Ministri Gjiknuri:CEZ-DIA, çështje e mbyllur dhe e fituar për shtetin shqiptar

 

 

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ka sqaruar dje çështjen e procesit gjyqësor mes shtetit shqiptar dhe kompanisë DIA (Debt International Advisory), e cila kërkon 135 milionë euro për prishjen e kontratës. Në një intervistë dhënë për emisionin “Top-Shoë”, ministri tha se çështja e kompanisë së Kastriot Ismailajt është një histori e mbyllur. Sipas tij, fakti që ky problem është rikthyer këto kohë në politikën shqiptare me akuza dhe kundërakuza, lidhet me interesat që kanë grupe të caktuara ekonomike për të përfituar nga 135 milionëshi i eurove. “DIA është çështje e zgjidhur me marrëveshje që në vitin 2014, por që akoma disa grupime duan ta mbajnë të hapur për interesa politike dhe ekonomike”, – u shpreh ministri Gjiknuri.

Qëndrimi i ministrit Gjiknuri hedh poshtë dhe gjithë sajesat që janë bërë gjatë muajit të fundit lidhur me emrin e kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Ministri ka faktuar se çështja e DIA-s dhe pronarit të saj, Kastriot Ismailaj është mbështetur nga grupe ekonomike dhe mediatike që kanë pasur interesa në marrjen e shumës për të cilën po diskutohet në procesin gjyqësor në Vjenë. Ky grupim  është në akord me segmente mediatike që përfitojnë miliona euro me dy biznesmenë miliarderë. Sqarimi i Gjiknurit ka qenë i domosdoshëm edhe për shkak të aludimeve që opozita ka bërë lidhur me rolin që institucionet në varësi të tij kanë pasur në nxjerrjen e dokumenteve. Në këtë pikë, ministri ka qenë i prerë, pa lënë shumë vend për hamendje. Ai tha se kjo çështje është e mbyllur dhe përveç grupimeve ekonomike e politike të caktuara, që po godasin Metën për qëllime përfitimi nga 135 milionë eurot, askush nuk ka pasur interes hapjen e saj.

Ministri nuk ka pranuar të flasë më hapur se cilët janë konkretisht personat dhe grupimet ekonomike e politike që kanë interesa direkte. Megjithatë, gjatë muajit të fundit, ish-ministri Dritan Prifti dhe deputeti Tom Doshi, ishin njerëzit që u investuan direkt në serinë e akuzave dhe “fakteve” që kërkonin implikimin e kreut të Kuvendit në historinë e mbledhjes së borxheve nga kompania “DIA” e Kastriot Ismailajt. Veç këtyre, edhe media të caktuara morën përsipër publikimin e “fakteve” që deri më sot kanë rezultuar pa asnjë provë apo dëshmi konkrete për emrat e akuzuar. E vetmja gjë e sigurt është se personi që drejtonte kompaninë DIA, sot është në burg i akuzuar për mashtrim dhe fshehje të të ardhurve dhe ka një gjyq kundër shtetit shqiptar për marrjen e 135 milionë eurove. Dhe se ky grupim synon ti zhvasë shtetit shqiptar 135 milionë euro nga gjyqi në Vjenë, ndërkohë që ministri deklaroi mbrëmë se nuk do të arrijnë ti marrin ky grupim antiMeta.

Ministri ka lidhur çështjen ‘DIA’ dhe arbitrazhin me marrëveshjen mes shtetit shqiptar dhe ‘CEZ Shpërndarje’-s në Çeki, për mbylljen e kontratave. Sipas tij, marrëveshja e nënshkruar nga qeveria me CEZ-in në vitin 2014 ishte e domosdoshme. Ai tha se në rast se qeveria shqiptare nuk do të kishte pranuar, atëherë sot, padia e DIA-s do të ishte e humbur dhe shteti do të kishte paguar 135 milionë euro. “Nëse marrëveshja me CEZ-in nuk do të ishte bërë në vitin 2014, DIA ishte një çështje e humbur”,- tha ministri.

Gjiknuri ka folur edhe për sistemin energjetik dhe efektet që marrëveshja e qeverisë “Berisha” me kompaninë çekë dha në financat e shtetit shqiptar. Ai tha se favorizimet që iu bënë nga qeveria e Partisë Demokratike kompanisë çeke i kanë sjellë shtetit shqiptar një kosto prej 200 milionë dollarësh. “Dëmi i ardhur nga privatizimi dhe favori që iu bë CEZ-it nga qeveria “Berisha” nga viti 2009 deri në vitin 2012 është 200 milionë dollarë”, – u shpreh ministri Damian Gjiknuri.   

Më në fund foli edhe ministri i Energjitikës duke hedhur poshtë edhe akuzat ndaj kryeparlamentarit, akuza të sajuara me mjeshtëri mafioze nga qarqet e krimit në vend. Por kur doli nga mbledhja  e komisionit parlamentar dje pasdite u puth e shtrengua fort me ish-ministrin e Energjitikes të kohës së Berishës, Genc Rulin, që  ia dha KESH-in kompanisë çeke CEZ. Dhe sikur thonin të dy , edhe Gjiknuri e Ruli, se "ua hodhëm të gjithëve. Eurot i vërdallosim ne !".

Por Gjiknuri është një mjeshtër që  luan "poker" politik mirë. Mundet të ketë thënë disa të verteta mbrëmë, por  edhe të ketë hedhur gurin e ka fshehur dorën para disa javëve. Dikush thotë se ministri Gjiknuri është peng tek një ish-deputet, për diçka që ai e di, por nuk guxon ta thotë. Mundet!

Gjithsesi la të kuptojë se qarqet antiMeta duan që  shteti shqiptar ta humbasë gjyqin e ti ndajnë vetë 135 milionë eurot. 

SHKARKO APP