Një e Majtë me Nanon

 

Nga Frrok Çupi

Çfarë do të thotë një e Majtë e Bashkuar me Nanon?

Përgjigja më e shkurtër, përgjigje që mund të jepej edhe në fund të shkrimit, është kaq e thjeshtë: Kjo do të ishte e Majta reale! Domethënë do të mblidheshin "çifutët që u endën nëpër shkretëtirë" dhe do të bëhej prapë e Majta…

Lajmi se disa personalitete Majtistë po përqendrohen rreth Fatos Nanos, ku thuhet se po krijohet e Majta e Bashkuar, ka vozitur këto ditë nëpër disa faqe mediatike. Çfarë më bën që lajmin më shumë ta besoj se sa të them "ç'ne?!"?

E para se është klima politike, sidomos në krahun e majtë, që e bën të besueshëm tërësisht. E besueshme, sepse një numër shumë i madh votuesish e simpatizantësh të majtë, nuk ngjajnë në asgjë me qeveritarët "e majtë". Është njësoj si në fushën me tërfil, ku dikush thërret se "kam gjetur tërfilin allasoj, me katër fletë". E pamundur! Qeverisësit alias socialistë janë "tërfili allasoj me katër fletë", me tjetër ngjyrë, me tjetër efekt dhe me tjetër racë nga raca e të majtëve shqiptarë post- diktaturë. Ose një pamje akoma më e afërt: A mund të përfytyroni që në një familje majtistësh (sjellje për majtistët historikë) të vendosej fotografia e liderit të tyre; si foto në plazhet nudo ashtu edhe fotografia me kostumet më të kushtueshme mes gjithë liderëve të botës?! Edhe kjo, si e pamundur… Ose, a mund të përfytyrohen socialistët të pranojnë ministrin e tyre çapraz, të shfytyruar për shkak të mburracllëkut, me dasma të dubluara nga cepi në cep Shqipërisë… Ose ministren që ushqen vëllanë me paratë e publikut, ministre sfidante që "e hedh përpjetë" kur në Pashkë uron Krishtlindjet, edhe xhaminë mund ta ngatërrojë me sinagogën? … Këta janë kthyer si gjemb nën lëkurë edhe për të majtët e vendit.

Po a mund të pranojnë socialistët që qeveria e tyre, legalisht, të mbjellë e shesë drogë nëpër botë e nëpër Shqipëri? Këtë e kanë deklaruar përmes Kuvendit. Po a mundet që majtistët e këtij vendi t'i bëjnë karshillëk të varfrit, të nevojshmit për bukën e gojës? Të majtët e vendit e hodhën poshtë, që në vitet '90, kërcënimin me pranga e me atentate si mjet për "qeverisje". A mund ta pranojnë këtë që bëjnë sot qeveritarët "e tyre". Njerëzit, si në eksodet biblike po lënë përsëri Atdheun, kanë humbur edhe shpresën.

Prandaj është e besueshme që "hebrenjtë të kthehen në tokën e mohuar"; të majtët të kenë shtëpinë e tyre. Ajo çfarë kthehet në besim, në fakt është një realitet.

E dyta,

Poshtërimi, edhe kur kryhet në klan e në klikë, ka një kufi. E jo më në një parti politike në një shoqëri të hapët! Nuk ka pasur rast bota, që nga bota e gropave më të këqija historike, kur poshtërimi të mos jetë dëbuar e neveritur. Majtistët e vendit tonë e dinë shumë mirë se Partia Socialiste nuk ka as parime, as normë, as respekt për vlerën, as garë, as zgjedhje, as votë. Piramida e "vlerave" vendoset nga Një njeri. Njëshi është i rrethuar nga servilë, që tashmë po tregohen me gisht si servilë. (Në fjalimin e funeralit të Rilindjes, deputeti Blushi i ka treguar një për një)…Asnjëri nga servilët e shpallur botërisht (kryesisht ministra) nuk ka reaguar të paktën në media e të thotë se "unë nuk jam servil". Jo, ore. Madje e presin si vlerë vlerësimin si "servilë". Madje kanë dëshirë që në ekrane të thuhet shpesh p.sh., "Erioni është servil", sepse kështu e merr vesh Njëshi dhe kënaqet.

Specia "e re" e prurë në Partinë Socialiste nuk ka të përbashkët pikën e mesatares me vlerën e shoqërisë.

Po poshtërimi i krijuesve dhe mirëmbajtësve të të Majtës. Të gjithë i shikon tek dalin nga sallat e mbledhjeve me kokë ulur. I sheh tek zvogëlohen trotuareve dhe kafeneve. I shikon që iu rrëshqasin njerëzve; nuk duan t'i takojnë; se çfarë tu thonë. Sulmet më të egra të poshtërimit u drejtuan mbi Fatos Nanon, kryetarin e parë të Partisë Socialiste.

Tash që po thuhet se po krijohet një e Majtë e Bashkuar me Fatos Nanon, më duket e besueshme dhe e domosdoshme. Çfarë është shumë e besueshme do të thotë se është edhe realitet.

E treta,

Kush është sado pak realist e kupton se situata është ngarkuar shumë. Ngarkuar me varfëri, me pakënaqësi, me mashtrim të ardhur pas premtimeve, me cinizëm shtetëror, me urrejtje dhe ndarje krahinore, me zyrtarë që fusin duart në pasurinë publike, me klane dhe klika, me tentative për vrasje shtetërore…. Tmerr. Kjo situatë mund të pëlcasë me pasoja të këqija. Këta që thonë se janë socialiste (por nuk janë) nuk kanë as më të voglën cilësi humane për ta ndaluar të keqen. Krijimi i të Majtës së Bashkuar me Fatos Nanon, do të krijonte klimën humane politike dhe bashkëpunimin gjithëpërfshuirës për të ndaluar më të keqen. Më të keqen e krijuar prej pseudo majtistëve mund ta ndalin më së miri të Majtët.

Mandej ka edhe një sfidë politike që duhet përmbushur: Vetë Fatos Nano, në nxitim e në pakujdesi, bëri "namin" duke prurë në krye të Partisë Socialiste këtë specie të bezdisshme dhe negative që tani qeveris. Ai duhet të çlirohet nga mëkati.

Unë e besoj se me një të Majtë të Bashkuar, mund të pritet rruga e të keqes së nisur në teposhte si në rrokopujë.

SHKARKO APP