Vetting korrekt në politikë? Atëhere parlamenti mbetet me 40 deputetë!
Dje PD me anë të kryetarit Lulzim Basha si dhe Petrit Vasili kreu i deputetëve të LSI kërkuan publikisht që Vettingu, duhet të bëhet edhe në politikë. Vetting në politikë do të thotë se deputetët, ministrat, kryeministri, presidenti, krerët e institucionëve kushtetuese, zv/ministrat, drejtorët e përgjithshëm si dhe disa funksione të larta publike duhet të kalojnë në skanerin e kontrollit të pasurisë dhe figurës së tyre, si fjala vjen lidhjet e takimet me persona të inkriminuar, etj.
Konkretisht PD-LSI kërkuan Vetingun në politikë pasi ai:
- dekriminalizon plotësisht qeverisjes dhe politikën
- lufton me tolerancë zero korrupsionin dhe krimin
- ndalon aleancat mes politikanëve dhe grupeve kriminale
- pastron nga rradhët e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë individë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.
- garanton qeverisje pa ndikimin e krimit të organizuar
Opozita kërkon miratimin e këtij ligji, pa asnjë vonesë, me qëllim zbatimin e menjëhershëm, duke i hapur rrugë kështu procesit të vettingut për të gjithë politikanët në detyra shtetërore dhe zyrtarët e tjerë të lartë publikë. I mënjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Rama. Ai tha se jam gati që ta miratojmë Vettingun. Kjo ishte pjesa e jashtme e Vetingut politik. Ndërsa për ta realizuar do të sajohen njëmijë e një pengesa, sherre, kulisa, etj për t’ia lenë njëra-tjetrës fajin se “unë desha, por nuk do ky tjetri”. Vetingun në drejtësi e inicuan të huajt dhe me zor e miratuan. Kurse tani që vjen puna të vetvetja, deputetët do të gjejnë plot akrobacira që ta shtyjnë pa fund. E mira e do që të miratohet brenda vitit, por e keqja duket që tani dhe paralajmëron se nuk do ta kalojnë. Ose me një mijë arnime.
Nëse Vettingu do të bëhet në politikë, ku përfshihen kategoria që sipër cituam, si dhe nëse komisioni që do të bëjë kontrollin do të jenë të huaj (kjo është e domosdoshme) me garanci absolute do të rezultojë se nuk do të mjaftojnë listat rezervë të kandidatëve për deputetë për çdo parti, pasi nga 140 deputetë që janë sot në Kuvend, nuk e kalojnë vettingun as 100 prej tyre! Bile edhe nga lista rezervë ka rrezik që të mos kualifikohet asnjë prej tyre, sepse te pjesa e listave me emra që ishin të “lista e sigurisë” janë futur disi me kujdes, kurse tek lista me kandidatë rezervë, janë me shumicë për në burg mënjëherë, pa hyrë fare në Vetting. Pra nuk do kenë emra për ti zëvëndësuar deputetët që do të largojë Vettingu.
Edhe nga qeveria mund të mbeten nja 5 ministra, nga zv/ministrat nga 30 e kusur diku te 10 zv/ministra, kurse nga drejtorët e përgjithshëm mund të mbetet vetëm Artan Lame e ndonjë tjetër.
Vettingu duhet dhe qytetarët presin. Por nisur nga eksperienca e këtyre dy viteve të fundit, do të jetë me shumë një betejë politike për të goditur kundërshtarin. Nuk besoj se do të kaloj dot në Kuvend, edhe për një arësye: deputetët do të votojnë për fundin e tyre si dhe pas skarcimit vjen edhe penaliteti, pra burgu.
Gjithsesi ideja mbetet e mirë dhe ka nevojë të realizohet, ndonëse pak gjasa ka se do të kalojë në parlament.
S.P.