Nishani-Veliaj, dueli pranveror
Ndërsa vëmendja është tek vota në drejtësi dhe përplasja PD-PS, një tjetër duel i fortë politikë po zhvillohet këto ditë. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj janë bërë protagonistë të një sherri politik e institucional që po kapërcen edhe etikën e komunikimit publik.
Historia nis me ndërtimin e këndit të lojërave nga Bashkia e Tiranës në Kodrat e Liqenit. Presidenti Bujar Nishani u pozicionua kundër këtij projekti. Madje shkoi të takonte personalisht protestuesit që refuzonin ndërtimin e këndit të lojërave. Për Presidentin ndërtimi i këtij Parku duhej të ndalonte dhe të merrej parasysh zëri i qytetarëve që protestonin. Nuk vonoi dhe reagimi i kreut të Bashkisë së Tiranës me etiketime edhe denigruese ndaj Kreut të Shtetit. Në disa deklarata e cilësoi Presidentin si pjesë të Partisë Demokratike që nuk kundërshtonte projektin, por bënë betejë politike për ish-kryeministrin Sali Berisha. Me pas, në një intervistë për emisionin “Opinion”, Veliaj do të hidhte akuza të tjera ndaj kreut të shtetit, duke e etiketuar si “hajdut”.
Dy ditë më parë, Bashkia e Tiranës organizoi një protestë të paprecedentë para Gjykatës Administrative të Apelit ku kërkonte mosdhënien e një vendimi në favor të ndërtimeve poshtë digës së Liqenit Artificial. Bashkë me akuzat ndaj gjyqtarëve në proces, indirekt sulmohej edhe kreu i shtetit si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Dje, në një konferencë të rrallë për mediat, Presidenti i Republikës vendosi të reagoi ndaj drejtuesit të Bashkisë më të madhe në vend. Lidhur me akuzat personale në adresë të tij, Presidenti deklaroi se do të bënte padi ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës.
“Unë besoj që shqiptarët nuk mund të kenë në zyrën e Presidentit të Republikës një hajdut. Drejtësia duhet ose të vërtetojë akuzat dhe identifikojë Presidentin si hajdut dhe ta dënojë atë në bazë të krimit, ose përdhosësin e shtetit shqiptar përmes shpifjes ta dërgojë të përballet me ligjin. Kjo është një rrugë pa kthim”, u shpreh Nishani.
Ndërsa një vëmendje të veçantë kreu i shtetit i kushtoi protestës së bashkisë para Gjykatës Administrative. Presidenti nuk hezitoi ta cilësonte si një sulm terrorizues ndaj gjyqtarëve dhe pushtetit gjyqësor. “Çështja e dytë është sulmi i dhunshëm i djeshëm, organizuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe qytetarë dhe individë të tjerë me pushtet ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ. Sulmi i dhunshëm qartazi terrorizues ndaj gjyqtarëve në ushtrim të detyrës dhe funksioneve të tyre kushtetuese që e dënojmë me ashpërsinë më të madhe. Sulm ishte i organizuar, instrumentalizuar politikisht ndaj një pushtetit të pavarur kushtetues”,- u shpreh kreu i shtetit.
Pas qëndrimeve të kreut të shtetit ka ardhur dhe reagimi i Bashkisë së Tiranës, ku me të njëjtat tone të qëndrimeve të mëparshme e cilësonte Presidentin si “lodër të një biznesmeni” .
“A e dëgjuat Presidentin e lodrave që, përmes të gjitha atyre që tha, pranoi se është thjesht një lodër në duart e interesave të zymta që mbajnë peng Reformën në Drejtësi dhe vetë këtë çështje publike, ku qartësisht drejtësia e molepsur me biznesin ka nxjerrë surratin e saj?!”,- thuhet në deklaratën e Bashkisë.
Replikat e djeshme janë deklarata lufte. Një luftë që po kalon limitet e komunikimit institucional. Së pari, janë sulmet personale ndaj kreut të shtetit. Drejtuesit e institucioneve mund të kenë mjaft rezerva për njeri-tjetrin, por kur lufta kthehet në sulme familjare dhe personale këtu nuk kemi të bëjmë më me politikë. Aq më tepër që kemi të bëjmë me kreun e shtetit dhe jo një kryetar partie apo përfaqësues të një force politike.
Ndërtimi i pallatëve tek diga e liqenit është një problem i madh për kryeqytetin e nuk duhet lejuar, por kjo bëhet me gjykatë, derisa puna ka përfunduar në dyert e gjykatës. Nuk mundet presion i tillë duke sjellë deputetë të PS-së para zyrave të gjykatës për ti bërë presion. Gabim i madh!