi”, në shenjë mirënjohje për kontributin që ka dhënë për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Një presidente si Kolinda Grabar-Kitaroviç është krenari jo vetëm për Kroacinë, por edhe një shembull për Europën, një BE e cila është mbërthyer në krizën e vetvetes. Ndaj bëri mirë që Ilir Meta e ftoi presidenten kroate, sepse ajo rrezatoi me vizionin e saj bashkëpunues rajonal.
Q.Xhani