Ne kishim një sulltanat. Vallë përsëri?
Nga Frrok Çupi
Presidenti i Turqisë, Erdogan, erdhi, foli dhe shkoi.
Tha se do të linte dy a tri qese me mexhitë, në një xhami fshati porositi edhe që "të silleni mirë", inauguroi xhaminë e Namazgjazë dhe shkoi.
Po, harrova: Tek po shkonte shkarkoi një barrë të rëndë nga barrët e veta që po e mbante mbi shpinë që nga viti 1974. ( Një barrë si shpata e vjetër e personazhit të Franc Kafkës. Një shpatë mes lëkurës dhe kockës, që kudo ku shkonte e mbante mbi qafë).
Rexhep Taip Erdogan, që kur krijoi Partinë e re me të cilën sot kalëron në pushtet, mban në kurriz barrën e një miku të vet, një miku armik që quhet Muhamet Fetullah Gulen. Vit pas viti, "sulltani" i ri Erdogan, thellonte armiqësinë me mikun e tij. Derisa Gulen u arratis dhe mori azil të vet-imponuar në Pensilvania në Shteteve të Bashkuara ku jeton edhe sot. Vit pas viti Gulen u shfaq më opozitar ndaj Erdogan. Derisa në vitin 2014 kur u zhvilluan zgjedhjet presidenciale në Turqi, Gulen kandidoi që t'i zinte vendin kryeministrit që po bëhej president. Ky ishte edhe mëkati i madh i turkut që kishte qenë mik i "sulltanit". Pushteti i të Naltit nuk mund të merrej as me votë…
Erdogan, teksa po vinte apo po linte Shqipërinë, shkarkoi shpatën që mbante dhe tha: "Kudo që ta shikoni të mallkuarin Gulen, ndiqeni me gurë, vriteni se…, para u jap sa të doni". Fjalë për fjalë, presidenti i Turqisë tha se "Lëvizja Gulen është lëvizje terroriste, prandaj shembni shkollat që janë ngritur në Shqipëri". "Sulltani" Erdogan, brenda një sekonde, njoftoi botën se zbuloi terrorizmin e vërtetë, ky ka emrin Gulen. Njësoj si të dilte nga sulltanati, në jerm, të shfaqej diku në brigjet e Bosforit dhe t'i lëshonte haber botës: "Eeeej, Gulen është terrorizmi. Digjni librat e shembni shkollat". Njësoj si të dilte nga sulltanati i vdekur prej dyqind vjetësh. Përpara nuk kishte as Amerikë, as NASA, as kibernetikë, as regjimin e ri që quhet Demokraci, as shtete indipendente në vend të hartës së Otomanisë.
Sulltani emëroi Terrorizmin me dorën e tij. Dhe terrorizmi ka emrin e kundërshtarit politik. Mu duk se imperatori otoman i ri nuk kishte as pikën e nevojës që ta bënte këtë që bëri mes nesh dhe para Botës. Ne e dimë përmendësh këtë intrigë. E dimë dhe e kemi provuar në kurrizin tonë, secili me shpatën e vjetër të Kafkës mes lëkurës dhe kockës. Ne këtu kishim një sulltanat që emëroi armiq e vrau armiq e burgosi armiq për 45 vjet. Njësoj si Erdogan, nuk guxoi njeri që të shfaqej si një opozitar i sulltanatit komunizëm. Komunizmi kishte edhe një strehë të vogël në formën e sulltanatit që quhej Bllok. Në bllokun enverist të Tiranës thureshin intrigat, aty ziheshin gratë dhe shkaktonin përgjakje burrash të nesërmen, aty u vra kryeministri "Gulen" Mehmet Shehu, aty u urdhërua vrasja e të gjithë intelektualëve të shkolluar në Perëndim, aty shfaqej diktatori në ballkonin e shtëpisë dhe urdhëronte "ki m… m… që po kalon para shtëpisë sime të burgoset e të pushkatohet". Aty në atë sulltanat ndodhi incesti dhe bastadri.
Ne e kishim sulltanatin që i therte të gjithë "Gulenët" sapo shfaqeshin në vezë. Gulen, armiku real i Erdogan, ka mundësi më shumë se opozitarët e Enver Hoxhës. Ky të paktën ka krijuar një Lëvizje me emrin Hizmet (shërbim- në shqip) dhe ndërton shkolla. Ky e ka mundësinë që jeton në Amerikë ku Erdogan mund të hyjë veç me leje.
Ndërsa opozitarët në Shqipëri nuk guxuan të lindnin nga barku i nënës. Erdogan sapo ka dalë nga sulltanati i para dyqind vjetësh dhe nuk i di këto. Ndoshta nuk e di se në vitin 1967 sulltanati i Tiranës i shkatërroi gjithë institucionet e armikut Zot, Krisht e Muhamed. Dogji të gjithë librat e armikut Fe dhe të gjithë librat e shkrimtarëve e filozofëve të ndaluar. Kur Erdogan na thotë ne që të djegim shkollat e kundërshtarit politik, nuk na ka thënë asgjë të re. Sulltanati komunist i Shqipërisë nuk la pa djegur asnjë njeri opozitar. Edhe tokën ku mund të mbinte ndonjë ide opozitare.
… Po pse vallë nuk u kursye sulltani i ri me fjalët kundër demokracisë dhe lirisë së njeriut? A nuk e dinte ai se çfarë ndodh rreth vetes dhe rreth nesh? Apo pikërisht pse e dinte?… Gjithë bota e di se Erdogan i Turqisë është një nga katër autokratët më të këqinj të botës. Putin i Rusisë, Xi Jinping i Kinës, Narendra Modi i Indisë, Nicolas Maduro i Venezuelës dhe Erdogan i Turqisë. Një prej të katër autokratëve të botës ka ardhur mes nesh dhe i ka treguar botës me gisht cila është autokracia e terrorit dhe e shkollave.
Do të duhej që në këtë botë të mos kishte lindur asnjë fuqi Qytetërimi, siç janë këto që zbulojnë terrorizmin, autokracinë, të keqen dhe vetë të Mirën. Atëherë Erdogan mund të kishte një të drejtë të drejtonte gishtin nervoz mbi armikun e vet. Të mos kishte asgjë, d.m.th., njësoj si të dilte nga sulltanati.
Ne tani duhet të bëjmë çfarë tha "sulltani". Ne duhet të luftojmë Opozitën… Edhe këtë e dimë dhe po e bën mirë maxhoranca. Maxhoranca vjen direkt nga sulltanati komunist dhe e di vetë si e ther "Lëvizjen Gulen". Që nëse fillon me vjedhjen e votave, me blerjen e votave, me blerjen e shpirtit të njeriut, me vrasjen e të drejtës demokratike. Shumë e thjeshtë, kjo po ndodh. Vallë pse foli sulltani në një sulltanat të vogël. Vallë pse foli Erdogan në "shtëpinë e të ….", kur për shkak të dhunës së maxhorancës politike po vuajnë shqiptarët edhe në Kosovë e në Maqedoni?
Po ky ç' pati?
Apo thjesht lëvizi shpata e vjetër mes lëkurës dhe kockës në kurrizin e tij?!