Mos u nervozo zoti Kryeministër !
Kryeministri Rama foli tek emisioni i Blendi Fevziut. Kush e ndoqi live vuri re një tension dhe nervozizëm të kryeministrit. Dhe shumë i kompleksuar nga pyetjet dhe akuzat e Fevziut për ligjin e plehrave. Zakonisht Edi Rama shquhet për batuta dhe përgjigje me sarkazëm kur e sulmojnë apo e pyesin, edhe gazetarët. Por tek Fevziu ishte një tjetër Edi Rama. A ishte i lodhur fizikisht nga puna e ditës apo nuk kishte argumenta logjikë për miratimin e ligjit problematik, kjo tregon se ky ligj ishte një gabim trashanik i tij që 9 muaj para zgjedhjeve kaloi një ligj të dyshuar se përse miratohet. Kryeministri ka nevojë të ketë keshilltarë e jo servilë. Ka nevojë ta keshillojnë se nuk ka nevojë të dalë nga 24 orë në 12 orë në televizion në një ditë, ka nevojë të keshillohet që të mos fyejë, edhe kur nuk e duron një media të caktuar, ka nevojë t’i thonë se kur bën gabim të pranojë gabimin e të tërhiqet. Edi Rama ka nevojë të mos dalë përditë në televizion si Saliu dikur, dukuri që dikur e sarkazonte me të drejtë.
Edi Rama ka nevojë të jetë ai, i dikurshmi që kur shkruante në “Koha Jone” kundër Saliut të I-rë, shkrimet e tij fotokopjoheshin se nuk kishte tirazh në treg, se përpihej nga lexuesi. Edi Rama nuk duhet kurrsesi të përdorë akuza të rënda, fyese, për median duke i quajtur “kazan plehrash”.
Edi Rama ka nevojë për pak pushim!