Nga Kavaja del “tymi i bardhë”!
Që nga nisja e krizës politike 77 ditë më parë, Edi Rama dje ka bërë veprimin më të mënçur politik. Në një konferencë urgjente për mediat, Kryeministri deklaroi tërheqjen e kandidatit të Partisë Socialiste nga zgjedhjet për bashkinë e Kavajës. Edhe pse për socialistët, tërheqja nga fusha e zgjedhjeve vetëm pak orë para së të shkojnë para kutive të votimit duket si një humbje, në fakt është e kundërta. Edi Rama dje nuk veproi si kryetar i PS-së, por si Kryeministër i vendit që sheh përtej oborrit të partisë së tij.
Vendimi për tërheqjen nga gara është i duhuri për faktin e thjeshtë se në Kavajë mund të ndodhte çdo gjë të dielën, por zgjedhje nuk do të kishte. Nuk do të kishte zgjedhje, sepse futja në garë vetëm me një kandidat dhe një rival të sajuar nga zyrat e PS-së në asnjë vend nuk quhen zgjedhje. Por nuk janë këto arsyet kryesore dhe të vërteta të tërheqjes. Edi Rama i përmendi në fjalimin e tij planet për destabilitet të Kavajës dhe rrezik në gjithë vendin. Kryeministri ka pasur këto ditë informacione të dorës së parë nga shërbimet inteligjente të vendit, por edhe shërbimet e vendeve partnere. Agjentë të SHISH dhe Policisë së Shtetit prej disa javësh kanë monitoruar situatën në terren dhe kanë ndjekur përgatitet e Partisë Demokratike. Të dhënat tregojnë se në Kavajë ditën e diel do të kishte përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë së Shtetit. Askush nuk di të thotë nëse përplasja do të ishte masive, apo vetëm në disa zona të qytetit. Por është e sigurt se në një protestë me dhjetra mijëra persona edhe sikur një incident i vetëm të mos menaxhohet siç duhet situata del nga kontrolli. Nuk kishte forca policie që mund ta shpëtonin Kavajën, nëse plaste një “fitil zjarri”, kur shumica do ishin më “fitila” në xhepa. Zyrtarisht Partia Demokratike ka thënë se nuk ka pasur asnjë skenar dhune në këtë qytet. Basha dhe deputetë të rëndësishëm të PD-së kanë folur për protestë paqësore. Në fakt, në rrethet e tjera të vendit, janë përgatitur mijëra protestues edhe për skenarin e një tubimi me përplasje.
Nuk kishte njeri që e ndalonte shkatërrimin e qytetit nëse plaste dhuna në Kavajë. Edhe sikur vetë Lulzim Basha të bridhte me altoporlant në dorë duke bërtitur që “mos shkelni asnjë lule!”. Ndaj Edi Rama dje ka marrë një nga vendimet më të matura si politikan që nga nisja e krizës politike. Dje edhe pse me shumë qejfmbetje në PS, Rama ka shmangur një skenar që dihet si nis, por nuk dihet sesi do të mbaronte në qytetin e Kavajës. Dhe jo vetëm në Kavajë.
Por veç shmangies së dhunës dhe destabilitetit, Rama u ka dhënë edhe një shans negociatave me Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën. Tërheqja e djeshme e Kryeministrit hap një kapitull të ri në fatin e marrëveshjes me Partinë Demokratike. Pas shumë qëndrimeve arrogante të kryeministrit Rama ndaj kërkesave të selisë blu, Edi Rama tregoi se në momentet e fundit nuk e lë vendin të shkoj drejt përplasjes. Nuk dihet nëse vendimi i djeshëm ishte personal i Kryeministrit apo është marrë nën këshillat dhe sugjerimet e forta të Ambasadorëve të SHBA dhe vendeve të BE. Cilado qoftë arsyeja që e çoi Ramën në këtë vendimmarrje, rezultati i një kthesë të tillë është pozitiv dhe duket vlerësuar.
Por ka edhe një kritikë që mund t’i bëhet Kryeministrit dhe kjo lidhet me kohën kur merret ky vendim. Edi Rama ka pasur më shumë se një muaj kohë për të shtyrë procesin e Kavajës. Që kur PD-ja nuk u regjistrua në Kavajë, kreu i qeverisë e dinte se situata do të shkonte në pikën kritike. Kishte mundësinë që në momentet e para të bojkotit të PD-së të parashikonte sesi do të thellohej kriza.
Rama largoi përplasjen në një fushëbetejë si Kavaja, por ende nuk ka vendosur se cili do të jetë fati i betejës së madhe të 18 qershorit.
Kavaja u mbyll për të hapur “kavaja” të tjera në mbarë vendin, ndaj duhet zgjidhje urgjente mes palëve, sepse e sigurtë është se votime të qeta nuk do ketë as më 18 qershor, aq me tepër se opozita e quan si fitore Kavajën. Revanshi ka kaluar nga opozita e cila do jetë edhe me e madhe dhe radikale në ditët në vijim.
Nga Kavaja dje doli “tymi i bardhë” i zgjidhjes me marrëveshje, ndonëse nga Kavaja deri në Tiranë “tymi” mund të ngjyrohet me smogun e Tiranës për tu kthyer në “tym të zi”.
Java e ardhshme mbetet java finale e mundësisë për marrëveshje. Në të kundërt 18 qershori do jetë si skenari i pa realizuar i Kavajës!
S.P.