Nga tritoli, tek vjedhja e bankave
Në tre ditë, Tirana dhe gjithë vendi është tronditur nga pesë atentate me tritol. Në të gjitha rastet, fatmirësisht nuk ka pasur viktima, por efekti i tyre ka krijuar një klimë pasigurie në gjithë vendin. Shpërthimi i parë me tritol ndodhi në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri gjatë orëve të para të ditës së martë. Më pas, një sasi tritoli shpërtheu në banesën e shefit të policisë, Alfed Numani, në Tiranë. Seria e vendosjes së bombave, nga objektivat e qartë kaloi në vendosjen e tyre në vende publike, duke u shndërruar në akte të pastra terroriste. Bomba e gjetur në rrugën “Myslym Shyri” ditën e martë dhe bomba e vendosur afër shkollës “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, nuk ishin mesazhe, por akte terroriste që synonin viktima. Një rast i shkëputur nga këto, por sërish një akt terrorist ishte dhe vendosja e bombës në makinën e një avokati në Tiranë. Koha kur kanë ndodhur këto ngjarje brenda 72 orëve flasin për koordinim dhe synime të qarta për terrorizimin e banorëve në gjithë vendin. Ndërsa për rastet e tjera mund të flitet për atentate që kanë pasur si qëllim krijimin e panikut, apo mesazhe ndaj institucioneve siç ishte rasti i bombës në biznesin e babait të ministrit Tahiri, kurse bomba e gjetur në afërsi të shkollës “Petro Nini” nuk ishte e tillë. Kjo bombë ishte me eksplozivin më të fuqishëm C4 dhe brenda saj ishin vendosur saçme dhe bulona. Bomba të tilla janë përdorur nga terroristët në atentatet që u kryen në Maratonën e Bostonit në vitin 2013. Fuqia shkatërruese e bombave të tilla është disa herë më e madhe dhe eksplozivët e zakonshëm. Qëllimi i kësaj bombe nuk ishte trembja, por shkaktimi i viktimave. Sipas hetimeve të policisë, ka pasur dy- tre thirrje nga një numër celular për të shpërthyer eksplozivin dhe vetëm fati ka ndihmuar që në këtë zonë të mos ndodhte një tragjedi. Seria e bombave që ka futur në panik Tiranën, u pasua dje me një grabitje me maska. Objektiv i grabitjes ishte një bankë e nivelit të dytë në afërsi të Stacionit të Trenit. Tre persona me maska, në një zonë të populluar të Tiranës arritën të rrëmbejnë një makinë që transportonte paratë e bankës, duke marrë një shumë të konsiderueshme parash. Grabitësit e bankës duket se kanë vëzhguar lëvizjet e policisë, e cila prej një jave është përqendruar tek aktet terroriste dhe duke përfituar nga kjo, kryen një grabitje me stilin ‘viti 1997’ afër qendrës së Tiranës. Vjedhja e bankës dhe eksplozivët nuk kanë lidhje direkte më njëra-tjetrën. Por ajo që i bashkon këto krime, ka të bëjë më rritjen e pasigurisë në vend. Efekti i trilleve ka krijuar pasiguri në vend. Kësaj situate shpërthyese, po i hedh benzinë dhe një konfikt i pakuptimtë politik. Akuzuat politike të opozitës duke akuzuar ministrin e Brendshëm si të lidhur me krimin, duket se po u japin “alibi” sulmeve me tritol ndaj familjes së tij, por edhe rasteve të tjera. Ky është shërbimi më i keq që politika po i bën krimit në vend, kur në fakt, klasa politike duhet të ishte bashkuar për të dënuar gjithë sulmet dhe të jepte mesazhet e bashkëpunimit dhe bashkimit kundër së keqes. Ministri i Brendshëm ka marrë mbështetje nga Parlamenti Europian, ku ministri i Brendshëm i Italisë, Angelino Alfano, i ka telefonuar atij personalisht për ta mbështetur. Dje ambasadorët më të rëndësishëm në vend ishin në zyrën e tij, për të diskutuar mbi situatën e fundit në vend, por edhe për të dhënë një mesazh se janë në krah të tij dhe mbështesin punën e bërë nga ministria e Brendshmë. Vetëm opozita nuk ka gjetur kohë që të rreshtohet në krah të institucioneve shtetërore, duke dhënë kështu mesazhe të gabuara.
Ngjarjet e fundit, duke pasur parasysh dhe klimën e ashpër politike që po vjen në vend sa herë që ka zgjedhje, duket se nuk do të jenë të vetmet. Krimi dhe terrorizmi nuk po sfidon vetëm mazhoracën, por po sfidon gjithë shtetin.