Ministri Bushati, drejtori i kabinetit dhe Turqia
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:49
Një lajm i pa dëgjuar për publikun e politikën. Greqia thërret për të kryer shërbimin ushtarak, shefin e Kabinetit të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Zoti Pirro Vengu rezulton të jetë me pasaportë greke dhe sipas ligjeve të vendit fqinj, ai duhet të kryejë shërbimin ushtarak deri në moshën 40 vjeç. Fletë-thirrja drejtorit Vengu i ka mbërritur për të shkuar në ushtri nga Ministria e Brendshme në Greqi. Sipas legjislacionit grek, ai duhet të kryejë një shërbim ushtarak prej 6 muajsh. Ose arrestohet! Teksa prej dy vjetësh, ai mban detyrën e shefit të Kabinetit të ministrit Bushati dhe ka kujtuar se nuk e kërkojnë për ushtar. Mediat e djeshme online dhe një print e dhanë këtë lajm.Gazeta kërkoi dje një prononcim nga Ministria e Jashtme lidhur me këtë rast, pasi Panorama dhe shumë media online e kishin lajm kryesoir, por nuk pati asnjë konfirmim ose mohim lidhur me kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes Greke për shefin e Kabinetit të Ministrisë së Jashtme Shqiptare.
Pavarësisht kësaj, skandaloze në këtë rast nuk janë as ligjet greke, pasi e duan nënshtetasin e tyre nën shërbim ushtarak, dhe as Pirro Vengu nuk ka asnjë faj që mban dy nënshtetësi e dy pasaporta, por më shumë se skandal është fakti që ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati mban në detyrën më besnike e më të sigurtë, një drejtor kabineti që i duhet të shkojë ushtar në Greqi. Një drejtor, në zyrën e të cilit kalojnë shkresa e dokumente sekrete të shtetit shqiptar, edhe kundër interesave nacionaliste të Greqisë, mban sekretet e krejt politikës së jashtme shqiptare! Kjo është e paimagjinueshme, se si mundet një Ministër i Jashtëm të mbajë afër si drejtor Kabineti një nënshtetas grek që nuk dihet se ku raporton, tek ministri shqiptar apo tek ministri grek. Nuk duam të vemë gishtin dyshues mbi Vengun, por një post i tillë duhet të ketë besueshmeri të madhe. Ministri i jashtëm grek kurrë nuk do të mbante një nënshtetas shqiptar,edhe sikur ai të ishte yll bote.
Problemi në këtë rast nuk është tek Pirro Vengu. Si një i ri me dy nënshtetësi, ai mund të zgjedhë të ndërtojë jetën e vet ku të dojë, por problemi komplikohet kur flasim për standardet më të cilat ai ka rritur të mbërrijë në majën e diplomacisë. Nga jetëshkrimi i tij, përveç se ka kryer arsimin bazë në Greqi dhe në Francë, nuk rezulton të ketë ndonjë kontribut në sektorin e diplomacisë. Mund të jetë një ekspert i komunikimit me shoqatat në Bruksel, por mes qindra ekspertëve të politikës së jashtme që ka me shumicë Partia Socialiste, përse duhej të zgjidhej një djalosh që ende nuk ka mbushur 30 vjeç, si shef i kabinetit të diplomacisë shqiptare? Por edhe ky fakt duket se nuk përbën shqetësim në një vend ku dihet si fitohen detyrat në administratë. Ose le të marrim faktin se mund të jetë talent, por dhe në këtë rast ka një përzgjedhje pasi dyshtetsia e tij mund të lerë vend për dyshime.Çudia në këtë rast është se përse duhej zgjedhur një person që ka pasaportë të huaj në një prej institucioneve ku më së shumti kalon informacion i klasifikuar top-sekret. Tek ai raportojnë gjithë ambasadorët shqiptarë kudo në botë, tek ai vijnë emaile, projekte, vizita, etj gjithçka që ka të bëjë me politikën e jashtme të shtetit shqiptar. Nuk ka rëndësi nëse pasaporta është greke. Skandali do të ishte po kaq alarmant edhe nëse shefi i kabinetit do të ishte me pasaportë turke apo italiane. Imagjinoni tani ministrin e jashtëm të Turqisë apo vetë Presidentin turk si janë ndjerë kur kanë marrë lajmin se një grek punon si drejtor kabineti i ministrit të jashtëm shqiptar dhe “vdes” për të forcuar miqësinë shqiptaro-turke! Sipas informacioneve tona në ministrinë e jashtme të Turqisë është marrë seriozisht ky lajm dhe janë ndjerë të befasuar, sepse shumë projekte në fushën e mbrojtjes dhe planeve të përbashkëta turko-shqiptare kanë shumë sekrete edhe ndaj fqinjit tonë jugor. Mbetet të shikojmë reagimin diplomatik turk në ditët në vijim.
Për disa fakti i nënshtetësisë mund të duket një problem pa shumë rëndësi. Por le të marrim një shembull të kohëve të fundit. Pak ditë më parë Ministria e Jashtme greke pezulloi ambasadoren e përhershme në BE për shkak se nuk përfaqësonte siç duhet linjat e diplomacisë greke. Gazetarë shqiptarë që e njohin realitetin në Greqi thanë se largimi ka ardhur si pasojë e faktit se ambasadorja ka origjinë arvanitase (shqiptare). Pra çështja e origjinës të një diplomati shihet me lupë në vendin fqinj, në Greqi. Ndërsa ne, një person me nënshtetësi të huaj e bëjmë personin më të rëndësishëm në diplomacinë tonë, pas Ministrit.
Pirro Vengu mund të punojë ku të dojë nëse e meriton, edhe drejtor dogane në Kakavijë apo shef komisariati në Kapshticë, por jo drejtor kabineti i ministrit të Jashtëm shqiptar.Nuk ka shkelje ligjore, por është amorale e jo politike e jo atdhetare ky vendim i ministrit Bushati. Mund të jetë djalë më i zoti se ministri Bushati ky drejtor Vengu, por asnjeri nuk i beson, sepse ushtrinë do të shkojë ta bëjë në Greqi! Pikërisht, në atë ushtri që bërtet në jug të Shqipërisë, buzë kufirit “Vritini shqiptarët!” dhe si shenjë tabele qitje kanë koka shqiptarësh e flamurin shqiptar. A do të qëllojë edhe drejtor Vengu mbi koka shqiptarësh kur të shkojë ushtar në Greqi, sipas fletë-thirrjes greke!?
Më mirë të marrin ushtar në Greqi edhe ministrin Bushati. Të paktën ka syze e nuk shikon aq mirë nga sytë kur të qëllojë mbi tabelën e qitjes e ku për dreq do ti vendosin kokën e kryeministrit shqiptar!
A. Prulli