Njerëzit miza
Nga Frrok Çupi
Çfarë janë këta që thonë se "nuk po ndodh asgjë" me lirimin e kriminelëve, se asgjë me pazaret "të jap një deputet, më jep dëshmi që të më mbulojë krimin", "të zhdukim drogën, por të legalizojmë drogën", se "ju thoni çfarë të doni, ne do të bëjmë çfarë të duam"?… Këta janë zotat dhe rrinë lart.
Por kujt i drejtohen? Iu drejtohen atyre poshtë, miliona njerëzve që duken të vogla dhe të shtypshme si mizat…
… Ka veç një ndryshim të vetëm mes asaj që ka krijuar natyra dhe asaj çfarë vendos njeriu me diktatin e vet:
Ndryshimi është se ndërsa natyra e ka vendosur njeriun me këmbë në tokë, përjetësisht krijesë tokësore; ndërsa mizën – si fluturuesen nga më të voglat, e ka vendosur sa në tokë dhe në ajër. Ndërsa njeriu autokrat, d.m.th., njeriu i veshur me pushtet, e ka ndryshuar raportin: Veten e vendos lart, atje në majë; ndërsa njerëzit i shikon si miza diku poshtë.
Aforizmi "i shikon njerëzit si miza", lindi në kushtet e zorit, në kushtet e arrogancës së njeriut të pushtetshëm. Edhe këtë gjë, përçmuese për veten, po njeriu e shpiku. Por pa mendojeni sa në zor vihet njeriu i zakonshëm kur disa (të paktët) i shikojnë njerëzit si miza.
Edhe pse njeriu i ka dhënë vetes imazhin e fluturuesit më të thjeshtë e të pistë (një autoironi shpartalluese për autokratët), që në këtë moment njeriu i zakonshëm, ose populli siç quhet, në këtë çast ka shënuar ardhjen e diktaturave. Të gjitha të këqijat e pushteteve ndaj popujve kanë nisur aty ku të pushtetshmit i kanë parë njerëzit si miza.
Diktaturat klasike kanë kapërcyer mbi botën e qytetërimit modern, ku ndodhet edhe Shqipëria. Por autokratët, gjithnjë fshihen pas krijesës më të vogël me të cilën u kamuflua edhe diktatura komuniste. "Ferma e Kafshëve" e George Orwell ka të njëjtin perceptim, veçse kafshët në Fermë janë nga më të voglat e të shtypurat e deri te kafshët sunduese si Stalini…
Shikoni sa të vogla janë krijesat ku autokratët hedhin krimin dhe aty e fshehin.
1.
Ku shkoi imazhi i një vrasjeje të bujshme në vitin 2013, ku komisari i Policisë mbeti i vdekur? Vrasja ishte lart, por nisën ta lëshojnë poshtë, derisa një ditë e futën brenda mizave njerëz. Para katër ditësh e zhdukën. Tani vrasja nuk ekziston më, sepse është mbuluar nga tre ose katër milionë miza…. Ja kjo është skena. Njerëzit e vegjël e kanë besuar (në fakt askush nuk e ka besuar) se ata lart që hodhën vrasjen poshtë, kanë të drejtë.
2.
Pse e hodhën poshtë, te "mizat", vrasjen e komisarit pikërisht në këtë moment?
Autokratët kanë shumë lidhje me nekrofilët. Për një kohë mjaft të gjatë ata bënë dashuri me vrasjen, ose me kufomën. Një ditë autokratëve iu duhej të përdorej kufoma. Të akuzuarin për vrasje e shpallën të pafajshëm brenda tre sekondash. Dhe po në ata sekonda, vëllai i të akuzuarit u burgos. Pse? E gjitha u bë për ta hedhur çështjen mes "mizave", d.m.th., mes popullit, për të "dëshmuar" se "sa të ndershëm jemi". Domethënë të ndershëm pse mes dy vëllezërve atë që ka faj e burgosim, atë që nuk ka faj e lirojmë(!?).
3.
Po pse duhej burgosur njëri nga vëllezërit?
Sunduesi mendoi që edhe këtë ta hedhë në turmën e mizave. Mizat besojnë verbërisht se "sunduesi po ndëshkon deputetin në krah". A kishte mizë që ta besonte këtë? Por autokratët kështu e menduan. Një vit të tërë e kishin fshehur akuzën për krim ndaj deputetit dhe tani e nxorën. Pse?- bëhet pyetja përsëri…. Sepse po të mos burgosej deputeti, do të zbulohej lidhja e tij me kryetarin e Kuvendit në aferën për një vrasje. Një tjetër deputet akuzoi Kryetarin se kishte paguar vrasjen. Dëshmitari që do të rrëzonte akuzën- sipas autokratëve- do të ishte deputeti "tradhtar" ndaj Doshit (deputeti akuzues dhe i projektuar për tu vrarë, sipas tij).
– E shikoni? Deputetin tonë e burgosëm!-
Mirëpo në fakt kjo është shumë e përkohshme. E përkohshme sepse kryetari i Kuvendit ka pranuar mbrojtjen e deputetit mbi bazën e Të Drejtës Zakonore, ndërsa rrëzohet kështu ligji modern i kohës. Edhe për një arsye tjetër: Se dihet që akuza për vrasje e deputetit- vëlla, nuk do të mund të provohet nga viktima…
Por kjo mjafton për ta hedhur si drejtësi te turma e mizave, që këta ta besojnë.
4.
Po me drogën, çfarë po ndodh?
Deputeti më i rëndësishëm – sipas kryeministrit,- ka shpallur “legalizimin e marijuanës”. Ky është aq shumë deputet sa kryeministrin e thërret “bir” dhe veten “atë”. Ky është raporti real i influencave. Deputeti merr rrugën drejt Amerikës për ta bindur shtetin e madh që të blejë drogën shqiptare.
Ndërkohë Ministri (ministri i këtij deputeti) deklaron se “qeveria nuk do të lejojë legalizim drogash”. Por deputeti është shfaqur publikisht në favor të një njeriu të burgosur për drogë. Edhe vetë kryeministri, kohë më parë, iu drejtua burgut ku veçoi një grua që kishte kultivuar dhe shpërndarë drogë. Kryeministri, atëherë kryetar i opozitës, deklaroi publikisht: “Kjo grua të lirohet nga burgu”.
Dy vjet pas kësaj deklarate, kryetari i tanishëm i Kuvendit akuzoi kryeministrin e tanishëm se “është përdorues kokaine”. Publikisht!
Atëherë, çfarë po ndodh me drogën? Lejohet apo nuk lejohet nga shteti?
Këtë ua hodhën mizave në turmë me qëllim që t'i çorodisin. Ndërsa mizat besojnë ose nuk besojnë, njerëzit e pushtetshëm do të merren me kultivimin dhe trafikimin e drogës. Kjo është. Mizat nuk kuptojnë gjë.
… Sunduesit kanë një volum shumë të madh të kontrollit mbi "mizat", ose mbi popullin. Sipas sunduesve këta përbëjnë shtresën e lartë, ndërsa ata të popullit përbëjnë shtresën e mizave ose klasën e ulët. Klasat e ulëta, sipas sunduesve, bien gjithnjë dakord. George Orwell i quante njerëzit e "klasës së ulët" si syleshë, besnikë dhe punëtorë. Jo se i quajti Orwell, por vetë Stalini ose autokratë të tjerë i perceptonin ashtu…
… Këtu autokratët tanë kanë hyrë në "kopshtin e Mizave" dhe po iu hedhin gjithçka për të besuar.
KOHA JONE