Mirësevjen zonja Merkel!
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:19
Nga Qamil Xhani.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të mbërrijë sot në Tiranë në një vizitë historike për marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Gjermania është vendi i parë që kur ende nuk kishte rënë komunizmi ka dhënë kontribut për zhvillimin e Shqipërisë. Në zhvillimet e 30 viteve të fundit ende quhet si “shansi i humbur gjerman” vizita e kryeministrit të Landit të Bavarisë, Franc Jozef Shtraus. Gjatë viteve 1984-1987, ai do të mbërrinte tre herë në Shqipëri, i mahnitur nga mundësitë që kishte ky vend për t’u zhvilluar, por edhe i befasuar nga drejtuesit komunistë të kohës që refuzuan me kokëfortësi plane miliona dollarëshe të ofruara nga qeveria gjermane për investime. Në ato vite, drejtuesit e partive komuniste nuk e njihnin fjalën ‘reformë’ dhe aq më pak, nuk e kishin idenë sesi mund të zhvillohej një vend duke hapur tregun. Në këto vizita vendi komunist që kishte kohë që vuante për ‘bukën e gojës” humbi shansin për të qenë një nga shtetet më të zhvilluarit në rajon. Pavarësisht kësaj, këmbëngulja gjermane për të pasur marrëdhënie normale mes dy vendeve bëri që në vitet 1988-1989 Shqipëria e izoluar të ketë një sërë marrëveshjes ekonomike me Gjermaninë.
Por në më shumë se 26 vite në Shqipëri ka ndryshuar shumëçka. Është ndryshuar sistemi komunist. Madje lidhja e marrëdhënieve me Gjermaninë mund të quhet si sinjali i parë i hapjes së Tiranës zyrtare me Perëndimin. Shqipëria është bërë vend anëtar i NATO-s dhe është në pritje për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.
Gjermania është një nga donatorët kryesorë të projekteve për zhvillimin e vendit. Investimet gjermane në Shqipëri në 25 vitet e fundit kanë arritur vlerën e 1 miliard eurove. Investimet e saj kanë rol pothuaj parësor dhe të gjitha qeveritë shqiptare janë munduar të kenë sa më shumë investitorë gjermanë. Por dëshirat nuk janë përputhur kurrë me kushtet e terrenit shqiptar. Pamundësitë kanë ardhur gjithmonë për shkakun tonë. Për biznesin e madh gjerman Shqipëria ka qenë një vend i pasigurtë për investime serioze për shkak të problemeve me sistemin gjyqësor, burokracitë dhe korrupsionin në institucione. Një shqetësim ky i shprehur disa herë nga diplomatët gjermanë në Tiranë. Vitet e fundit, garancia e shtetit për investimet serioze që ka qenë më e madhe. Ndaj dhe vizita e kancelares Merkel sot në Tiranë është një pikë kthese.
Por veç mesazhit për raportet dypalëshe vizita e Merkel ka simbolikën edhe për rolin e Shqipërisë në rajon. Gjermania është sot lokomotiva e Europës dhe Merkel cilësohet si Kryeministrja e BE. Në një union të drobitur nga kriza ekonomike dhe me paqartësi kur bëhet fjalë për vendime deçizive, gjithë Bashkimi Europian i ka sytë nga Gjermania. Kjo ka bërë që Zonja e Hekurt e të cilësohet si dhe “Kryeministrja e Europës”. Ndaj dhe zgjedhja e Merkel për të vizituar Shqipërinë i jep Tiranës zyrtare dhe qeverisë së sotme një imazh tjetër në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por nga ana tjetër, është dhe një sinjal për procesin e mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Vitet e fundit, Gjermania, si një prej vendeve kryesore të BE-së, e ka shtuar interesin për zonën e Ballkanit. Fakti që Shqipëria është një pikë kryesore e axhendës së Merkel tregon edhe për rëndësinë që ka Shqipëria në zhvillimet në rajon. Vizita ndodh një vit pas takimit të liderëve të rajonit në Berlin, ku Merkel paraqiti planin e saj për procesin e integrimit të gjithë Ballkanit Perëndimor. Një plan që këtë herë duhet trajtuar me seriozitet nga pala shqiptare, për të mos përfunduar sërish si një “shans i humbur gjerman”.
Sot zbret në tokën shqiptare Kryeministrja de facto e Bashkimit Europian.
Mirësevjen Merkel !