Myrtaj dhe Veizi vriten përsëdyti!
Që në korrik 2014, nën presionin publik dhe të familjarëve të katër të vrarëve të 21 janarit 2011, qeveria “Rama” pranoi të ngrinte një komision për të dëmshpërblyer familjarët e viktimave të vrarë nga shteti në demonstratën e 21 janarit 2011, organizuar nga PS dhe Kryetari i saj Edi Rama. Dihet nga të gjithë se u vranë jashtë territorit të rrethimit të godinës së Këshillit të Ministrave dhe natyrisht që faji është i shtetit. A është faji i Gardës, i Policisë së Shtetit, i SHISH apo kujtdo të doni, në rastin e dëmshpërblimit financiar është shteti që përgjigjet. Dhe shteti ka qeverinë e saj, e cila ka buxhetin në dorë, pra ka paratë. Përpjekja për t’ia lenë herë Gardës, herë Policisë, apo sajesa të tjera tani që PS është në pushtet dhe ka mbaruar punë me përdorimin e demonstratës është një makabritet dhe një poshtërsi.
Ishte PS-ja që bërtiste dhe thoshte me të drejtë në janar 2011 e deri në qershor 2013 se “I vrau Qeveria!” dhe sapo zuri bythën në karriget qeveritare harroi të sjellë drejtësinë. U vendos nga një tufë lulesh çdo përvjetor, “përlotet” Kryeministri Rama kur ka interes politik dhe sapo puna shkoi në prill të këtij viti në Gjykatën e Administrative të Apelit nga familjarët e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit që të merrnin dëmshpërblimin financiar nga Shteti, atëherë qeveria shpiku një teori të re. Nxori Gardën për të thënë se nuk e kemi ne fajin, por Policia e Shtetit. Pra, lojë fjalësh që të humbitnin në Gjykatën e Apelit, gjyqin dy familjet. Bile, më keq kur Garda e varur nga pushteti i Ramës tha se: “Garda u detyrua nga presioni dhe stresi të përdorte armët e zjarrit pas shpërthimit të portës hyrëse”! A ka më turp?! A ka më sarkazëm therëse ndërkohë që, para 23 qershorit 2013 bërtiste Rama se, “do të ndëshkojmë vrasësit e 21 janarit”? Nëse drejtësinë e paska nën kontroll akoma Berisha, siç thotë PS-ja, atëherë pse Qeveria nuk nis me shkrim në gjykatë siç ka faktet dhe bindjet politike (para qershorit 2013) se fajin e ka shteti shqiptar dhe se do të pranojë çdo vendim dëmshpërblimi nga Gjykata për familjet që kanë bërë padinë? Apo ka frikë se dëmshpërblimi mund të jetë në miliona euro?! Apo nëse e pranojnë këtë fakt që është publik dhe e kanë thënë vetë publikisht mundet që Gjykata e Strasburgut t’i japë miliona euro familjarëve të vrarë nga shteti?
Më 21 janar 2011 duheshin Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Aleks Nika, ndërsa tani që kanë marrë pushtetin nuk iu hyjnë më në punë ! Edhe këto ditë ka segmente qeverisëse që kërkojnë që shteti të mbajë përgjegjësinë dhe t’i dëmshpërblejë, por duhet me vendim gjykate e jo me copa letrash apo me ca lule në përvjetorë. Qeveria duhet të firmos e vulos se ishte shteti që i vrau dhe duhen dëmshpërblyer familjet e viktimave të pafajshme.
Gjyqi civil në Gjykatën Administrative ende nuk e ka dhënë verdiktin, por Qëndrimi i Gardës së Republikës dhe Avokaturës së Shtetit, që varen direkt nga Qeveria është një “vrasje” e dytë për viktimat. Sidomos Avokatura e Shtetit, e cila merr urdhra direkt nga Kryeministri. Janë të njëjtët përfaqësues në qeveri, që dje kur ishin në opozitë thirrën qytetarët në protestë. Tashmë nuk janë më viktimat, por u japin indirekt të drejtë vrasësve. Ka dhe një argument idiot, që sipas avokatëve të familjarëve është përdorur nga përfaqësuesit e qeverisë për dëmshpërblimin. Sipas zyrtarëve, dëmshpërblimi duhet të kërkohet jo te shteti, por personalisht të punonjësit e gardës. Ky nuk është vetëm një lapsus, por edhe karagjozllëk ligjor, sepse dihet që gjithmonë paditet institucioni dhe jo individi. Me këtë logjikë të juristëve të qeverisë i bie që nuk ishin vrasje shtetërore, siç thotë edhe Kryeministri Rama.
PS-ja ka një problem moral me veten. Për të ardhur në pushtet përdor çdo mjet që të hipë mbi kalin e pushtetit. Në fushatë flet, premton, betohet për ligj, shtet etj., etj., dhe sapo kap karrigen e Qeverisë turren të mashtrojnë, kthejnë shpinën, bëjnë sikur nuk të njohin, vrapojnë për të përlarë sa më shumë euro, prona. Dhe kthehen në të rrezikshëm sepse nuk duan të lëshojnë pushtetin. Harrojnë mbështetësit, harrojnë çfarë kanë thënë dhe mblidhen në bregdetin e jugut duke numëruar paratë e pronat e fituara gjatë qeverisjes. Kurse PD-ja ka të njëjtin kriter, ndonëse në raport me militantët e saj është më korrekte. Por asnjëra, as PS e as PD, nuk janë korrekte me ligjin, me shqiptarët. Ndaj ka ardhur koha, madje ka kaluar, për formacion apo lëvizje të re politike që të rrëzohet e ndëshkohet kjo dyshe e rrezikshme PD-PS.
Spiten Prulli