Opozitë! Ndrysho strategjinë dhe njërëzit. Ndryshe e humb 2017-ën !
Bashkia e Kolonjës do të drejtohet sërish nga e majta. Kandidati i Partisë Socialiste Ilia Stefo u shpall dje fitues përballë kandidatit të opozitës Dritan Hajro. Konkretisht, kandidati i propozuar nga koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” mori 5136 vota ose 62.86%, ndërsa kandidati i propozuar nga koalicioni i djathtë, “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet” ka marrë 3035 vota ose 37.14%.
Fitorja e radhës për koalicionin e majtë u prit me entuziazëm në selinë e Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama e cilësoi si një sukses dhe përgjegjësi më shumë për mazhorancën. Vetë kandidatët, pavarësisht disa incidenteve ditën e votimit dhe pretendimeve për blerje të votave, të gjitha debatet i mbyllën me shtrëngimin e duarve. Kandidati i opozitës që garoi për Partinë Agrare Ambjentaliste edhe pse humbës, i uroi fitoren rivalit që mori rreth 2100 vota më shumë. Me këtë gjest, sado ku çështja e blerjes apo vjedhjes së votave të shtrohet për diskutim, ajo tashmë nuk ka më vlerë. Palët në garë e çertifikuan rezultatin e zgjedhjeve. Çështja e parregullsive nuk është një debat që mund të diskutohet më, siç ndodhi me Dibrën.
Në këto zgjedhje ia vlen të diskutohet roli i opozitës dhe i Partisë Demokratike. Është nga ato raste kur humbja e një bashkie nuk është thjesht humbja e disa vendeve pune në administratë, por shumë më tepër. Është humbja e opozitës si alternativë dhe si forcë që synon një ditë të qeverisë vendin. Zgjedhjet lokale të vitit 2015, zgjedhjet në Dibër dhe dje në Kolonjë janë seria e dështimeve elektorale të Partisë Demokratike. Kaq shumë humbje për një opozitë që thotë se vendi po qeveriset më keq se kurrë në 26 vjet, janë pak me tepër se shumë. Opozita ka nevojë të shikojë mënyrën e të bërit opozitë.
Moralisht humbja e Kolonjës ka rëndësi dhe për faktin se asnjë nga tezat e opozitës nuk po ngjitin tek votuesit. Numerikisht humbja e fundit është edhe më hidhur. Në zgjedhjet e vitit 2015 kandidati i së majtës në Kolonjë fitoi vetëm me 700 vota. Dje kandidati i majtë fitoi me më shumë se 2000 vota. Pyetja që askush nuk i jep përgjigje sot në Partinë Demokratike është sesi ka mundësi që në një vit opozita jo vetëm nuk u rrit elektoralisht në Kolonjë, por humbi edhe 1300 vota të tjera. Është një shifër që duhet të kishte vendosur në alarm gjithë strukturat e PD-së në Tiranë, por edhe deputetët e saj që mbulojnë Qarkun e Korçës. Rezulton që demokratët nuk kanë dalë në votime ose ata që kanë marrë pjesë kanë votuar për kandidatin e majtë. Sinjal alarmi për një forcë politike nuk mund të ketë më shumë se kaq.
Një argument që jepet nën zë është se kandidati nuk ishte direkt i PD-së, por i Partisë Agrare Ambientaliste. Sigurisht që kjo është e vërtetë, por në garë ishin dy koalicionet; e majta dhe e djathta. Jo dy parti. Para se të jetë humbja e PAA është mbi të gjitha humbja e PD. PAA e Agron Dukës dha maksimumin ku mund të jap një forcë e vogël politike. Ishte Agron Duka që bëri supërfushatë në Kolonjë, por duket se inati i elektoratit nuk kishte të bënte me PAA, por vetëm me PD. Kreu i saj, Lulzim Basha shkoi vetëm një herë në fushatë, një ditë para zgjedhjeve. Deputetët që duhet të koordinonin strukturat e PD-së, Ridvan Bode dhe Edi Paloka shkuan në fushatë vetëm sa për të shënuar emrin duke e lënë çdo gjë në dorë të strukturave lokale dhe partisë aleate. Ndonëse për të qenë realistë nuk është faji i Palokës dhe Bodes. Është lidershipi. Ai duhet të ndryshojë krejt strategjinë e opozitës. Lulzim Basha mbetet lider europian, por duket se ka nevojë të jetë me i hapur me shoqërinë civile që ta ofrojë për të krijuar FRONT kundër qeverisë. Intelektualët dhe njërëzit publikë nuk vijnë për të marrë teserën e PD-së në këtë FRONT, por për të patur besim se do kemi qeverisje tjetër. Krejt ndryshe nga mandati i PD-së 2009-2013 dhe nga ky i Ramës 2013-2017.
U bënë shumë humbje në PD pas vitit 2013. Ndaj analiza nuk bëhet duke u mbyllur në selinë e PD-së, por duke hapur dyert e PD-së ndaj shoqërisë. Nuk bëhet me disa ish-ministra të PD-së që sa herë i shikon elektorati, e bën popullin të votojnë qeverinë e sotme.
Ndrysho Opozitë! Ndryshe prano Edi Ramën dhe mos u qaj edhe katër vite të tjera.