Një analizë e shpejtë e protestës së opozitës
Sot populli opozitar priste përballje direkte me kryeministrin Edi Rama dhe natyrisht me ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj. U mbars krejt opozita e publiku që sot populli i revoltuar do të mbaronte punë me këtë klikë kriminale dhe të drogës, siç akuzon përditë PD-LSI. U fol se sot opozita nuk do të lejonte më të qeveriste Edi Rama, u fol se kishte një plan të detajuar që dita e hënë do të sillte një krizë politike e ku kryeministri bashkë me ministrat do të jepnin dorëheqjen për të shkuar në një qeveri tjetër integruese, u fol se Lulzim Basha dhe partitë e tjera do të sillnin mbi 200 mijë veta përballë kryeministrisë, aqsa bëri, kjo fjalënajë, që kryeministri me gjithë disa ministra të besuar të nxitonin për të marrë udhën për Skrapar. Bile u hapën fjalë se po pastronin bunkerët e kohës së Enver Hoxhës në Çorovodë për t’u futur brenda në rast se Tirana ishte në pushtetin e popullit të revoltuar nga Edi Rama. U fol se garda dhe helikopterë ishin në Skrapar, pasi Tirana do merrej nga pasioni, revolta dhe populli integrues i opozitës. Jo pushteti, pasi merret me votë, porse sonte në darkë qeveria e PS-së do të mund të jepte dorëheqjen nga revolta e cila do bllokonte kryeministrinë nga të katër anët.
Por ç’ndodhi? Protestuesit u mblodhën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në orën 11:00, me thirrjet: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Natyrisht ishte një numër protestuesish me i paktë se 21 janari 2018. Populli priste të flisnin njeri pas tjetrit liderët kryesorë të opozitës, të fliste edhe populli dhe natyrisht në fund siç i takon do ishte Lulzim Basha ai që do ngrinte zjarrin e zemrave opozitare e ku më pas populli ishte zot i fateve të tij. Siç pati thënë analisti i njohur Andi Bushati se edhe ndonjë djegie mund të kishte, por i tregohej përfundimisht vendi Edi Ramës. Kemi parë protesta në Greqi, Itali, Francë, Angli e kudo dhe përfundimi nuk është kaq i butë sa ç’ndodhi sot në Tiranë. Njërëzit donin me tepër liri, me shumë forcë e vendosmëri opozitare. Ishin gati për heroizma kundër mafies, krimit dhe keqqeverisjes.
Në këtë protestë pati vetëm një fjalim nga ana e Lulzim Bashës. Ai foli kundër Ramës dhe Xhafajt, por popullin për përplasje e drejtoi te zyra e ministrit të Brendshëm. Në fund të fjalës së tij, kreu i PD-së u bëri thirrje qytetarëve që të shkojnë drejt sheshit “Skënderbej” dhe konkretisht te ministria e Brendshme, ku ishte ministri Xhafaj në zyrë me disa të huaj. Dhe ishin të huaj që po hetojnë korrupsionin e disa zyrtarëve shumë të lartë, majtas e djathtas. Në këtë moment, mes protestuesve dhe forcave të rendit nisën incidentet dhe përplasjet, të cilat vazhduan për më shumë se 30 minuta. Aty u plagos edhe kryeredaktori i gazetës RD Bledi Kasmi. Akuzat janë të ndërsjellta se si u plagos ky gazetar opozitar, por e verteta mbetet se kur plagoset një gazetar, aq me tepër opozitar, mbetet një shenjë e keqe e një demokracie.
Përveç gazetarit drejtues të RD janë plagosur edhe 11 policë nga përplasja me turmën. Disa protestues kanë qëlluar policët. Ata kanë hedhur sende të forta dhe lëndë tymuese. Natyrisht në një protestë të tillë gjithçka mund të ndodhte. A jemi në demokraci, kur populli mendon se i ka ardhur shpirt ndër dhëmbë ngrihet dhe nuk pyet se cilin rrëzon apo djegë.
Kur dukej se situata do të përshkallëzohej edhe më shumë, kreu i PD-së, Lulzim Basha bëri thirrje për tërheqje të protestuesve nga Ministria e Brendshme. Në fakt Basha kur po përplasje turma para ministrisë nuk ishte aty, erdhi kur dikush e ka telefonuar nga jashtë. Erdhi dhe tërhoqi popullin e revoltuar. Dikush mund të thotë se veproi mirë, të tjerë flasin me inat se u tregua frikacak. Por fakti është se erdhi me vrap, natyrisht me mënyrë ekselente sikur po përshendeste me dy gishtat lart, ndonëse dikush e dërgoi urgjent para ministrisë.
Të huajt e telefonuan apo ndonjë frikë? Nëse do të ishte populli para kryeministrisë kaq i vendosur, sa para ministrisë, nuk dihej përfundimi. Megjithatë një gjë dihej; sonte kishte rënie të qeverisë. Por Lulzim Basha nuk e bëri. Pse? Ka nevojë për mbledhje faktesh të tjera se pse nuk e la të lirë popullin të vendoste siç para disa ditëve vetë Basha thoshte se “populli vendos të shtunën”.
Populli opozitar ishte për përballje, lidershipi jo!
A do të vijnë më në protestë, populli i revoltuar kundër keqqeverisjes?
Nuk besoj! Shansi ishte sot. Ndaj kryeministri Rama tallet kaq keq me PD-në dhe Bashën. E di se nuk kanë forcë e vendosmëri. Po të ishte Sali Berisha në krye të PD dhe të protestës, sot kishte mbaruar qeveria Rama.
Edi Rama e di se cilin ka përballë! E ka njohur me 17 maj 2017. Tani nga Skrapari, ku sonte darkon kryeministri, ai tallet. Dhe ia bën mirë kësaj opozite. Po të kishte vendosmeri Lulzim Basha kur thotë se kemi qeveri droge, krimi e korrupsioni, atëhere populli merr vetë në dorë fatet e tij.
Populli iku në shtëpi i zhgënjyer.
S.P.