Ndodhi ajo që nuk pritej, gjyqtari Selimi akuzon KPK dhe braktis Vettingun
Shkëlzen Selimi, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, ka dalë sot në ora 11.00 para Vettingut. Me emrin e tij janë lidhur dosje të mëdha, si Gërdeci, Aldo Bares, Mark Frrokut, etj. Ai është akuzuar nga mediat kryesore në vend për lidhje me krimin,etj.
Gjyqtari Selimi është futur në seancën dëgjimore pa avokat pasi do të mbrohej vetë. Kështu deklaroi ai para medias dhe KPK-së në sallë.
Seanca dëgjimore ndaj gjyqtarit nisi në orën 11:00 në KPK. Trupa gjykuese e tij përbëhet nga Xhensila Pine, Etleda Çiftja dhe Valbona Sanxhaktari.
Me pas media është nxjerrë jashtë me kamerat, por gazetarë pa mjete incizimi kanë qëndruar brenda. Mësohet se ka nisur me sherr dhe zjarr debati mes KPK dhe gjykatësit të lartë Shkëlzen Selimi. Ky i fundit ka akuzuar KPK si përgjegjëse për nxjerrjen e të dhënave personale në media, duke iu drejtuar ONM që të hetojë pikërisht KPK.
“Përmes komunikimit publik me është bërë me dije përbërja e trupës gjyqësore. Dhe unë kam shprehur konsideratën për të tre anëtaret e KPK. Por nisur nga faktet që kanë ndodhur rishtaz dua të nisë hetimi disiplinor ndaj trupës sepse në TCH dje është transmetuar një kronikë ku jep të dhëna sensitive. Unë kërkoj pezullimin e seancës dëgjimore sepse do i kërkoj ONM të nisë procedure disiplinore sepse janë përdorur të dhëna konfideciale. Unë dyshoj se këto te dhëna i janë shitur këtij TV dhe mendoj se ky TV ka shkuar me tej sa të ndikojë në këtë proces”- ka deklaruar gjyqtari.
Këtu sherri ka vazhduar edhe me shumë, sepse KPK ka insistuar të vazhdojë seancën me relacionin, por Shkelqen Selimi ka braktisur mënjëherë seancën. Ai është larguar në mënyrë demonstrative, ndërkohë KPK-ja vazhdon, edhe pa praninë e tij.
Në vijim të procesit KPK renditi edhe një serë emra përveçse atij të Fero Dervishajt, si person i papërshtatshëm i lidhur me krimin.
“DSIK dërgoi raport ku rezulton se Shkëlzen Selimi ka pasaktësi në kontrollin e figures. Gjyqtari nuk ka deklaruar kontakte të papërshtatshëm me subjekte të krimit të organizuar”, u lexua në seancën dëgjimore të KPK, në raport thuhet më tej se -“DSIK deklaron se disponohen të dhëna për veprimtari të paligjshme për afera korruptive”.
“Nga verifikimi në sistemin tims rezulton se Shkëlzen Selimi kishte udhëtuar disa herë me F.d (Fero Dervishaj), i cili ka patur disa here probleme me policinë dhe në një rast ka qenë nën masën arrest me burg”, u deklarua më tej në gjetjet e KPK, e cila e vlerësoi si kontakt të papërshtatshëm shtetasin F.D.
Një tjetër kontakt i papërshtatshëm nga gjetjet e KPK-së është edhe shtetasi A.I, Arben Isufaj, apo siç njihet ndryshe “Ben Qifja”.
“Vëzhguesi ndërkombëtar ka zbuluar se në bazë të informacioneve nga burimet e besueshme të qeverive të huaja, ka prova që tregojnë se Shkëlzen Selimi është përfshirë ne kontakte të papërshtatshme të drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta me një person me inicialet A.I i njohur me nofkën e tij”, deklaroi KPK.
Nuk dihet se cili do jetë vendimi i KPK, por ky është rasti i parë kur një gjyqtar shkon, akuzon dhe ikën.