Rama kërkon shpëtim tek “Çamët e Dibrës”
Zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës, pas shkarkimit të kryetarit të bashkisë për shkak të aferës seksuale, kanë sjellë një problem se si do të jenë koalicionet. Pra, a do të jetë PS dhe LSI me një kandidaturë të përbashkët, apo secila veçmas me kandidatë?
Mësohet se LSI nuk do të vendosë kandidat të saj, por as nuk do të mbështesë kandidatin e PS-së. Kushdo që të jetë nga radhët e Kryeministrit si kandidat nuk do të ketë fushatë të përbashkët PS-LSI, ose me saktë Rama-Meta. Mundet që selia qendrore e LSI-së në Tiranë të mos thotë asnjë fjalë për mbështetjen e emrit të PS-së dhe t’ia lerë vendimmarrjen degës së LSI në Dibër. Gjasat janë që edhe dega e LSI në Dibër të mos përfshihet në fushatën lokale për zgjedhjet e 11 shtatorit. Dhe drejtuesit e LSI-së Dibër kanë jo pak arsye për të qenë të pakënaqur me socialistët. Mosmarrëveshjet lokale nisën që më kandidimin në vitin 2015 të emrit të PS-së, Shukriut të famshëm. Kandidatura e tij edhe pse fitoi me votat e koalicionit nuk ishte ajo që kishte mbështetjen më të madhe të LSI. Por qejfmbetjet mes drejtuesve lokalë të së majtës u thelluan më tepër pas zgjedhjeve, si pasojë e mosrespektimit nga ana e PS të marrëveshjes së punësimit. Madje, për marrëveshjen e punësimit, PS-ja ka respektuar më shumë çamët e Dibrës (ku nuk ka këmbë çami origjinal) se sa anëtarët e LSI, të cilët i dhanë fitoren selisë rozë në vitin 2015. Veç kësaj, emrat që janë lakuar deri më sot si kandidat të së majtës në Dibër, janë disa drejtorë të institucioneve shtetërore, që vijnë si propozime të interesave lokale të kryetarëve të PS dhe partive të tjera të koalicionit dhe nuk japin garanci për bashkëpunim mes PS-LSI. Të gjitha këto zhvillime mund të bëjnë që kryesia e LSI në Dibër të mos mbështesë asnjërin kandidat që vjen nga PS dhe partitë e tjera të koalicionit.
Nëse ndodh kështu, siç mund të ndodhë, kemi një kthim të vogël restoje selisë së PS-së dhe Edi Ramës, të cilët në zgjedhjet vendore 2015 sabotuan fare hapur kandidatët e LSI në disa bashki të cilat mund të ishin fituese. Bashkitë kryesore, ku LSI pretendoi se kryetarët lokalë të PS-së dhe deputetë të veçantë socialistë punuan kundër ishin; Pogradeci, Lezha dhe Mallakastra. Rezultoi se votat e koalicionit të majtë për këshilltarë ishin më shumë sesa votat që kishin marrë kandidatët për kryetarë bashkie. Kjo manovër elektorale solli edhe humbjen e tre kandidatëve të propozuar nga LSI-ja, por që zyrtarisht duhet të kishin mbështetjen e koalicionit. E njëjta gjë nuk ndodhi me LSI-në në zonat ku kandidonin emrat e përzgjedhur nga PS dhe Edi Rama. Dibra ishte rasti më konkret, ku edhe pse kandidati i djathtë kishte më shumë shanse për fitore, bashkimi i votave PS-LSI i dhanë fitoren kandidatit të PS-së, Shukri Xhelili.
Ndaj mosangazhimi i LSI-së në këtë garë mund të jetë një sinjal për kryeministrin Rama, se koalicioni po venitet nga pak e përditë. Pasi i ka dhënë mbështetje pa kushte për çdo kandidat, LSI mund t’a lërë PS-së më aleatët e rinj, PDIU etj, të provojë forcën në Dibër. Ky mund të jetë dhe një test për Ramën, para zgjedhjeve të vitit 2017, se deri ku mund të shkojë me aleatët e rinj që ka nisur të afrojë. Por këmbë çami në Dibër nuk ka !
Por logjika e shifrave të 2015-ës tregon se nëse LSI nuk e mbështet hapur kandidatin e PS-së fitorja e kandidatit të PD-së është e sigurt, ndonëse edhe me një kandidat të përbashkët PS-LSI përsëri PD-ja duket se e ka të fituar me Shehun. Emrat që ka nxjerrë në media deri tani PS-ja si kandidatura të mundshme, vetëm sa shtojnë bindjen se Sherefedin Shehu ishte zgjedhja më e saktë që ka bërë Basha për këtë garë.
Gjithsesi për PS dhe LSI fitorja apo humbja e Bashkisë së Dibrës nuk e ka rëndësinë në Peshkopi, por në Tiranë. Nga mënyra sesi do të sillet koalicioni në këtë garë do të varet dhe fati i mëtejshëm i koalicionit.
Nëse Edi Rama dhe Ilir Meta nuk do të jenë bashkë në fushatën e Dibrës duket se edhe fushata parlamentare e PS-së në vitin 2017 do të jetë, pa LSI. Pra gjasat për humbjen e pushtetit nga ana e Edi Ramës janë me afër se kurrë.
Gjithsesi prapë nuk dihet se si vendos në fund Ilir Meta.