Ministri Manjani: Arrestoni ministra!

Nëse prokurorët kanë frikë nga zyrtarët e lartë nën hetim dhe nga krimi, nuk ka reformë që i bën derman drejtësisë. Ky ka qenë mesazhi që Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka dhënë dje për prokurorët e gjithë vendit në takimin e Unionit të Prokurorëve të Shqipërisë. Në kulmin e debatit për ndryshimet kushtetuese dhe reformimin e gjykatave dhe prokurorisë, Ministri Manjani tha se hetuesit nuk duhen të stepen në ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit. Ai kërkoi nga prokurorët që të jenë në lartësinë e detyrës dhe të zbardhin çdo dosje për zyrtarët që abuzojnë.

“Ftesa ime për shërbimin e prokurorisë ka qenë dhe mbetet e qartë. Zbardheni dosjen dhe bashkë me të dhëmbët çdo zyrtar që abuzon! Po, patjetër, ministër apo çfarëdo qoftë ai ose ajo! Ju lutem që brenda sistemit që është, jepini përgjigje proporcionale krimit, si në zyrën e shtetit dhe në rrugë”,- u shpreh Manjani. Në këtë pikë kreu i drejtësisë ka ftuar përfaqësuesit e organit të akuzës që të ndëshkojnë çdo zyrtar për të cilin ka të dhëna që abuzon, duke filluar që nga ai vet, si Ministër i Drejtësisë. “Krimi në rrugë dhe krimi në zyrën e shtetit duhet të ndëshkohet, nga unë i pari që po flas”,- deklaroi Manjani.

Arsyeja kryesore pse ndërkombëtarët insistojnë dhe po investojnë për reformën në drejtësi kë të bëjë me ndëshkimin e zyrtarëve të lartë. Deri më sot ka pasur të arrestuar për korrupsion zyrtarë të niveleve të ulëta, por jo politikanë dhe ministra. Arrestimi i tyre nuk ka ndodhur për mungesë akuzash, por për shkak të ndikimeve politike. Manjani u ka bërë thirrje dhe prokurorëve që të mos kursejnë askënd për ta çuar para gjyqit. Një vendosmeri e tillë ministrore, e cila duhet përkrahur, pasi edhe me këto ligje që kemi, nëse duan organet e drejtësisë i vendosin prangat kujtdo zyrtari apo politikani të lartë kur shkel ligjin.

Në fakt janë disa zyrtarë të lartë që janë në proces hetimi dhe që pritet të arrestohen. Bëhet fjalë për dy ish-ministra të qeverisjes së Partisë Demokratike, ndaj të cilëve ka më shumë se një hetim në proces. Akuzohen për korrupsion, shpërdorim detyre dhe për abuzime dhe me miliona euro. Pritet që gjatë javëve në vijim Prokuroria të kërkojë arrestimin dhe dërgimin për gjykim. Ndërkohë që abuzimet nuk mungojnë dhe nga radhët e zyrtarëve të qeverisjes aktuale. Prej disa muajsh prokuroria ka nisur hetimet për një ministër aktual të kabinetit “Rama”. Procedura e ndjekur për disa tenderë të dhënë muajt e fundit rezulton të jetë në shkelje të plotë ligjore. Prokuroria po heton edhe disa zyrtarë të tjerë të lartë për të cilët denoncimet publike dhe raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit tregojnë se kanë shkelur ligjin me të dyja këmbët.

Duket se jo rastësisht ministri Manjani ka zgjedhur të inkurajoj njerëzit që punojnë në sistemin e drejtësisë. Këto ditë po flitet më shumë se kurrë për ndërprerje mandati, shkarkime, emërime dhe lista gjyqtarësh dhe prokurorësh që do zgjidhen pas reformës në drejtësi. Krijimi i idesë së rokadës në institucione, natyrshëm mund të ketë sjellë dhe stepje në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve që punojnë sot në drejtësi. Në këtë mënyrë, ministri Manjani ka zgjedhur të rikthehet edhe një herë te njerëzit e drejtësisë duke u kujtuar se duhet të vazhdojnë punën dhe hetimin e dosjeve që kanë në proces. Reforma nuk mund të shkarkojë gjithë prokurorët dhe gjyqtarët. Një pjesë e madhe e tyre, që janë të profesionistë dhe të ndershëm do të jenë sërish ata që do hetojnë korrupsionin dhe veprat e rënda penale. Cilido që të jetë drafti i reformës që do miratohet, sërish njerëzit që do hetojnë dhe gjykojnë do jenë nga kjo trupë gjyqësore.

Por vendosmëria e ministrit të Drejtësisë është një sinjal se kur e kanë seriozisht zyrtarët e lartë për të ndëshkuar padrejtësitë, ato mund të penalizohen para drejtësisë e me drejtësi. Ylli Manjani që ditën e parë të punës ka qenë pro ndëshkimeve të çdo zyrtari që abuzon, vjedh apo përzihet në shkelje ligji. Në jo pak ditë të punës së tij ka larguar, penalizuar e ndëshkuar disa drejtues, të cilët kishin plot lidhje politike pas tyre, porse i ka larguar pa asnjë mëshirë apo droje.

Thirrja e tij publike drejtuar njërëzve të akuzës se arrestoni cilindo zyrtarë, ministër apo edhe më lart, që i takon edhe kryeministër, pra që merren me korrupsion, mbetet një kurajo e cila ia vlen të përkrahet e bëhet shembull.

SHKARKO APP