Mr. Trump please, help us!

Shqipëria është tronditur këto ditë nga faktet më komprometuese të lidhjes së krimit të organizuar me nivelet me të larta të politikës. Saimir Tahiri dhe zyrtarë të tjerë, në fund mund të mos kenë asnjë përgjegjësi penale për sa kohë gjykatat nuk kanë folur, por tashmë të gjithë po shohin se shteti shqiptar, në rastin “Habilaj” është vënë krejtësisht në shërbim të krimit. Bile në shërbim të bandave të drogës. Në çdo vend shteti ka mafie, ndërsa në Shqipëri mafia ka shtet!

Sado që konstatime të tilla mund të duken të njëanshme, zhvillimet që po ndodhin këto ditë nuk lënë asnjë hapësirë për të zbukuruar realitetin. Faktet janë para syve të gjithë shqiptarëve. Gjithë strukturat e shtetit, polici, dogana, radarë, etj janë kthyer në reparte mbështetëse për të lehtësuar trafikun e drogës. Për fat informacionet nuk po vijnë nga institucionet tona, por nga ndërkombëtarët dhe nuk i quajmë dot sajesa politike, siç e kemi zakon sa herë ndodhin ngjarje të tilla. Hetimi i autoriteteve italiane ka nxjerrë vetëm një pjesë të implikimeve të zyrtarëve dhe shtetit shqiptar. Hetimi nuk ka pasur qëllim policinë apo qeverinë shqiptare, por vetëm një bandë nga Vlora që bashkëpunonte me policinë dhe shtetin. Nëse përgjimet do të ishte ekskluzivisht për zyrtarët shqiptarë, ato që do lexonim do ishin edhe më tmerruese.

Mafia është në parlament, në qeveri, kudo. E tha edhe ambasadori amerikan Donald Lu se sa familje kriminale zotërojnë vendin. Dhe të gjithë janë të lidhur me politikanë dhe qeveritarë. Pra një shtet që është kapur në flagrancë me krimin, nuk mund ta luftojë më krimin. Sado të betohen sot qeveritarët se do bëjnë drejtësi, moralisht të gjithë sot janë zhytur në llum dhe batak. Kjo që po ndodh këto ditë ka ngritur pikëpyetje dhe për të ardhmen e reformës në drejtësi, ndaj zgjidhja nuk vjen më nga këtu dhe nga këta politikanë. Me këtë që po del në publik për lidhjet e ish-ministrit të brendshëm Tahiri me bandën Habilaj, tregon se qeveria ka rënë politikisht. Tregoi se zgjedhjet janë blerë me paratë e drogës. Kjo është e rëndë dhe shkatërruese për një shtet.

E vetmja shpresë është që ndërkombëtarët dhe konkretisht amerikanët të ndërhyjnë.  Krimi i organizuar  dha provën më të mirë se jo vetëm është afër politikës, por blenë zgjedhjet, përcakton deputetët dhe siç duket vendos edhe se kush do qeverisë vendin. Një shtet me dilema të tilla brenda vetes nuk mund të jetë për qytetarët dhe nuk u duhet as vetë ndërkombëtarëve. Ndaj zgjidhja finale duhet të vijë nga SHBA. Gërshetimi i krimit dhe politikës, ku nuk merret vesh nëse kemi zyrtarë apo kapo të mafies, kërkon një goditje të fortë. Kërkon një ‘uragan’ amerikan që mund të shkatërrojë  krimin që ka kapur majat më të larta. Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për disa “drurë të shtrembër” që prishin turrën e druve, por duket se gjithë “pylli” këtu ushqehet nga lënda e parë e krimit.

Pastrimi duhet të nis tani. Më vonë, çdo reformë dhe çdo aksion nga institucionet tona do të jetë i kompromentuar nga hijet e së shkuarës. Politika shqiptare ka provuar se është e aftë të sofistikojë lidhjet me bandat, por asnjë herë t’i luftojë ato deri në fund. Nuk duan dhe nuk mund t’i luftojnë, sepse tek e fundit politika dhe krimi këtu janë e njëjta gjë. Askush nuk beson më te drejtësia jonë, te qeveria dhe te opozita. Ndaj siç ndërkombëtarët bënë përgjimet dhe na i plasën në fytyrë gjithë të vërtetat, tani duhet të ndërhyjnë edhe për pastrimin e politikës.

Ambasada dhe ambasadori i SHBA në Tiranë kanë treguar se janë më të interesuarit që Shqipëria të jetë një demokraci me standarde. E bërë këtë me denoncime të forta, me emra dhe me akuza direkt ndaj politikës dhe drejtësisë. Është koha që tani një aksion i fortë nga SHBA të bëj ndarjen përfundimtare të krimit nga politika e niveleve të larta.

FBI nuk duhet të vonojë të mbërrijë në Tiranë!

Q.XH.

SHKARKO APP