Miku i Ramës,Koço Kokëdhima paralajmëron shkarkimin e Ministrit të Financave

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, është vënë në qendër të kritikave të gazetës “Shekulli”, si ministri me performacën më të dobët në qeverinë Rama.E përditshmja e deputetit socialist, Koço Kokëdhima, në një shkrim që paralajmëron ndryshime në qeveri, shkruan se ai ka qenë ministri më i kritikuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, të mërkurën e shkuar. Kritikat, sipas Shekullit, Rama i ka patur ndaj Canit për punë të dobët, si vonesat në pagat e punonjësve të administratës shtetërore, për ndarje jo të drejtë të fondeve për njësitë vendore apo edhe për faktin se ai është ende i vetmi ministër që ka edhe mandatin e deputetit, duke e konsideruar këtë si një privilegj nga i cili ministri po përfiton. Sulmi nga gazeta e superdeputetit socialist, njeriut më të afërt të Ramës, nuk mund të jetë i rastësishëm. Aq më pak po të shohësh mënyrën e zgjedhur prej saj për të renditur të gjitha “dobësitë” e Canit. Dihet se Kokedhima është deputeti më i afërt e që ka një ndikim të fortë mbi vendimmarrjen e Ramës që prej shumë vitesh. Ndaj ,siç po përflitet koridoreve të PS se Edi Rama do të largojë nga kabineti tre ministra para zgjedhjeve vendore,ka mundësi që Ben Blushi të jetë pjesë e kabinetit të Ramës ose mund të jetë kandidat për kryetar Bashkie në Tiranë.Gazeta e deputetit Kokëdhima shkruan se shkak për kritikat e ashpra është bërë fakti se “Në fillim të këtij viti pati sërish vonesa në paga për arsimtarët e ciklit 9 vjeçar e të mesëm, situatë kjo e përsëritur 2 herë brenda një viti e gjysmë qeverisje.” Në këtë sentencë bie në sy fakti se gazeta e Kokëdhimës flet për këtë ngjarje vetëm tani, ndonëse e konsideron si “situatë të rëndë” që u krijua një herë vitin që shkoi dhe së dyti në fillim të janarit. Ajo nuk ka raportuar më parë për vonesa apo probleme në dhënien e pagave të arsimtarëve. Po ashtu, media e deputetit përpiqet ta distancojë ministrin Cani edhe nga "sukseset" e disa drejtorive në vartësi të tij, veçanërisht Doganat e Tatimet, puna e të cilave është vlerësuar nga kryeministri publikisht, në çdo rast, edhe kur ndaj tyre ka patur kritika dhe dyshime për përfshirje në skandale.

“Edhe pse shpesh kreu i qeverisë ka vlerësuar punën shumë të mirë të bërë nga Drejtoria e Doganave dhe Drejtoria e Tatimeve, dikastere në varësi të Ministrisë së Financave, të cilat kanë rritur në mënyrë të ndjeshme të ardhurat e siguruara, menaxhimi i përgjithshëm i kabinetit ministror duket se ka pasur probleme që nuk kanë mbetur jashtë vëmendjes së kryeministrit” – thuhet në shkrim. Pra paralajmërim më të hapur se kjo nuk ka, pasi siç thamë më sipër deputeti Kokëdhima mbetet njeriu me më influencë në selinë e PS-së. Bile Kokëdhima përflitet se do të jetë ai që do të zëvëndësojë Gramoz Ruçin si numri dy në selinë rozë e automatikisht shefi i grupit parlamentar socialist.

 

Shqetësim për Shekullin është edhe fakti se Cani ka ende mandatin e deputetit. “Përfiton nga fakti se ke ende mandat, – mësohet t’i jetë drejtuar Rama kreut të Financave, shkruan gazeta e Kokëdhimës, duke vënë në dukje faktin se “Ministri Shkëlqim Cani është i vetmi anëtar i kabinetit qeveritar, i cili ka ende edhe mandatin e deputetit në një kohë që gjithë ministrat e tjerë e kanë dorëzuar atë duke ia lënë karrigen e deputetit, kandidatëve të radhës në listën zgjedhore të Partisë Socialiste.”. Të gjitha këto fjali janë të sakta të thëna në grupin e PS,pasi kush më shumë se Koço mund të jetë i saktë në median e tij kur flitet për Edi Ramën.

Cani është vërtet ministri i vetëm me mandatin e deputetit, por kjo jo për zgjedhjen e tij. Por një ëeb që drejtohet nga Armand Shkullaku e Andi Bushati (Lapsi.al) raportonte disa muaj më parë se arsyeja qëndron diku tjetër. Mandati, sipas ligjit, i takon kandidates Ezmerina Hoxha. Por është mësuar se ajo është vënë nën presion për të të hequr dorë nga mandati, me qëllim që ai t’i kalojë Arben Keshit apo Ashin Domës, dy kandidatët në radhë në listën e PS. Zonja në fjalë është  kontaktuar dhe ajo nuk pranoi të citohej mbi këto probleme, njëkohësisht duke mos i mohuar ato.

Veç performancës së dobët, problemeve që ka shkaktuar në vonesat e pagave, pakënaqësive tek drejtuesit e njësive vendore dhe faktit që është ministri i vetëm që gëzon ende mandatin e deputetit, Ministrit i kujtohen edhe kritikat që ndaj tij ka patur deputeti Sadri Abazi, i cili i tha Canit në parlament që t’i hapte telefonin, pasi ai e kishte bërë deputet.

Duke renditur të gjitha këto probleme që ministri Cani i ka sjellë qeverisë dhe disa pakënaqësi që, sipas Kokëdhimës, Rama ka patur edhe për Ministrin e Shëndetësisë dhe Ministren e Arsimit, pra Kokëdhima paralajmëron ndryshime në përbërjen e kabinetit qeveritar. Përveç Edi Ramës asnjeri tjetër përjashtuar deputeti Koço nuk e di se çfarë ndryshimesh janë në kokën e kryeministrit.

Citohet se “Rama ende nuk ka pohuar zyrtarisht për ndonjë lëvizje, por burimet brenda kabinetit qeveritar paralajmërojnë ndryshime të mundshme”.

Arsyet e parlajmërimit të Shekullit për shkarkimin e Ministrit të Financave, janë të paqarta, aq më tepër kur kryeministri nuk ka lënë të kuptohet se do të ketë ndryshime në qeveri. Nëse në kabinetin qeveritar do të ndodhin vërtet lëvizje, atëherë Kokëdhima vërteton edhe njëherë se ai është eminenca gri e kreut të qeverisë. Në të kundërt, sulmi i Shekullit mbetet vetëm një betejë e vogël e superdeputetit të PS ndaj Ministrit të Financave, për motive ende të pazbardhura. Natyrisht që deputeti ose supërdeputeti Kokëdhima mund të thotë se gazeta është e lirë dhe ka mendimet e saj, ndryshe nga botuesi, por kjo zor se hahet nga publiku, duke ditur miqësinë e tij me kryeministrin.

Në të vertetë ka nevojë për ndryshime në qeveri,pasi një pjesë janë lodhur, ndonjë nuk ka hapin e kohës, nja dy janë që i mban LSI kot së koti e kështu duket se diçka po mendon edhe kryeministri. Mundet të jetë duke menduar rikthimin e figurave në PS drejt e në qeveri e kjo mbetet një lëvizje e mençur,gjithnjë nëse i bën këto ndryshime. Por të gjithë gabojmë duke njohur Edi Ramën; ai nuk bën asnjë lëvizje nën presion. Është më kryefortë se sa Berisha në këtë drejtim. Vetëm nëse sondazhet dhe informacionet e klasifikuara mund ta bindin për ministrat që ti largojë.

SHKARKO APP