Meta: Kush prek zgjedhjet do ketë probleme serioze dhe jetike!
Presidenti Ilir Meta ka kërkuar dje dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në një intervistë dhënë emisionin “Çim Peka Live” në televizionin “Syri”, kreu i shtetit ka renditur një sërë arsyesh se përse ky kryeministër nuk mund të drejtojë më qeverinë. Presidenti u shpreh se dëmi që Edi Rama i ka bërë integrimit të vendit në BE duke e lënë pas gjithë shteteve të tjera në rajon. Gjithashtu, kreu i shtetit deklaroi se Edi Rama ka dëmtuar rëndë interesat e Kosovës me qëndrimet që ka mbajtur. “Rama të japë menjëherë dorëheqjen për këtë dëm të madh që i ka bërë vendit, për këtë shkretim që i ka bërë Shqipërisë dhe për dëmtimin e çështjes së Kosovës”,- deklaroi kreu i shtetit. Presidenti Meta solli në vëmendje dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit në vitin 2002, vetëm për të mos dëmtuar procesin e integrimit dhe interesat e vendit. “A e dini se kam dhënë dorëheqjen për një rezolutë të Parlamentit Europian, ku thuhet: Rekomandojmë që forcat politike të zgjedhin me konsensus presidentin për shkak të stabilitetit të vendit”,- tha ndër të tjera kreu i shtetit. Presidenti Meta shtoi se rrëzimi i marrëveshjes së 5 qershorit dhe tallja e Edi Ramës me qëndrimet e ndërkombëtarëve që duan integrimin e Shqipërisë është një akt kriminal. Meta shtoi se rrëzimi i kësaj marrëveshje ka sjellë rrëzimin e negociatave dhe avancimin e vendit drejt Bashkimit Europian. “Ka edhe kushte të tjera, pasi zgjedhjet e 25 prillit do jenë më të monitoruarat. Me prekjen e 5 qershorit nuk ka çelje negociatash, këtë dëgjojeni nga unë”, deklaroi mbrëmë Presidenti Ilir Meta. Kreu i shtetit akuzoi kryeministrin për bllokim të qëllimshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.
Në intervistën e dhënë mbrëmë kreu i shtetit bëri një paralajmërim të fortë për Edi Ramën dhe gjithë ata që tentojnë të prekin zgjedhjet. “Kush prek zgjedhjet do këtë probleme të paimagjinueshme. Nëse duan të bëhen kurban për Edi Ramën, le të bëhen. Por po i paralajmëroj. Nëse ai zotëria do ta çojë marrëzinë e tij deri në fund, ai e fton popullin shqiptar në një referendum, provokon popullin shqiptar dhe i vendos një mur të zi e kriminal integrimit. Zoti e ruajt Edi Ramen”,- tha kreu i shtetit. I pyetur se cilat do të jenë hapat që do të ndërmarrë, kreu i shtetit deklaroi: “ju siguroj se do të bëj të gjitha aktet e duhura patriotike për ta mbrojtur Shqipërinë dhe i gjithë populli do të jetë me Presidentin”.
Kreu i shtetit komentoi dhe çështjen për të cilën opozita e akuzon prej disa muajsh lidhur me dhënien e dekoratave. Presidenti deklaroi se kreu i shtetit ka detyrë të promovojë patriotizmin në vend dhe dhënia e dekoratave për çdo hero, pavarësisht bindeve të tyre politike, është gjest vlerësimi dhe promovim i patriotizmit. Komenteve se kreu i shtetit nuk duhet të marrë pjesë në tubime, Presidenti deklaroi se në Rumani Presidenti ka dalë në protesta me popullin vetëm për një ligj.
Dhe se Presidenti Ilir Meta do të dalë patjetër në terren për të mbrojtur votën si Kryetar Shteti.
Mili Xhani