Prokuroria, një ministër iku. Një ministër tjetër gati për në burg
Kur Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla tha të enjten nga Korça se janë nën hetim zyrtar të lartë, deklarata u komentua si një qëndrim i zakonshëm i organit të akuzës. Bile u mor si një premtim i zakonshëm. Por nuk vonoj shumë dhe vetëm një ditë më pas, në pranga ra ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera. Arrestimi i ish-ministrit të dyshuar për abuzim me detyrën nuk është nga ato raste që mund të quhen “peshq të vegjël”. Raste të prangosjes së zyrtarëve të lartë në Shqipëri janë të rralla. Në 23 vjetët e fundit, Ksera është zyrtarë i parë i lartë që përfundon në burg i akuzuar nga Prokuroria për abuzime, pas arrestimit të Fatos Nanos në korrik 1993. Mbi ish-ministrin e qeverisë “Berisha” rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës.
Por cilat janë abuzimet për të cilat Ksera do të përballet në gjykatë? Hetimet e Prokurorisë kanë nisur në vitin 2013 në bazë të një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Rezulton se gjatë kohës që Ksera ka qenë ministër janë kryer abuzime me vlerën 30 milionë lekë. Konkretisht kanë qenë 6 aktivitete të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, për organizimin e të cilave paratë e shpenzuara nuk justifikohen. Prokuroria e Përgjithshme dha detaje për vetëm dy prej tyre. Aktiviteti i parë me temë “Prioriteti i minoriteteve-Barazi në të drejta” ka kushtuar 9.6 milionë lekë dhe sipas dokumenteve të ministrisë është zhvilluar në zonën e Dropullit në Gjirokastër. Në këtë aktivitet duhet të ishin hapur ekspozita, të zhvilloheshin koncerte, konferenca, si dhe dreka, darka dhe hotel për 70 persona. Por nga verifikimi i prokurorisë rezulton se nuk ka fatura dhe dokumenteve që i justifikojnë shpenzimet. Aktiviteti i dytë ka kushtuar 4.3 milionë lekë dhe ka pasur në qendër komunitetin romë. Sipas projektit duhet të që Ministria të zhvillohet një panair me objekte artizanale të komuniteti rom, konferenca dhe seminare. Si provë që justifikonte shpenzimet në dosjen e Ministrisë ka qenë një videoregjistrim. Por nga hetimi i Prokurorisë ka dyshime se aktiviteti nuk është zhvilluar, por në video paraqitet një tjetër aktivitet.
Këto dy raste janë mënyrat sesi dyshohet se është abuzuar me fondet e Ministrisë së Punës dhe Çështjes Sociale. Më akuzën që ka ngritur Prokuroria, ish-ministri rrezikon deri në 7 vjet burg për shpërdorim detyre. Ndërkohë avokati i tij mbrojtës pretendoi dje pafajësinë, pasi në të gjitha rastet dokumentacioni nuk është firmosur nga vetë ministri, por nga zyrtarë të tjerë të ministrisë që kryen procedurat. Ndërkohë për zyrtarët e tjerë të ministrisë akuzat janë dhe më të rënda, pasi veç shpërdorimit të detyrës rezulton dhe falsifikim dokumentacioni. Por arrestimi i ministrit dhe padia ndaj zyrtarëve të tjerë mund të shihet si një kthesë e fortë në luftën kundër korrupsionit në vend. Deri pak ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme ishte nën sulm për mos hetim të zyrtarëve të lartë. Shpesh herë për mungesën e hetimeve faji i është vënë reformës në drejtësi. Arrestimi i ish-ministrit tregon se kur politika nuk ndërhyn dhe nuk bën presion të hapur, prokurorët arrijnë të bëjnë punën e tyre dhe të ngrënë akuza ku shohin se ligji është shkelur me të dyja këmbët. Rasti i ish-ministrit Ksera e faktoi këtë gjë. Nëse Ksera është fajtor apo jo këtë do e thotë gjykata, por ndalimi i tij është sinjali i parë se në Prokurorinë e Përgjithshme ka dosje të nxehta që pritet të finalizohet me arrestime të tjera.
Burime nga organi i akuzës njoftojnë se në proces hetimi është dhe një ministër aktual i Partisë Socialiste. Dosja e tij ka kohë që është marrë nën shqyrtim nga prokurorët dhe po kryhen verifikimet e fundit. Shuma e abuzimeve që është bërë më firmën e ministrit të PS-së është disa herë më e madhe sesa ajo e dosjes “Ksera”. Porse Task Forca po bën verifikime, pasi duke qenë grup shumë profesionist ky që ka emëruar Prokurori i Përgjithshëm, duhet ta qepë mirë dosjen e ministrit socialist.
Burimet tregojnë se sapo të mbyllen edhe disa hetime për mënyrën se si janë bërë dhënë tenderimet prokurorët do ta arrestojnë ministrin duke hyrë në parlament.
Sapo ka filluar stina e arrestimeve!