Nis sherri për Dibrën

 

Zgjedhjet në Dibër duhet të ishin një garë normale pa shumë për përplasje, pasi bëhet fjalë për zgjedhjen e një kryebashkiaku dhe jo për zgjedhje të përgjithshme. Megjithatë, 4 ditë ditë pas nisjes së fushatës, kanë nisur sherret e para. Sherre që nuk kanë të bëjnë me militantët në bazë, por me selitë kryesore të partive në Tiranë.

Fill pas prezantimit të kandidatëve të PS dhe PD, mediat afër qeverinë kanë nisur një fushatë të ashpër ndaj opozitës. Sulmet e qeverisë, për shkak se kandidati Sherefedin Shehu, ka një profil të paimplikuar në afera, janë përqendruar te koalicioni dhe drejtuesit lokalë të Partisë Demokratike. Pothuajse çdo ditë serviren informacione për përplasje të ashpra të deputetëve, kryetarëve të PD-së, ish-kryetarëve dhe demokratëve që nuk janë të bashkuar. Që ka debate në një parti politike kjo është diçka thuajse në normale, por që gjithë demokratët e Dibrës janë kundër Sherefedin Shehut si kandidat këtë pak kush e beson. Madje, as vetë kundërshtarët e Partisë Socialiste. Duhet pranuar se statura e kandidatit të opozitës është e nivelit shumë të lartë. Selia blu ka dërguar në Dibër një emër kryesorë të saj që ta fitojë dhe aq me shumë se është zyrtar i sprovuar në administratën e lartë shtetrore.

Por ndërsa qeveria është investuar në skemën e sabotimit dhe ndarjes së degës së PD-së në Dibër, opozita është marrë më shumë me kandidatin dhe me ndikimin e qeverisë në rezultatin e zgjedhjeve. Deklarata më e fortë ishte ajo e ish-kryeministrit Sali Berisha. Në një postim në Facebook, duke ju referuar burimeve të qytetarit dixhital, Berisha pretendon se kandidati i PS-së, mjeku Muharrem Rama është me precedentë penalë. Sipas Berishës, ai është ndaluar nga policia në Zvicër për trafik droge. “Kandidati i Rames për Peshkopinë, sivlla me Roshin, Bushin e kompani. Sipas qytetarit dixhital, kandidati Rama është person me precedent penalë. Në Zvicer Rama ka patur probleme si trafikant droge. Ai ka lëvizur me pasaporte dhe emër fals”,- shkruan Berisha. Nga ana tjetër, kandidati i majtë ka reaguar dje duke deklaruar se nuk ka udhëtuar ndonjëherë në Zvicër.

Replikave mes kandidatit bashkiak Rama dhe ish-kryeministrit Berisha u janë shtuar dhe dje dhe akuzat e PD-së ndaj qeverisjes së majtë. Në një deklaratë për mediat, selia blu pretendon se mazhoranca ka bllokuar regjistrimin e partive të koalicionit të djathtë në Dibër.  “Nga paniku i ndëshkimit me votë në zgjedhjet e 11 shtatorit në Dibër, kryeministri Edi Rama ka urdhëruar bllokimin e regjistrimit nga KQZ, të 6 partive aleate të Partisë Demokratike.  I braktisur, i mbetur vetëm me 3 aleatë, Edi Rama bën atë çfarë ka në dorë aktualisht, ndalon përmes KQZ-së regjistrimin e 6 subjekteve, çka do ta çonte në 18 numrin e partive të koalicionit opozitar”,- thuhet në reagimin e PD. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u regjistruan dje katër parti nga e majta, PS, LSI, PDU dhe ADSH. Ndërsa koalicion i djathtë numëron 12 parti.

Replikat e djeshme janë vetëm nisja e fushatës elektorale në Bashkinë e Dibrës. Një fushatë që nga lokale po kthehet në kombëtare. Kjo jo aq për shkak të kandidatëve, sesa partive politike që duan të masin forcat për zgjedhjet e ardhshme. Pas disa humbjesh të njëpasnjëshme, Partisë Demokratike i duhet një fitore që të rikthejë besimin tek demokratët. Ndërsa Partisë Socialiste i duhet një rikonfirmim në Dibër, pas shijes së keqe që la skandali seksual i ish-kandidatit Shukri Xhelili. Jo më kot PS ka vendosur në Dibër disa ministra që të monitorjnë fushatën ende pa nisur dhe anuloi kandidatin parë që nuk kishte mbështetjen e LSI-së, duke mos rrezikuar koalicionin. Gjithsesi LSI-ja, pavarësisht se u regjistrua në një koalicion, ende nuk ka komentuar zgjedhjen e Ramës për Dibrën. Akoma duket fushatë e ftohtë e LSI, ndonëse akoma është herët sepse përherë LSI i ndez motorat atëhere kur të tjerët mendojnë se i ka fikur.

Me anë të drejtuesve të forumeve, Partia Demokratike ka paralajmëruar dhe një tjetër skenarë, atë të manipulimit të zgjedhjeve dhe përplasjeve më të forta. Me mënyrën sesi po vijon fushata, qëndrimet e fundit janë vetëm fillimi i sherrit.

Por burime nga selia blu tregojnë se ministrat e Ramës po premtojnë, japin para cash për ta fituar postin e kryebashkiakut. Kanë hallin e tyre në Tiranë sepse nuk e vrasin shumë mendjen për bashkinë e Dibrës. Nëse e humbet e majta fillon revanshi i së djathtës, edhe në Tiranë.

Ndaj është fushatë lokale me interesa kombëtare.

 

SHKARKO APP