Opozita: Tani vendos populli, qeveria dorëheqje. Fillojnë revoltat popullore!

-Lulzim Basha:“Koha për veprim kundër qeverisë. Të shpëtojmë nga krimi qeveritar”. Petrit Vasili: “Tani duhet të largojmë Edi Ramën me çdo kusht”. 

-BE shtyn me një vit vendimin për Shqipërinë: Reforma në drejtësi e paplotë, luftoni krimin e organizuar, korrupsionin në nivelet e larta dhe trafiqet e drogës. Kryeministri Edi Rama: Reformat tona dhanë efekt, BE na vlerësoi, fituam!

Vendet e Bashkimit Europian vendosën dje të shtyjnë me një vit çeljen e negociatave për Shqipërinë. Ndryshe nga sa ka premtuar qeveria “Rama” se negociatat do të merreshin këtë vit më 28 qershor, Shqipërisë i duhet të presë vendimin final qershorin tjetër, më 2019. Edi Rama ka thënë këto ditë se duhet ta marrim patjetër këtë vit, pasi vitin e ardhshëm do ketë zgjedhjet në Europë dhe rreziku mbetet se do fitojnë forcat antieuropiane, ndaj do jetë shumë keq për Shqipërinë. Ndaj mos marrja këtë qershor shuan shpresat e vendit tonë, siç edhe vetë ka paralajmëruar kryeministri për vitin e ardhshëm.

BE vendosi se krimi dhe korrupsioni janë pengesë për Shqipërinë.

Këshilli i BE, i mbledhur dje në Luksmburg ka pasur mjaft debate lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Franca dhe Holanda kanë qenë kategorikisht kundër dy vendeve, ndërsa Gjermania ishte në favor të çeljes së negociatave, por me kushte. Mes debateve të forta që ka në BE kundër zgjerimit me vende të tjera të Ballkanit dhe kritikave për mosplotësimin e kushteve nga qeveria në Tiranë, është gjetur një rrugë e mesme. Fati i Shqipërisë dhe Maqedonisë si dhe sherri brenda BE është shtyrë për një vit më pas, por prapë pas një viti parlamentet e vendeve anëtare të BE kanë të drejtë të shprehen “pro” ose “kundër. Fakti është se u refuzua në thelb për këtë qershor, bile nuk u la as fundi i vitit. U shty për në kalendat greke dhe pak gjasa ka të ecë në favor të Shqipërisë viti 2019.

Argumenti që përdori Ministri Ditmir Bushati ishte se “vërtetë na i shtynë negociatat, por në 2019 i kemi të sigurta”. Pikërisht qëndron problemi. As në 2019 nuk ka siguri dhe vendimi i marrë dje nuk ishte inkurajim, por dështim me negociatat. Sepse ka një dallim të madh mes deklaratave politike të ministrave të BE ku thuhet se Shqipëria ka bërë progres dhe dokumentit të shkruar që Brukseli publikoi në mbrëmje. Nëse sheh qëndrimin zyrtar të BE listat e atyre që duhet të bëjë Shqipëria është po aq e madhe sa dhe disa vite më parë. Në konkluzionet e takimit thuhet hapur se Shqipëria duhet të zbatojë plotësisht reformën në drejtësi, të procedojë penalisht zyrtarë të lartë, të luftojë korrupsionin, si dhe të luftojë krimin e organizuar dhe kultivimin e kanabisit. Pra, problematikat që tregon BE, krimi dhe korrupsioni, janë të njëjtat si një vit më parë dhe këtu bazohet vendimi për shtyrjen e negociatave. Nëse qeveria e sheh vendimin e djeshëm si një lajm pozitiv, në fakt Bashkimi Europian sërish e ka mbetur në klasë qeverinë shqiptare. Argumentet se BE për shkak të krizës së brendshme nuk e dha vendimin dje, janë vetëm një justifikim për të mos treguar problemin e vërtetë. BE ka paraqitur sërish një listë me kushte dhe detyra shtëpie, të cilat faktojnë se deri më sot qeveria “Rama” nuk i ka plotësuar.

Vendimi i marrë dje nga BE sigurisht që do të ketë kosto politike për qeverinë “Rama”. Disa muaj më parë, ishte vetë Kryeministri Edi Rama që i cilësoi negociatat si një bast të qeverisë së tij. Sot ky bast, sido që të mundohet ta paraqesin, është i humbur. Opozita dha dje sinjalin e parë se situata politike nuk do të jetë më si më parë pas qëndrimit të Bashkimit Europian. Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili në deklaratën e parë nga kampi opozitar, nuk la vend për dyshime kur tha se “tani është koha që Edi Rama të iki”. Vasili solli në vëmendje qëndrimet e Edi Ramës disa kohë më parë, kur deklaronte se negociatat janë votëbesim për qeverinë. Dje qeveria e humbi votëbesimin dhe për partitë opozitare ky është momenti për të kërkuar largimin e qeverisë. Në të njëjtën linjë ishin dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës. Kreu i komisionit të Integrimit, demokrati Genc Pollo deklaroi në mbrëmje se vendimi i BE është një dështim për Shqipërinë, pasi edhe pas një viti sërish do të verifikohen reformat. Në këtë situatë, Pollo thotë se zgjidhja e vetme është largimi i qeverisë.

Efekti i vendimit të BE pritet të sjellë pështjellime në politikën shqiptare. Gjithë aksioni opozitës është stopuar këto muaj me argumentin se çdo krizë politike në Tiranë do të penalizonte negociatat. Tashmë fati i negociatave u mor vesh se cili është. Mbetet të shihet se cili do të jetë fati i qeverisë “Rama” dhe deri ku do të shkojë opozita.

Opozita tani ka të drejtën të jetë e lirë në veprimet e saj, të cilat ishin spostuar në kohë vetëm për hir të marrjes së statusit.

Basha shkruan mbrëmë vonë se “Hapja e negociatave për Shqipërinë u shty edhe për një vit. Krimi dhe korrupsioni po mbajnë peng të ardhmen tonë. Pa luftuar krimin dhe korrupsionin, vendimi në 2019 do jetë refuzues si sot.  Tani është momenti për një kthesë të madhe për të shpëtuar vendin dhe të ardhmen tonë europiane”.

 

 

 

SHKARKO APP