Ndryshime në Qeveri, ikën Majko dhe shumë ministra
-Zv/kryeministren Senida Mesi po e piketon si kandidate për kryetare bashkie në Shkodër, kurse Pandeli Majkon si kandidat në Korçë për kryetar bashkie.
-Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë paralajmëruar se në vjeshtë do të rrëzojmë kryeministrin dhe se nuk i duhet popullit arnimet që mund të bëjë Edi Rama në qeveri për interesa të oligarkëve.
Burime të besueshme tregojnë për “Koha Jone” se kryeministri Edi Rama e ka vendosur përfundimisht ndryshimin e kabinetit të tij qeveritar. Nuk ka asnjë hezitim te Edi Rama. Ndërkohë opozita kërkon kokën e kryeministrit dhe jo ndryshime apo arnime në qeveri.
Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë paralajmëruar se në vjeshtë do të rrëzojmë kryeministrin dhe se nuk i duhet popullit arnimet që mund të bëjë Edi Rama në qeveri për interesa të oligarkëve.
Nga ana e tij Edi Rama, pas ngritjes së tensionit politik në vend si dhe duke ditur se vjeshta do jetë e nxehtë dhe me përplasje të forta me popullin opozitar ka piketuar ndryshime të reja rrënjësore në kabinet. Kur themi ndryshime rrënjësore puna arrin se mund të largojë 2/3 e qeverisë. Sipas burimëve mbeten prapë në qeveri vetëm Fatmir Xhafa, Ditmir Bushati, Ogerta Manastirliu, Olta Xhaçka, Niko Peleshi dhe mundet Damian Gjiknuri, të cilin e ka të sigurtë si person për lidhjet në SHBA. Lindita Nikollën dhe Blendi Klosin, do ti kthejë në krye të fushatës elektorale për fushatën zgjedhore, pasi të dy Rama i quan njerëzit e punës në PS. Dy nga emrat në kabinet, Zv/kryeministren Senida Mesi po e piketon si kandidate për kryetare bashkie në Shkodër, kurse Pandeli Majkon për kandidat në Korçë për kryetar bashkie. Kryeministri synon të marrë për herë të parë bashkinë e Shkodrës, ndaj e ka piketuar largimin e saj që tani pasi duhet të merret me fushatën në Shkodër. Ndërsa Pandeli Majkon, pas incidentit që ai i bëri me mosvotimin e ligjit për Teatrin, e ka ndarë mendjen që ta largojë sa më larg selisë së PS-së. Duke i ofruar Korçën, dhe nëse ai nuk e pranon, e ka më të lehtë ta largojë edhe nga PS. Pandeli Majkon e shikon edhe si rival për kryeministër, pasi opozita ka dërguar sinjale mirëkuptimi ministrit Majko dhe e ka shpallur si “kryeministër hije”, kur të rrëzojnë Ramën me protesta gjatë kësaj vjeshte.
Por mësohet se do të rikthehet në qeveri ish-ministri i financave, deputeti Anastas Angjeli. Ai mbahet mend si një nga ministrat me profesionistë në PS. Ndërsa gjithë ministrat e tjerë do ti propozojë nga radhët e shoqërisë civile, profesionistë si dhe që kanë afërsi shpirtërore e ideologjike me Rilindjen. Burimet thonë se vetëm Endri Fuga dhe Engjellë Agaçi, sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë, janë në dijeni të emrave që rrotullohen në tavolinën e kryeministrit. Në ministrinë e Diasporës do të sjellë një shqiptaro-amerikan nga Nju Jorku, të cilin e ka takuar gjatë vizitave në SHBA. Në krye të ministrisë së kulturës përflitet emri i një aktori të njohur që javët e fundit ka kaluar me kampin e Erion Veliajt për çështjen e shumëpërfolur të godinës së Teatrit Kombëtar. Emërimi i tij do jetë edhe për sfidë ndaj pjesës tjetër të artistëve, të cilët protestojnë dhe nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre për ruajtjen e godinës historike. Te ministria e arsimit vjen një ish-studente që ka mbaruar në Universitetin e Harvardit në SHBA.
Ndërkohë ministri i brendshëm mbetet i blinduar në qeveri, aq me tepër që pala amerikane dhe ajo gjermane duken stoike në raport me Ministrin Xhafaj.
Arta Marku