Mosndryshimi i kabinetit gabim madhor i Ramës

Shtatori ishte parashikuar si muaji i ndryshimeve në kabinetin qeveritar.  Ndryshimet u bënë, por vetëm në pjesën që i përket Lëvizjes Socialiste për Integrim. Edmond Haxhinasto dha dorëheqjen nga detyra e Ministrit të Transporteve me argumentin se do të angazhohet në detyrat partiake në LSI. Në vend të tij, Ministria e Transporteve do të drejtohet nga një tjetër përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sokol Dervishaj, drejtori i kabinetit të kreut të Kuvendit, Ilir Meta do të jetë ministri më i ri i kabinetit “Rama”.
Ndërkohë që pritej rokadë në radhët e ministrave të Partisë Socialiste, Kryeministria njoftoi mediat se nuk do të ketë ndryshme të tjera. Ç’ka nënkupton që, tani për tani, Kryeministri Edi Rama ka vendosur të mbyllë pjesën e mbetur të mandatit me po këta anëtarë të kabinetit. Edhe këtë herë Rama mendon se ndërrimi i emrave mund të dëmtojë cilësinë e reformave. Por ky është një gabim madhor i Ramës i përceptimit të opinionit publik për qeverinë e tij. Në fakt me mosndryshimin e emrave, kryeministri nuk po bënë gjë tjetër veçse po dëmton ato që ai quan reforma. Shtatori i këtij viti është mundësia e fundit që Partia Socialiste ka për të ndryshuar ritmin e punës së qeverisë. Çdo ndërrim që mund të bëhet pas disa muajsh nuk sjellë asgjë të re. Nga zgjedhjet e ardhshme na ndajnë më pak se 9 muaj. Ndryshimet që mund të bëhen më pas nuk kanë lidhje me reformat, por vetëm me fushatën elektorale. Më shumë se prurje cilësish të reja në qeverisje, në muajt në vijim do të ketë vetëm ruajte balancash dhe qoka që Rama do të bëjë me aleatët e rinj si PDIU apo deputetët e tij.
Por teksa Rama flet për reformat, sipas tij të suksesshme, në Partinë Socialiste ka jo pak deputetët që mendojë se ka ministra të PS që duhet të kishin ikur me kohë nga detyra. Edhe sipas vetë socialistëve, ka nga ata që jo vetëm janë të paaftë, por e kanë trashur zullumin me korrupsion që në vitin e parë në detyrë. Siç duket këta lloj ministrash tani nuk i tremben as Ramës, madje nuk kuptohet se kush kontrollon njeri-tjetrin. Rama ministrat apo disa ministra qeverisin Edin. Janë pikërisht ky model ministrash që tashmë janë fuqizuar aq shumë dhe kanë afruar rresh vetes lobe të fuqishme ekonomike, të cilët edhe Rama nuk i prek dot. Nuk guxon realisht ti prekë.
Por veç kësaj, Rama po tregon se nuk është i gatshëm të ndaj pushtet me të tjerët, përveçse me një grup të vogël në parti ose siç e quan Ben Blushi që “Rilindja ka pushtuar PS-në”. Në qeverisje prej tre vjetësh janë të njëjtët ministra, të cilët nëse kishin diçka për të dhënë në përmirësimin e vendit e kanë dhënë. Tashmë janë në fazën që llogarisin se çfarë do të bëhet me ta pas mbarimit të mandatit. Disa ministra të PS-së nuk e kanë mendjen fare tek puna shtetrore, por tek xhepat e tyre si dhe mendojnë se si të jenë deputetë radhën tjetër.
LSI-ja vendosi të lëviz ‘gurët’ e saj në kabinetin qeveritar. Jo vetëm shton pjesën e impulseve që e përmendin shpesh në këtë parti, por u jep mundësinë edhe figurave të tjera të saj që të promovohen në funksione drejtuese. Ndryshimet e emrave janë një mënyrë për tu treguar dhe të tjerëve në parti se nuk kanë lindur Ministra.
Tjetër strategji po përdor Rama. Po fuqizon vetëm disa emra të cilët mbahen mend vetëm për aferat e dyshimta dhe tenderët që kanë dhënë dhe jo për reformat. Po mban në detyrë disa ministra pa identitet, të cilët nuk dihet se kur ka qenë hera e fundit që janë parë në media për të prezantuar ndonjë nismë apo bilanc. Po mban ministra të cilët nuk janë në gjendje t’u përgjigjen vetë kritikave dhe akuzave të opozitës, por duhet gjithmonë t’i marrë në mbrojte Kryeministri. Mbi të gjitha, po mban ministra që në raport me premtimet që bënë para se të merrnin detyrën janë shumë larg nga realizimi i tyre. Qeveria “Rama” , siç thonë dhe vetë socialistët, është kthyer në një moçal me ujë të ndenjur ku nuk dëgjohet askush tjetër veç kryeministrit. Natyrisht që ka edhe ministra të PS-së që mbeten profesionalistë dhe shumë korrekt. Por pjesa tjetër e ministrave i përzien në moçalin rilindas dhe mbajnë erë paaftësie apo korrupsioni.
Për të gjithë këto arsye dhe të tjerat që qarkullojë në media për korrupsionin e anëtarëve të kabinetit, Rama duhet të kishte ndërruar disa emra. Të paktën dje që pati mundësi, nuk e bëri.
Dhe duket se nuk ka ndërmend ta bëjë këtë as në muajt që mbeten deri në zgjedhje.
 

SHKARKO APP