Ngjallet papritur Fatos Nano, Kryeministri Rama merr shofer të dehur!
-Fatos Nano, viti 2012: ”U bënë vite që Edi Rama nuk përfaqëson më socialistët apo interesat e tyre. U bënë vite tashmë që Edi Rama përfaqëson vetëm një klan uzurpator e pervers humbarakësh e frikacakësh, që u ka shkaktuar socialistëve vetëm humbje, dhembje e nëpërkëmbje”
-Edi Rama: Një (nënkupto Nano) që shan si karrocier i dehur nuk mund të jetë president
Interesi personal ka bashkuar dje dy armiqtë më të mëdhenj që ka pasur Partisë Socialiste, Fatos Nano dhe Edi Ramën. Një mesazh i Fatos Nanos për përvjetorin e Partisë Socialiste, shpërndarë për mediat dje nga stafi i Edi Ramës, ka habitur jo pak socialistët dhe shqiptarët që e njohin marrëdhënien mes Fatos Nanos dhe Edi Ramës. Në mesazh, Nano jo vetëm mbështeste Edi Rama, por bënte thirrje për bashkim të socialistëve dhe fitore. Është i njëjti Fatos Nano që e quante dikur Edi Ramën “të keqen më të madhe të së majtës”. Kaq shpejt ndryshoi mendim Fatos Nano apo fshihen interesa të tjera të cilat nuk ia bëjnë të ditur elektoratit të majtë.
Historia politike e PS-së nuk mund të shkruhet pa pasur parasysh miqësinë e tyre të vitit 1998 që solli Ramën në qeverinë socialiste dhe pasoi me sherret mes tyre që çuan deri në humbjen dramatike të PS-së në vitin 2005. Për këtë humbje, Nano përveç LSI-së dhe Ilir Metës që dolën forcë më vete, bëri fajtor Edi Ramën. Në vitin 2005 ish-kryeministri Nano konstatoi se si njeriu që kishte sjellë nga Franca “me thonj të paprerë”, siç thoshte ai, kishte kontribut kryesor në përçarjen e partisë dhe largimin e tij me turp nga qeverisja. Dhe e vërteta mbetet aty në sirtarët e PS: Edi Rama mobilizoi “MJAFT” të Erion Veliajt kundër Fatos Nanos derisa e rrëzoi nga pushteti PS-në. Për këtë arsye, në shtator të vitit 2005 Fatos Nano ishte edhe kundër zgjedhjes së Edi Ramës kryetar të PS-së. Por ishte kujtuar vonë për të ndaluar ambicien e Edi Ramës. Ish-ministri i Kulturës dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, jo vetëm e mori partinë brenda një dite në kongresin e jashtëzakonshëm, por u kujdes që bashkë me ngjyrën e simbolet e PS-së të zhdukte çdo kujtim të Fatos Nanos nga socialistët dhe nga e gjithë e majta. Që nga viti 2005 dhe deri më sot, për 12 vjet, Fatos Nano ka tentuar të rikthehet në politikë dhe në PS. Gjithmonë Edi Rama e ka mbajtur larg me përbuzje dhe përqeshje. I ka hequr nga partia çdo kontribut, e ka akuzuar për korrupsionin e madh të qeverisjes së PS-së, për krim të organizuar, etj. Ka spastruar me dorë të fortë çdo mbështetës të Nanos në parti si; Arben Malaj, Kastriot Islamin, etj. Por veç kësaj, Edi Rama ka ditur ta shfrytëzojë mjeshtërisht ambicien e Fatos Nanos për President duke e përdorur si send pa vlerë sa herë që i është dashur. Në vitin 2007 e joshi për postin e presidentit vetëm sa për të thënë që e majta ka shumë emra për kandidatë. Në fund, Rama urdhëroi 5 deputetë të PS-së që të votonin kandidatin e Berishës dhe e la me “gisht në gojë” ish-kryetarin në turin e dytë duke bërë që më shumë vota nga PS mori Neritan Ceka se sa ish-kryetari i PS-së. Në vitin 2009 përdorimi që i bëri Fatos Nanos ishte dhe më epik. E priti në zyrë dy orë. E joshi me mbështetjen e opozitës së asaj kohe dhe në fund e la në baltë duke thënë se “Nano ka bashkëpunuar me Berishën dhe s’mund të jetë kandidati i PS-së”.
Nga ana tjetër, në këto vite Nano ka bërë çfarë ka pasur në dorë për të shkatërruar Edi Ramën. Pas zhdukjes për disa muaj në vitin 2006 nisi një lëvizje në bazë kundër Ramës. Mblodhi disa deputetë nëpër fshatrat e Tiranës dhe sulmonte Ramën si njeriun që nuk kishte asnjë lidhje me PS. Pasi dështoi qëndroi disa kohë në heshtje për të kulmuar me akuzat e vitit 2012. Kur pa se Rama nuk e llogariti fare si politikan, bëri disa akuza që sot vlejnë të kujtohen. Kështu, në një urim për socialistët në ditëlindjen e PS-së në vitin 2012, Fatos Nano deklaronte se i vetmi njeri që po ndante socialistët ishte Edi Rama. “Të dashur miq socialistë! U bënë vite tashmë që Edi Rama nuk përfaqëson më socialistët apo interesat e tyre. U bënë vite tashmë që Edi Rama përfaqëson vetëm një klan uzurpator e pervers humbarakësh e frikacakësh, që u ka shkaktuar socialistëve vetëm humbje, dhembje e nëpërkëmbje, sikurse e ka zhytur Shqipërinë në kriza të njëpasnjëshme”,- shprehet Nano.
Ndërkohë që sulmet e tij shkonin dhe më tej, duke e akuzuar Ramën për interesat klienteliste dhe perverse. “Edi Rama përfaqëson njeriun aventurier që ka uzurpuar PS, të cilën e ka keqpërdorur për interesat e tij të ngushta dhe klienteliste, banale, perverse dhe informale”,- shprehej Nano.
Ndërkohë Edi Rama personalisht është munduar ta injoroj reagimin direkt për Nanon. Por ka jo pak raste kur nuk ja ka kursyer fyerjet. Kështu, në vitin 2012 kur është pyetur se përse nuk e kandidoi Fatos Nanon për President, Rama tha se nuk mund të kandidonte një që “shante si karrocier i dehur”. “Mendoj që kjo farsë është një turp, është një turp i madh për njeriun (Fatos Nano) që vetëm për pak ditë më parë vetëofrohej për të qenë kreu i shtetit shqiptar dhe pak ditë më pas shpalos një fjalor, që siç shkruan diku Ismail Kadareja, do e kishte zili çdo karrocier i dehur”,- shprehej Rama në një intervistë televizive në vitin 2012.
Në këto 12 vite Nano dhe Rama janë sharë, janë urryer dhe e kanë sulmuar njeri-tjetrin më shumë sesa demokratët i kanë sharë të dy.
Ndërkohë prej një jave, Edi Rama dhe Fatos Nano kanë nisur të takohen rregullisht edhe në publik. Të shkëmbejnë mesazhe. Rama tani vlerëson punën e Nanos si udhëheqës historik, ndërsa Nano bën thirrje për votimin e Ramës. Tallje më e madhe për socialistët dhe shqiptarët nuk mund të ketë. Pyetja që shtrohet është çfarë halli e detyroi Ramën të kërkoj ndihmën e njeriut që e ka sulmuar dhe shkatërruar më shumë? Nga ana tjetër, cila është arsyeja që e detyroi Fatos Nanon që pasi është përdorur dhe tallur me dhjetëra herë nga Edi Rama, të thotë jepjani timonin Ramës. Apo don ta zhysë në greminë pasi nuk di ti jap makinës (shtetit)? Apo u paguan pushimet e kësaj vere në Austri?!
Nuk mundet që njeriu që, për hir të së vërtetës, modernizoi PPSH në PS dhe që njohu fraksionet, tani të kthehet në shofer të kryeministrit Rama.
Cilado të jetë përgjigja, socialistët janë të frikësuar sepse njeri nuk di të jap makinës fare, kurse tjetri i jep vetëm kur është i dehur!