Mos e shit votën!
Nga Ilir Levonja
(Me rastin e 1 majit. Me fillimin e fushatës)
Ti qytetar që mendon se do heqësh emrin nga lista e shitores në lagjen tënde. Se do mbyllësh një hall. Ta dish, gabohesh. Një listë veresie akoma më e gjatë të pret nga muaji tjetër e në vazhdim. Ti qytetar që do të japin një drekë diku. Ti që ke gjithë jetën anëtar. Dhe gjithë jetën u ke trokitur në derë të afërmve të tu, fqinjëve. U ke kërkuar votën. Edhe pse në zgjedhjet e mëparshme e bërë. Dhe asgjë nuk more si shpërblim. Prapë një drekë me bretkosa do marrësh. Mos e shit votën për një grusht para. Nuk janë shpëtimi yt, por robëria. Personi që do t'i ofrojë, në emrin e tij, është i varuar nga dikush tjetër.Ai tjetri do t'i marri në dhjetëfish, në qindfish, në miliona. Nga tenderat për rrugën tënde. Nga demagogjia në shërbimin tënd. Ai do bëhet me vilën e tretë. Kurse ty do të vazhdojë të pikojë çatia. Ai do të çojë fëmijët për të studiuar jashtë shtetit. Kurse fëmijët e tu do vazhdojnë të ikin nëpër male refugjatë. Nëpër det me gomone. Nëpër dogana brenda mauneve. Ti qytetar që mendon se i zgjidhe hallet me një premtim. Se do marrësh një vend pune.Gabohesh. Ai vend ka për të qënë kërcënim. Lekët e paguara nuk do të arrijnë të zëvendësohen me rrogën e ulët. Dhe sigurisht që në një ditë, krejt papritur do të heqin. Dhe ti prapë do mbetesh borxhli. Dhe prapë do jesh pjesë e një sistemi. Ku ha njeriu njeriun.
Jo pjesë e qytetarisë. Dhe ti prapë do rrish në radhë, për të mundur atë që të mundi. Jo me meritë, por me intrigë.
Mos e shit votën tek një kryetar i ofruar. Jo i përzgjedhur. Ai nuk ka se çfarë të bëj për ty. Ai është nën urdhrat e padronit. Në një të ardhme të afërt, ti do jesh një spektator publik i luftës mes tij dhe padronit. Puna e përqindjeve në mes. Jo hallet e tua. Pra ishe, do jesh dhe do të mbetesh një spektator. Jo qytetar. Në të njëjtën kohë kur në vendet fqinjë, qytetari është qytetar. Pjesëmarrës. Dhe jo një i dënuar si spektator. Mos e shit votën tënde duke i besuar një premtimi për legalizimin e një trualli, një shtëpie. Kur ai dhe ajo janë shitur njëqind herë. Janë ndarë njëqind herë, janë kthyer në pasuri të pa luajtshme, po njëqind herë. Me vula dhe firma të rregullta. Nga e njëjta Gjykatë. Në të njëjtën zyrë kadastrale. Nga të njëjtët persona.
Shkurt mos e shit votën tënde për mish-mashin, sepse do bëhesh pronari i njëqind e një-t. I këtij mish-mashi. Mos e shit votën përpara atij kandidati, njerëz të të cilit mbajnë shënime kur ju flisni. Ta dini ato letra, ato blloqe, janë koshi i halleve tuaja. Hallet tuaja nuk kanë nevojë të mbahen shënim. Ato janë zhurmëkërcitës. Që në fytyrat tuaja që kanë disnivel të dukshëm me shëndetin e bardhë të kandidatit. Ndaj u thoni liderëve të rrinë larg pozave me ju. Përqafimeve…, mund të gërricin fytyrat e buta nga faqet tuaja të pa rruara. Kujdes pra nga pamjet me kalemxhinjë që bëhen figura të rëndësishme publike vetëm pse mbushin koshat me hallet e juaja.
Kujdes nga ata që e përdorin me kollajllëk mençurinë e viteve, thënien në gjindjen e shpirtit tuaj, se fjala vret më shumë se plumbi. Kujdes që të mos keni përjetësisht depresion. Ata do i përdorin fjalët tuaja thjesht për tu dhënë sa më shumë emocion fonive të markave të fundit. Steriove gjigante.
Një burrë shteti do i bjeri sërish gjoksit. Duke u përgjëruar mbi hallet tuaja që u kanë veshur me rrudha e pa rroje, kokë e këmbë. Të vdekurit tuaj, flenë veç. Veç edhe prej jush. Sheiku dhe katoliku jua bënë dymbdhëdhjetë shifror borxhin. Ta dini, i bie tashmë që edhe ata që do lindin në dymijë e pesëdhjetë e pesën, janë debitorë. Mos e shit votën në ke një fije respekti për veten. Për jetën tënde që i ngjan një fabrike të braktisur nga ndotjet radioaktive.
Ti që ofrohesh për një emër në listën e komisionerëve. Që mendon se të paktën të marrësh një shpërblim. Një drekë me bërxolla dhe turshi. Një premtim për një vend pune. Një premtim për të shënuar emrin diku. Sa për të marrë rrogën. Duke kujtuar se po ndihmon sado pak familjen. Aspak. Do luftojë yt bir, më keq nga ty. Do ketë yt bir një tashme në të nesërmen e tij, më të dhjerë se e jotja. Do të nëmi sysh. Do të nxjerri në punë. Ty që mendove se u torturove për 'të.
Mos e shit votën ti që mendon se duke marrë pak lekë fushate, mund të blesh ca vite pune në zyrat e pensionimit. Gabohesh, prapë sytë tek westerunion-i do i kesh. Një hall më shumë për fëmijën tënde. Një pleqëri me qera. Një pleqëri me reumatizëm kockash dhe shpirti.
Sepse një biznesmeni që ka një biznes, nuk i duhet Bashkia për ty. Por për biznesin.
Një qeveritar që ka dikasterin, nuk e do Bashkinë për ty. Por për partinë.
Sepse pavarsisht komunikimit, edhe politika ka brenda një mision. Kësisoj është botë e misionarëve. Me qëllime misionare. Jo përqindjesh. Një biznes që nuk i rri konform misionit të politikës për të drejtat civile, për të tashmen dhe të ardhmen qytetare, është shushunjë e politikës. Dhe normalisht mijra shushunjëza në trupat tuaj. A e dini, 95% e shqiptarëve punojnë sot pa të drejtat minimale të një punonjësi. Pa një orë pune të arshivuar. Pa siguracione jete. Pa…, çfarë të thuash më shumë. Zi e më zi bëhet. Kjo është e ardhmja. Ju do paguani sërish, zyra pensioni, që nuk ndajnë pensione. Ju!
Ti qytetar që mendon se vota jote është një thes miell. Jo është më e vlertë se edhe një vapor me miell. I cili është blerë me lekët nga përqindjet e tenderave publikë. Ti një thes miell do marrësh. Ata vaporët. Mos e shit votën për ricklimin e këtyre pa vlerave. Bëhu qytetar me shanse më të mëdha. Sepse ëndrra shohin të gjithë njerëzit. Kësisoj të gjithë e duan një shans. Kësisoj do kemi më shumë misionarë me projekte për hallet tuaja. Dhe më pak shushunjëza në trupin tuaj.
Bëhu qytetar dhe jepi udhë ndjesisë së shpirtit. Për më shumë misionarë. Jo nga ata që pozojnë për të treguar markën e kostumit, të orës apo xhelin e flokëve. Por ata me xhelin e rrudhave tuaja. Me parfumin e halleve tuaja. Ka kudo midis. Ka plot. Ju jeni vitalë. Nuk jeni shterpëzuar.
Mos ja jep votën atij që ka të drejtën të bëj tri lloje dasme për fëmijën, me miqtë e vet, me miqtë e vajzës, me miqtë e dhëndrit; tri lloj ditëlindjesh… Kurse ti, vazhdon me listat emërore, sa do më hedhi filani, sa do më hedhi fisteku. Duke thelluar brenda vetes tënde mendësinë e dorovitjes si një borxh. Dhe, ia feston ditëlindjen fëmijës tënde pa drita, me një tortë veresie. Bëhu qytetar, gjyko si qytetar, voto si qytetar…, që të rrosh si i tillë.