KPK, Edi Rama,Tom Ndreca dhe gjyqi Rama-Basha në 2011. Edhe Tahiri!

-Tom Ndrecës, në korrik 2011, i ra fati i keq të gjykojë si gjyqtar Edi Ramën përballë Lulzim Bashës, kurse tani në korrik 2018 i erdhi fati të dera për t’i thënë publikut se sa i drejtë është KPK, pra Vettingu. 

Nuk ka njeri në Shqipëri që nuk e do reformën në drejtësi. E kemi fjalën për diku të 95 përqind e popullsisë e cila pret reformë, pastrimin e krejt sistemit prej gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Për të qenë korrekt me fjalën dhe të vertetën ka shumë në sistemin e drejtësisë të cilët janë profesionistë, të ndershëm, ligjor dhe që konkurojnë pa asnjë mëdyshje me çdo gjykatë europiane. Sikurse ka edhe një pjesë, të cilët duhen shkuar në “hell” mu para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ose siç quhet shkurt KPK. Kjo pakicë ka sjellë përceptimin e publikut se drejtësia mbetet e korruptuar deri në gen. Ndërsa politika, e cila ka nevojë edhe ajo për Vetting dhe pastrim, turret sipas interesave të saj apo kur interesat politike ia duan për t’i akuzuar si të korruptuar edhe kur gjyqtarë apo prokurorë janë korrekt me ligjin.

Reforma  në fuqi ka filluar, ndonëse me ngadalësi, por gjithsesi po punon. Deri tani është garantuar, sidomos nga të huajt, se nuk do të lejohet që nga një drejtësi politike apo me gjyqtarë të paaftë që anonin nga një pushtet, të kalohet në një mori emrash të përzgjedhur nga Vettingu e ku do ti merrte nën zap PS-ja dhe kryeministri Rama.

Kemi folur e kritikuar fort ish-presidentin Berisha ndër vitet e para 1992-1997 se futi “kursin e plepave” dhe mori drejtësinë nën kontroll. Arrestoi dhe penalizoi çdo kundërshtar politik dhe mediatik. Ishte vetë PS-ja dhe Edi Rama, asokohe intelektual i pavarur, që sulmuan me çdo fjalë, miting apo gazetë se nuk duhet që “drejtësia të vihet në kontrollin e partisë apo partive, por vetëm të Kushtetutës dhe Ligjit”.

Të gjithë luftuam për këtë gjë. Edhe Edi Rama bërtiste kur ishte kryetar i PS-së në opozitë se drejtësia duhet të jetë larg politikës, por vetëm nën kontrollit e ligjit. E keqja mbetet se kur janë në opozitë kështu veprojnë. Edhe si shoqëri kemi shumë probleme kulture emancipimi e reagimi. Nuk reagojmë kur shikojmë se si një parti në pushtet merr gjithë pushtetet e pavarura. Edi Rama duket qartë se po fut nën kontroll e varësi krejt pushtetet. Dhe realisht nuk po ndalet. Kjo është e frikshme. E frikshme se do përfundojmë në diktaturë demokratike si në vendet e Amerikës Latine ose në katrahurë si në vitin 1997. Tani kryeministri ka punë me sistemin e drejtësisë, pasi duket se po fut duart në Vetting. Nuk mund të akuzojmë emra nga KPK apo nga kontrolli ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, sepse të gjithë rrëshqasin përbukuri në emër të ligjit, ndonëse kemi të drejtë të dyshojmë dhe të japin paralajmërimin se sistemin e ri të drejtësisë po e kontrollon selia e PS-së.

Natyrisht që ka shumë instrumenta kontrollues, por faktet janë publike. Për disa gjyqtarë dhe prokurorë që i “palosi” deri më tani, KPK-ja ka marrë lavdërimet e publikut. Dhe urojmë kështu të vazhdojë, por ka disa raste ku ndihet loja e PS-së dhe konkretisht Edi Ramës. Kjo e zbeh pavarësinë e KPK-së dhe krejt piramidës e cila kontrollon sistemin e drejtësisë. Përshembull pritej me interes dhe po shikohej me lupë rasti i djeshëm i kalimit në “thertoren” e KPK të gjyqtarit të gjykatës së lartë Tom Ndreca. Ai vjen nga Mirdita dhe siç tregojnë juristët e ka çarë vetë rrugën në karrierë pa patur asnjë mik. Natyrisht për të gjithë gjendet preteksti, nëse e kërkon, por Tom Ndreca mbetet një gjyqtar me eksperiencë. Ai pati fatin e keq që i ra shorti të gjykonte Edi Ramën në korrik 2011 kur kandidonte për kryetar bashkie përballë Lulzim Bashës. Tom Ndreca, me 10 vota diferencë, ia dha mandatin Lulzim Bashës. Pati akuza plot, por verdikti gjyqësor ishte kundër Ramës.

Po prapë Tom Ndrecës i ka rënë shorti në gjykatën e lartë të jetë relator i dosjes për ish-ministrin Saimir Tahiri, pas ankimimit të prokurorisë së krimëve të rënda në këtë gjykatë. Eshtë fjala për burg. Ndaj duket se gjithë sulmet dhe prapaskenat, mundet edhe KPK, janë drejtuar ndaj Tom Ndrecës. A është presion për të mos dhënë vendim burgu për ish-ministrin apo duan ta palosin edhe këtë gjyqtar që të mos e kenë fare nëpër këmbë, kjo mbetet për t’u parë. Dihet se gjykata e shkallës së parë krimëve të rënda dha arrest shtëpiak për ish-ministrin Tahiri, ajo e Apelit e liroi, kurse tani verdikti final jepet nga Tom Ndreca dhe trupa gjykuese e gjykatës së lartë.

Dhe pak ditë para se të firmosë Tom Ndreca e thërrasin në Vetting!

Ndaj pritej me interes seanca e djeshme e KPK ndaj Tom Ndrecës për të parë se sa e pavarur është KPK (Vettingu) nga PS dhe Edi Rama. Të gjithë sytë, edhe të ambasadave, ishin në vrojtim. Dhe KPK-ja, ndonëse kishte raporte nga organet e specializuara për korrektësi të gjyqtarit, gjeti një “fakt” të madh si për të paralajmëruar se do ta digjte gjykatësin e lartë, të cilin vetë Edi Rama e ka përmenduar dhe tallur nëpër mitingje, konferenca e kudo. Inati dhe hakmarrja e kryeministrit po zbatohet dhe kjo krijon dyshime të forta për KPK. Mundet edhe ish-ministri Tahiri po luan çdo kartë për ta djegur ose “mbledhur” gjyqtarin Tom Ndreca.

Gazetarja Lala e news24 raportonte dje direkt nga KPK-ja, ku u zhvillua seanca, se ndonëse doli në rregull me kontrollet e tjera, përsëri i kishin gjetur një “fakt” që po tmerron KPK. Sipas raportimit del se nipi i gjyqtarit të gjykatës së lartë është kapur, dikur, nga policia me 0.5 gram hashash! Dhe për këtë duhet ndëshkuar Tom Ndreca!

Çfarë përgjegjsie ka Tom Ndreca në rastin konkret? Bile as nuk është ndaluar apo gjykuar, por vetëm se policia e ka kapur nipin me 0.5 gram ( jo kilogram)?

Përgjegjsia është individuale. Nëse Tom Ndreca do ta kishte gjykuar dhe falur, atëhere po, ai duhet larguar mënjëherë nga sistemi i drejtësisë. Por Tom Ndreca hetohet vetëm se është nipi i tij dhe u gjet preteksti për ti thënë kryeministrit apo ish-ministrit Tahiri se “ja e palosëm Tom Ndrecën”. Ky rast, që mbetet nën vëzhgim nga të gjithë, do të tregojë se sa KPK dhe Vettingu vepron sipas ligjit apo sipas urdhërave politikë të mazhorancës.

Tom Ndrecës, në korrik 2011, i ra fati i keq të gjykojë si gjyqtar Edi Ramën përballë Lulzim Bashës, kurse tani në korrik 2018 i erdhi fati të dera për t’i thënë publikut, me kokën e tij nën hanxhar, se sa i drejtë është KPK, pra Vettingu.

SHKARKO APP