Në 7-vjetorin e tij, Leo kërkon ndihmën tonë
“Funny world”, shkruhet në bluzën e Leos, që ditën e djeshme mbushi aq sa operacione ka në trup, 7 vjeç. Ironike dhe e dhimbshme, teksa bën një paralele mes botës së luksit, indiferencës së tyre dhe skamjes së familjes së tij, të cilët qëkur e kanë sjellë në jetë, vetëm rendin drejt spitaleve me xhepat e pantallonave, astar përjashta…
E tillë ndoshta dukej dje bota për Leon, teksa gjendej i rrethuar nga dashamirës të shumtë, të njohur, apo të panjohur, mes tyre edhe ne si staf i gazetës “Koha Jonë”, që patëm dëshirën, pse jo dhe fatin, të shihnim sesi sytë e tij rrëzëllinin mes një vale të pamatë gëzimi. Tej ngashërimit dhe lotëve të një nate më parë, përmes të cilëve ai pyeste vazhdimisht prindërit se, përse “e kishin gënjyer kur i patën premtuar që kur të mbushte 7 vjeç do ishte i shëruar …” Leo dje qeshte. Edhe pse nëna e tij fshihej pas shpinës së të birit duke qarë!
Por mesa duket, rrezet e para të mëngjesit të 7-vjetorit ia fashitën ato lot ndër faqe, së bashku me befasinë e organizimit special të ditëlindjes së tij nga agjencia e eventeve “ForParty – Festa për Fëmijë”, por edhe nga shumë njerëz të tjerë që e surprizuan në ditën e tij speciale. Një ditë, e cila teksa kalon gëzueshëm mes notave të ëmbla të sinqeritetit të një fëmije, i cili ende nuk mundet të ecë, e afron edhe më shumë kalendarin drejt datës 10 gusht, momentit deçiziv kur Leos i është përcaktuar edhe afati i kryerjes së operacionit final. Pas të cilit, (gjithmonë nëse do të mund të sigurohen 40 mijë euro), Leo do të ngrihet nga ajo karrige, ku mban ende pezull ëndrrat dhe dëshirat e tij…
Le të shpresojmë pra, se kjo do të bëhet e mundur me ndihmën e të gjithëve. Duke kontribuar sadopak në shterjen e lotëve të nënës së tij dhe pse jo, të një “funny world” për Leon…