Monika Kryemadhi: Rama do iki me luftë

Opozita bllokoi dje për më shumë se dy orë qarkullimin e mjeteve në 4 akset kryesore rrugore të vendit. Protesta e organizuar në formën e një mosbindje civile kishte kryefjalë të saj lirimin e 11 të arrestuarve në Kukës, uljen e taksave dhe denoncimin e qeverisë për korrupsionin dhe krimin. E frymëzuar nga protesta e të shtunës së kaluar në Kalimash, ku qytetarët e Kukësit refuzuan pagesën e lartë të taksës, opozitarët zgjodhën të bllokojnë rrugët duke kërkuar dhe reagimin e qytetarëve.

Në të njëjtë orë kur qytetarët dhe drejtuesit e PD-LSI bllokuan rrugët, Partia Socialiste vendosi të zhvillojë e vetme seancën parlamentare. Opozita reagonte për taksat në rrugët, ndërsa Edi Rama fliste po për taksat në foltoren e Kuvendit. Ndërsa drejtuesit e partive opozitare sulmonin qeverinë dhe Edi Ramën, Kryeministri foli shumë pak për kundërshtarët dhe më shumë për motivet e protestës dhe njerëzit që kishin dalë në rrugë. Ndryshe nga retorika e javës së fundit, ku nuk hezitoi të cilësonte si barbarë protestuesit nga Kukësi që dogjën vendpagesën e taksës së Rrugës së Kombit, dje Rama ishte më i matur. Përveçse hodhi disa thumba ndaj opozitës, me qytetarët protestues dhe me sidomos me kuksianët bëri një hap prapa. Në foltoren e Kuvendit, kryeministri kërkoi disa herë falje për vendosjen e tarifës së Rrugës së Kombit. Kryeministri pranoi se qeveria ishte treguar e nxituar me vendosjen e taksës duke mos marrë parasysh banorët e zonës dhe kushtet e veçanta ekonomike në këtë zonë. “U kam kërkuar ndjesë publike banorëve të zonës dhe do ua kërkoj deri në fund, sa herë të flas për këtë temë, por jemi nisur thjesht nga praktika ndërkombëtare dhe duke qenë një eksperiencë e parë, nuk kemi qenë mjaftueshmërisht të përgatitur për çfarë mund të krijonte një risi e tillë nga pikëpamja psikologjike për njerëzit e painformuar sa duhet”,- tha kreu i qeverisë.

Kryeministri sqaroi se komunikimi i munguar me qytetarët për dobinë e mirëmbajtjes së rrugës solli reagimin e ligjshëm të banorëve të zones. Nga ana tjetër, kryeministri theksoi se do të bëhet çdo politikë lehtësuese për taksën, por është e pamundur që ajo që mos aplikohet. Duke renditur një sërë shifrash që kanë të bëjmë me mirëmbajtjen e kësaj rruge, kreu i qeverisë tha se nëse nuk paguhet për këtë taksë, brenda disa viteve rruga mund të dalë nga përdorimi. Kthesa  me 180 gradë dhe ndjesa e Edi Ramës dje në Kuvend  erdhi vetëm nga protestat e opozitës.

Duke parë suksesin e protestës së Kukësit, opozita bëri dje provën e parë në katër akset kryesore të vendit duke bllokuar rrugët. Seria e protestave do të vazhdojë. Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi dje se protesta e radhës do të jetë të martën. Nuk do të jetë vetëm në 4 rrugë, por në gjithë vendin dhe pritet të jetë më masive. Atë që Rama e quan ndjesë, Basha e cilëson si një taktikë, pasi ende nuk janë liruar 11 të arrestuarit e protestës së Kukësit. Ndërkohë bashkë me problemin e taksave, opozita PD dhe LSI rendisin edhe krimin, drogën, korrupsionin dhe mos arrestimin e zyrtarëve të qeverisë. Për Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin këto janë arsyet pse shqiptarët do të largojnë qeverinë.

Ndërsa dje në emisionin te Ylli Rakipi Monika Kryemadhi deklaroi prerë se “Kryeministri të ikë vetë dhe nëse nuk e bën është gjëja më normale për ta larguar me luftë. Unë do të ndjek popullin nga pas”.

Me sa duket do kemi muaj të tensionuar për qeverinë Rama.

Q.Xh.

SHKARKO APP