Ministrat e PD heqin dorë nga dorëheqja!

Kabineti i qeverisë shqiptare vazhdon të funksionojë në mënyrën më qesharake të mundshme që pas marrëveshjes së 18 majit Rama-Basha. Të enjten, gati dy muaj pasi zgjedhjet janë njohur ligjërisht nga PD-ja, ministrat e Lulzim Bashës dhanë dorëheqjen. Dorëzuan raportin e famshëm me ankesa për manipulim të zgjedhjeve dhe më pas nxorën vetë në media firmat e tyre të dorëheqjes. Pasi thanë gjithë të zezat, që mund të thuheshin, dhe ia plasën dorëheqjet në tavolinë Edi Ramës, dje ndërruan mendje. Nuk do të largohen nga kabineti dhe do qëndrojnë sërish në qeveri me Ramën. Praktikisht dje ministrat e PD dhanë dorëheqjen nga dorëheqja! Sado jo serioze që duket situata, kjo lëvizje “teknike” e teknikëve është konfirmuar nga zv/kryeministrja Ledina Mandija.

Numri dy i qeverisë pranoi në një intervistë për Tv Klan se ajo dhe ministrat teknikë e kanë të pamundur të largohen nga kabineti. Ata do të qëndrojnë në detyrë deri kur Edi Rama të propozojë lirimin e tyre, sipas procedurës kushtetuese. Gjë që do të thotë se kryeministri duhet të pranojë dorëheqjen dhe të dërgojë emrat e tyre për shkarkim në Presidencë. Më pas emrat kalojnë në Kuvend ku votohet dhe largimi i tyre nga kabineti. Nëse Edi Rama nuk bën asnjë propozim për lirimin e “teknikëve” deri në krijimin e qeverisë së re, PD edhe pse thotë se nuk është më në qeveri, zyrtarisht vijon të bashkëqeverisë me Edi Ramën.

Një lojë fjalësh, pasi janë penduar për dorëheqjet. Të pështiroset edhe ndonjë imazh pozitiv për ndonjë emër ministri me personalitet, pas kësaj se do rrijnë se po “respektojnë Kushtetutën” (!), ndërkohë që akti i tyre, ndonëse shumë i vonuar ishte akt politik. Berisha e njihte mirë aktin politik dhe kur ai vendoste të ikte nga një qeveri apo marrëveshje, kur ia punonin me të pabesë, ishte i rreptë dhe hidhej në sulm total.

“Ministrat dhe zv.kryeministri kanë përgjegjësinë në lidhje me funksionet dhe detyrat që ato ushtrojnë dhe nuk mund të braktisin zyrat apo detyrat. Do të qëndrojmë në detyrë deri kur të plotësohen kërkesat procedurale sipas kushtetutës. Kjo do të thotë që duhet të dekretohet, të behet propozimi nga kryeministri, të dekretohet dhe më pas të votohet në parlament”,- deklaroi dje zv/kryeministrja Mandija.

Ky zhvillim në kabinetin qeveritar është nga më absurdet, jo vetëm politikisht, por edhe moralisht. Edi Ramës i intereson t’i ketë dhe disa javë në qeveri ministrat e PD. Nëse do të pranonte dorëheqjen e ministrave të Bashës do t’i duhej të hapte lojën e emrave në PS për ministrat e rinjë. Nëse i dërgon emrat e ministrave këto ditë te Presidenti, automatikisht duhet të thërrasë edhe Parlamentin. Por jo parlamentin me 74 deputetë që fitoi më 25 qershor, por parlamentin e dalë nga zgjedhjet e vitit 2013, i cili është ende në detyrë. Për shkak se 25 nga deputetët i përjashtoi nga listat dhe balancat politike kanë ndryshuar, emrat e Ramës mund të rrëzohen nga Kuvendi aktual. Ndaj për të shmangur sherret në PS dhe figurën e keqe në Kuvend, nuk është çudi që t’i këtë kërkuar një nder tjetër Lulzim Bashës. Pra që ministrat e PD të dorëhiqen nga dorëheqja dhe të qëndrojnë deri në betimin e qeverisë së re në muajin shtator. Për Ramën kjo skemë është më e mira. I jep kohë të merret me kabinetin e ri dhe me ndryshimin e numrit të ministrave. Edi Rama është në lojën e tij dhe bravo që e përdor akoma PD-në për interesat e tij.

Çështja shtrohet se çfarë fiton PD-ja dhe Lulzim Basha në këtë rast? Qëndrimi në detyrë i ministrave, pas dorëheqjes, përveçse duket si gallatë politike tregon se PD është ende peng, qoftë edhe formalisht, i marrëveshjes së 18 majit.

Të gjithë pyesin: Çfarë ishte ajo marrëveshjes private e dy njërëzve e cila nuk është bërë publike? Ishte politike, financiare apo të dyja sëbashku?! Ndaj qeshnin të nesërmen e datës 18 maj ministrat Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri! Ata, të dy, e dijnë mirë se sa janë lodhur atë natë…. për stabilitetin politik të Shqipërisë! Sidomos Gjiknuri. Atyre, dy ministrave, atë natë iu ndodhi si në barcoletën popullore shkodrane: Baj venë (verë) e pi ujë! Por ama kontribuan në bindjen e PD që të futet në zgjedhje.

Thonë se ka një inçizim të asaj nate, por shpresojmë të dalë në publik. Një zyrtar i një ambasade perendimore tregon, si me shaka, që nëse ajo kasetë e natës se 17 majit mes Bashës dhe Ramës vendoset ti jepet publikut, do të mahniteni nga biseda mes Bashës dhe Ramës si dhe këtij të fundit me një ish-lider partie….

Mos ikja me vrap nga një kryeministër që i ka prerë në besë, siç thonë vetë në PD, tregon që nuk dinë çfarë pune bëjnë, ose janë ende peng të marrëveshjes-pazar. Janë të njëjtët ministra që akuzuan Ramën se u ka vjedhur e blerë votat me kanabis me bosët e drogës. Janë po këta zyrtarë të PD që në emailet e komunikimit deklarojnë se kryeministër i “përdhunoi” politikisht duke mos i takuar, por i ktheu në vartës të Sekretarit të Përgjithshëm. Duket sikur po rrijnë për të marrë pagën e fundit si ministra dhe kjo tregon se sa pa forcë e shtyllë kurrizore është PD e sotme.

Pas kësaj ia vlen të thuhet se: Mirë ua paska bërë kryeministri Rama! I përdori dhe i hodhi në koshin e plehrave. Të vjen keq për ndonjë ministre me dinjitet nga radhët e PD-së, por kështu përfunduan vetë, pas heqjes dorë nga dorëheqja.

Edhe argumenti që përdorin se do respektojnë Kushtetutën nuk të bind. Rama dhe Basha, me marrëveshjen e 18 maji ndryshuan gjithë ligjet që deshën, as që e llogaritën ndonjëherë Kushtetutën. Shkelën çdo ligj duke nisur nga Kodi Zgjedhor dhe deri te ligji për administratën. Pasi e kanë masakruar, si dhe sa kanë dashur Kushtetutën, është vonë të bëjnë sikur respektojnë ligjet për qëndrimin e ministrave. Nuk bëhet nami për 2-3 javë. Vendi do ketë qeveri funksionale edhe po ikën ministrat e PD nga zyra. Janë zv/ministrat që mbulojnë me Kushtetutë ikjen e ministrave. Por kjo heqje dorë, nga dorëheqja, i është kërkuar nga kryeministri Rama, liderit të PD. Nuk ka logjikë tjetër.

Pazari vazhdon!

Qamil Xhani

SHKARKO APP