Ngjela: Këta donkishotë antiamerikanë!
Avokati Spartak Ngjela është një nga aleatët e Partisë Socialiste që e ka mbështetur Edi Ramën në çdo nismë dhe reformë që ka ndërmarrë këto 4 vite. Por ndryshe nga herët e tjera, Avokati e shesh si problematike për vendin një aleancë mes Bashës dhe Ramës. Në një shkrim në Facebook, Ngjela hedh dyshime të forta mbi motivet që kanë bërë bashkë Edi Ramën dhe Lulzim Bashën. Ai thotë se kjo është një aleancë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qytetarëve shqiptarë për dënimin e krimeve të korrupsionit në Shqipëri. Për pasojë, avokati shton se kjo është një aleancë që del edhe kundër Reformës në Drejtësi, e cila është një reformë e cila ka mbështetjen e shumicës dërrmuese të qytetarëve. Sipas tij, Rama dhe Basha janë bërë bashkë edhe kundër Amerikës nga frika e reformës.
“Në këto ditë, në funksion të këtij gjykimi, njerëzit normalë të këtij vendi pyesin: vërtet është bashkuar Rama me Bashën politikisht me një pakt parazgjedhor? Po Berisha ku është? Nëse është bashkuar Rama dhe Basha, kundër kujt janë bashkuar? Mos ka ndonjë kërcënim të jashtëm? Asgjë: po të jenë bashkuar, ky është një bashkim kundër Amerikës. Dhe në fakt është një nga ndërmarrjet më qesharake, sepse realisht do të jetë tragjedia e Enver Hoxhës, e ardhur në Shqipëri këtë herë si komedi. Vërtet mendojnë këta fakirë se mund të mundin politikisht Amerikën kundër interesit të Shqipërisë dhe interesit amerikan! Por kuptohet, nëse janë bashkuar kundër Amerikës, janë bashkuar kundër Reformës. Domethënë se Reforma i kap që të dy”,– shkruan avokati i njohur Spartak Ngjela.
Ngjela shton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër pakteve të tilla. Ndërsa thekson se ky bashkim ka kundër edhe politikën gjermane dhe personalisht Kancelaren Angela Merkel. Avokati shton se në Gjermani koalicione të tilla të mëdha u provuan dhe kanë rezultuar se nuk janë të dobishëm.
“Politika amerikane po rezulton që të jetë kundër këtij bashkimi. Në të njëjtën kohë kancelarja gjermane deklaron se ky lloj bashkimi ka dalë joproduktuv në Gjermani. Atëherë, ç’mund të jetë ky bashkim? Sigurisht kundër Reformës në Drejtësi. Domethënë këta i paskan shpallur luftë Amerikës! Por kjo është vobegtësi mendore. Dy individë të panjohur në rrafsh botëror, me dy ushta dhe me dy shpata i kanë shpallur luftë Shteteve të Bashkuara”,- shprehet avokati i njohur Ngjela.
Në qëndrimin e tij, Ngjela thekson se amerikanët po habiten nga kjo sjellje e Ramës dhe Bashës, pasi kanë investuar këto vite që Shqipëria të ketë një reformë dhe të largojë individët e korruptuar. Ndërkohë që krijimi i një pakti të paqartë mes dy politikanëve Rama-Basha ka ngritur dyshime të forta për vijimësinë e reformës në drejtësi.
Avokati paralajmëron zhvillime të forta gjatë ditëve në vijim. Edhe pse nuk përmend emra konkret, ai lë të kuptohet se do të ketë trysni të fortë ndaj Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, të cilët më ironi i cilëson kalorës si Don Kishoti që duan të kthejnë kohën pas dhe të ndalojnë procesin historik të reformimit të drejtësisë. “Po je i kapur në një krim, dhe këtë ta ka “i forti” në dorë dhe ta tund, je i humbur. E shihni se si është bërë Sali ziu nën trysni? Ja, priteni! këto ditë iu vjen trysnia dhe të dy kalorësve: njëlloj si Saliut. O kalorës! Ku e keni Saliun? Është mbyllur. E la dhe revolucionin pa e nisur fare…”,- shkruan avokat Ngjela.
Akuzat dhe dyshimet që ngre avokati i njohur, Spartak Ngjela, përkojnë dhe me zhvillimet e ditëve të fundit. Pas miratimit të marrëveshjes Rama-Basha dhe ndarjes së ministrive e drejtorive, disa shoqata të juristëve në vend kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese padi për shfuqizimin e ligjeve kryesore të reformës në drejtësi. Mënyra sesi u bë kjo kërkesa dhe koha e zgjedhur nuk mund të ketë qenë rasti pa mbështetje politike.
Po kështu ka informacione të besueshme se Basha dhe Rama kanë rënë dakort që në komisionet e Vettingut, ku tashmë PD dhe PS përbëjnë shumicën të përzgjedhin njerëzit e tyre dhe me pas të fusin nën kontroll drejtësinë.
Kjo është e palejueshme nga SHBA dhe Gjermania. Ata nuk falin dhe pazari, thotë Ngjela, që kanë bërë në mësnatë do dalë në dritë të diellit së shpejti. Shqiptarët duhet ti dënojnë edhe me votë.