Një trafikant droge pas konfliktit Doshi- Frroku?
Përplasja në dyert e prokurorisë në mes të dy deputetëve të fortë të veriut mund ta kalojë shumë shpejt cakun e hetimit të një vrasjeje të prezumuar me pagesë. Përballja mes Mark Frrokut dhe Tom Doshit mund të shkojë shumë më tej. Nëse hetohet ajo mund të çojë edhe tek shumë nga ngjarjet kriminale në vend të mbetura në errësirë. Njëra prej tyre ka dalë sot në disa të përditshme shqiptare.
Kështu gazeta “Shqip” e kësaj të hëne linte të kuptohej mes rreshtave se dëshmitë e Dritan Priftit dhe Tom Doshit në prokurori kanë hapur edhe njëherë atë që njihet si “skandali i Lagunës së Vilunit”. Para disa kohësh, mediat dhe opozita denoncuan këtë skandal. Sipas tyre, kreu i një bande të trafikut të drogës, i cili po pritej në breg të detit nga forca të shumta policie i shpëtoi arrestimit pasi u fut në makinën e një deputeti të mazhorancës në Shkodër. Uniformat blu negociuan gjatë me deputetin në fjalë, por ai u mbrojt përmes imunitetit të tij parlamentar, u tha në atë kohë.
Në emisionin “Opinion” një ngjarje të tillë e pohoi tërthorazi edhe ministri Tahiri edhe pas tij edhe ish prokurori i krimeve të rënda Eugen Beci. Pra sipas të gjitha gjasave ngjarja ka ndodhur. Ndërsa sot duke bërë leximin e gazetës “Shqip”, e përditshmja Mapo lë të kuptohet se trafikanti i fshehur i drogës ka qenë Durim Bami. “Edhe pse është ende e paqartë, gazeta lë të kuptohet se Durim Bami mund të jetë trafikanti që u fsheh në makinën e deputetit”, shkruan Mapo.
Por pyetja themelore nuk është kush është trafikanti, por kush është deputeti që e mbrojti atë. Gazetat Shqip dhe Mapo hedhin hije dyshimi mbi këtë ngjarje duke u munduar të komentojnë informacionet që rrjedhin nga prokuroria. Por nëse sipas tyre, Tom Doshi dhe Dritan Prifti kanë folur para hetuesve për këtë ngjarje, atëherë, duke u nisur nga fakti se gjithë dëshmitë e tyre kanë qenë të fokusuara kundër Frrokut, logjika ta thotë se ka qenë Mark Frroku deputeti i veriut që ka mbrojtur në makinën e tij një trafikant në emër të imunitetit parlamentar. A është e vërtetë? A po i nxjerrin deputetët e veriut të palarat njëri- tjetrit? A do të jetë ky hetim i nisur për vrasje me pagesë, shumë më tepër se kaq, një zbardhje e shumë mistereve që bota e krimit i ka vënë kapak përmes politikës? Këto priten të shihen nga hetimet e ardhshme.
Po hapet "thesi" i madh e ku priten surpriza,pasi po vijne nga sherbimet intelegjente euroantlantike fakte te pabesueshme. Te presim!