Na thoni cilat janë tre variantet për nenin 88, zoti Lu?
Pasi kanë dështuar të gjitha negociatat mes PS dhe PD për gjetjen e konsensusit, Ambasadori Amerikan, Donald Lu ka vendosur t’u drejtohet qytetarëve dhe kryesisht të rinjve. Në një letër publike, ai fton të rinjtë që të ngrenë zërin dhe të kërkojnë nga politikanët votimin e reformës në drejtësi. Për herë të parë në mesazhin e tij, Lu ka publikuar dhe një datë se kur duhet të miratohet reforma. Procesi i votimit është caktuar në datën 21 korrik. Asnjë ditë më vonë. Ky është urdhër për politikanët shqiptar nga ambasadori amerikan. Në mënyrë direkte ai u kujton kryetarëve të partive se askush prej tyre nuk mund të dalë kundër qytetarëve shqiptarë.
Por veç kësaj në komunikimin me letër publike të ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu duket hapur gjuha e ashpër e përdorur ndaj klasës politike shqiptare. Amabsadori tregon disa detaje nga negociatat me PS dhe PD. Hapur Lu shprehet dhe nuk e fsheh inatin që opozita ka përdorur çdo justifikim për të mos e votuar reformën. “Është e vërtetë që Z. Rama dhe Z. Basha u përpoqën ta bënin këtë më 6 qershor. Ata dështuan në arritjen e një marrëveshjeje. Tre herë që prej 4 majit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë ofruar propozime të arsyeshme kompromisi. Mazhoranca i ka pranuar këto propozime. Z. Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar”,- shprehet ambasadori Lu, duke lënë të kuptohet se pengesa ka ardhur nga ana e opozitës. Në mënyrë të qartë ai thotë se qytetarët janë lodhur duke parë politikanët që bëjnë lojëra. Por duket se nuk janë lodhur vetëm qytetarët, por edhe ndërkombëtarët që kanë qenë pjesë e këtij procesi. Ambasadori Lu sugjeron se zgjidhjet për neni 88 të Komisionit të Venecias janë dhënë disa herë dhe palët politike duhet të zgjedhin mes tyre, ose një formulë tjetër, por në fund kompromisi duhet të arrihet patjetër. Diplomati amerikan kërkon nga klasa politike që të lënë lojërat politike dhe të shkojnë drejt miratimit të reformës.
“Mendoj se populli shqiptar është i lodhur që politikanët e tij bëjnë lojëra. Nëse opozita dhe qeveria duan të realizojnë një marrëveshje, ne u kemi ofruar tre zgjidhje kompromisi që janë tërësisht në përputhje me paragrafët 61 dhe 88 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias. Politikanët nuk është e thënë të marrin idetë dhe sugjerimet tona, por ata duhet ta gjejnë kompromisin”,- shkruan Ambasadori Donald Lu.
Në mënyrë të hapur Lu deklaron se politikanë kanë frikë nga kjo reformë. Ndaj kërkon që deputetët të votojnë në mënyrë individuale në datën 21 korrik. “Nga ana tjetër, ndoshta udhëheqësit e partive politike të Shqipërisë kanë frikë nga kjo reformë dhe nuk janë të gatshëm të bëjnë asnjë marrëveshje. Në këtë rast, u bëj thirrje anëtarëve individualë të Kuvendit që të marrin përgjegjësinë për të votuar në favor të kësaj reforme. Votimi është planifikuar për datën 21 korrik. Është koha për të vendosur”,- shkruan diplomati amerikan. Bile njoftohet se me datë 10 korrik do të vijë për këtë punë personalisht Zëvendës/NdihmësSekretarja amerikane Viktoria Nuland. Duket se SHBA po bën presion hapur.
Thirrja për votim personal bëhet për herë dytë nga Ambasada Amerikane. Ndërkohë që opozita ka deklaruar se do të ketë vendim politik për mosvotim nëse nuk ka konsensus. Apeli i ambasadorit është thirrje e hapur që deputetët e PD-së të mos ndikohen nga vendimet e partisë, por të votojnë në mënyrë individuale “pro” kalimit të reformës. Por përveç datës së reformës në qëndrimin e Ambasadorit Lu ka dhe një detaj mjaft të rëndësishëm. Ai flet për tre propozimet që janë dhënë për nenin 88 të Komisionit të Venecias, të cilat janë pranuar nga Edi Rama dhe janë refuzuar nga Lulzim Basha.
Pra nga PD dhe PS dihet këto këto variante për nenin 88, por opinioni punlik nuk ka asnjë informacion se cilat janë tre propozimet. Ndërsa kërkohet një reagim publik për mos votimin e reformës në drejtësi do të ishte më e udhës që qytetarët të dinin se cila janë tre shanset për kompromis që janë hedhur poshtë nga palët. Një transparencë e tillë nuk e dëmton procesin. Përkundrazi do i bënte qytetarët më të përgjegjshëm në reagimin e tyre ndaj palës që ka refuzuar, konkretisht Partisë Demokratik. Sondazhet tregojnë se janë mbi 91 për qind e shqiptarëve që mbështesin reformën në drejtësi. Në respekt të kësaj mbështetje PS- PD dhe vetë ndërkombëtarët që janë pjesë e procesit duhet të tregojnë se ku kanë mbetur peng negociata.
Pra të tregohen hapur publikut se cilët janë tre varianetet për nenin 88. Kur duan transparencë nuk kanë pse ofrojnë variante fshehur për kompromis dy partive kryesore, pasi bie paksa erë pazar vetëm që reforma të kalojë në parlament. Reforma nëse bëhet siç thuhet për qytetarët atëhere ka nevojë të njoh populli variantet e ofruar nga SHBA dhe BE.
Jo fshehur, por hapur. Më pas populli gjykon edhe me votë. Por absurde është se për nenin 88 të mbetet populli varur nga pazaret PS dhe PD.
Nxirrni tre variantet në publik për kompromis !