Nuk ka kompromise me terrorizmin!
Sulmin terrorist ndaj gazetës satirike Charlie Hebdo e kanë denuar të gjitha vendet demokratike. Në Gjermani të gjithë politikanët janë të mendimit, se sulme të tilla nuk duhet të tolerohen.
Politikanët gjermanë e kanë dënuar ashpër sulmin terrorist në mjediset e gazetës satirike Charlie Hebdo në Paris. Kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU) i ka dërguar telegram ngushëllimi krerëve të shtetit në Francë dhe popullit francez. Merkel e quajti këtë një "sulm ndaj mendimit të lirë dhe lirisë së shtypit, që janë elementet themelore të kulturës sonë të lirë dhe demokratike. Ky është një sulm i cili nuk mund të justifikohet me asgjë". Edhe presidenti gjerman Joachim Gauck i ka dërguar telegram ngushëllimi homologut të tij francez. "Duhet të jemi të vetëdijshëm dhe gjithmonë të angazhohemi për ruajtjen e lirisë, të të drejtave të njeriut dhe demokracisë", shkruan Gauck.
Zëvendëskancelari Sigmar Gabriel (SPD) e ka quajtur sulmin si një "krim jashtëzakonisht brutal". Gabriel pohon se ky atentat kurrësesi nuk duhet të çojë në vetcensurë dhe dorëzim kundrejt kërkesave të islamistëve. "Nuk nuk do të frikësohemi". Ministri i Brendshëm Thomas de Maizière tha se aktualisht nuk ka asnjë të dhënë konkrete për përgatitjen e mundshme të sulmeve të ngjashme në Gjermani. "Situata është serioze, ka shkaqe për t'u shqetsësuar si dhe për masa parandalimi, por jo për panik", theksoi ministri.
Politikanët duan të mbrojnë vlerat evropiane
Minsitri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier foli për një sulm ndaj vlerave evropiane "të cilat duhet t'i mbrojmë me të gjitha fuqitë". Kryetari i partisë kristiansociale, Horst Seehofer, e ka quajtur këtë vepër si "barbare".
Politikani konservator Wolfgang Bosbach thotë se "nuk duhet të bëjmë kurfarë kompromisesh me ata që duan ta rrënojnë rendin tonë të lirive." Ndërsa liderja e ekologjistëve, Katrin Göring-Eckart, pohon se "ne në Evropë duhet t'i mbrojmë së bashku demokracinë dhe lirinë. Nuk duhet të lejojmë që të na përçajnë."
Gregor Gysi, kryetari i grupit parlamentar të së Majtës në Bundestag, kërkon "që kjo vrasje të përndiqet dhe të zbardhet me të gjitha mjetet e lejuara juridike." Njëkohësisht "nuk duhet lejuar që kjo vepër e tmerrshme të keqpërdoret nga racistë dhe ksenofobë në Gjermani, të cilët mund t'i ashpërsojnë parullat e tyre kundër bashkëqytetarëve tanë me prejardhje të huaj". Edhe sekretarja e përgjithshme e partisë socialdemokrate, Yasmin Fahimi, ka shprehur drojën për mundësinë e "ashpërsimit të lëvizjeve armiqësore ndaj të huajve në Gjermani, siç është "Patriotët Evropianë kundër Islamizimit të Perëndimit" (Pegida). "Askush nuk duhet ta instrumentalizojë këtë sulm terrorist për të mbjellur urretje", thuhet në reagimin e saj.
Në anën tjetër, Alexander Gauland, zëdhënësi i partisë konservatore të djathtë, Alternativa për Gjermani, pohon se "kërkesat e lëvizjes Pegida, pas këtij sulmi, fitojnë peshë dhe aktualitet. Partitë e vjetra duhet të mendojnë shumë mirë nëse edhe më tej mbeten në pozicionet e tyre kundër njerëzve nga Pegida."
Shoqatat e dënojnë ashpër këtë sulm
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve, Michael Konken, e quan "të paimagjinueshme një sulm të tillë në një vend demokratik dhe të lirë. Kjo është një përpjekje e fanatikëve që me mjetet më brutale të ndalojnë kritikat ndaj islamistëve."Organizata Reporterët pa kufij e ka quajtur ditën e sulmit si një "ditë të zezë për lirinë e shtypit në Evropë". Edhe shoqatat myslimane në Gjermani e kanë dënuar këtë sulm dhe e kanë quajtur si "aboslutisht të papranueshëm". Edhe këto shoqata paralajmërojnë nga rreziku i keqpërdorimit të këtij sulmi për ashpërsimin e retorikës ndaj të huajve në Gjermani.
Reagimet jashtë Gjermanisë
Viktimave, familjarëve të tyre, krerëve të Francës dhe tërë popullit francez i kanë ardhur telegrame ngushëllimi dhe mbështetje nga të gjitha vendet demokratike. Presidenti i SHBA-së Barack Obama e ka quajtur këtë atentat si një "sulm të tmerrshëm dhe skandaloz". Ai ka kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e merituar të atentatorëve. Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk, ka nënvizuar se "lufta kundër të gjitha formave të terrorizmit duhet të vazhdojë." Sipas tij, "ky është një sulm kundër vlerave fundamentale dhe lirisë së shtypit, e cila është shtylla e vlerave tona demokratike".
Sulmin në Francë e ka dënuar edhe Rusia. Zëdhënëssi i presidentit Vlladimir Putin, Dmitri Peskov, tha se "Rusia i dënon ashpër të gjitha format e terrorizmit." Sipas tij, lufta kundër terrorizmit nuk është e mundur pa "bashkëpunimin multilateral". Këtë sulm terrorist e kanë dënuar edhe Britania e Madhe, Italia, Komisioni Evropian dhe shumë vende dhe institucione të tjera në mbarë botën. Në rrjetet sociale njerëzit nga mbarë bota dënojnë ashpër sulmin ndaj gazetës satirike në Paris dhe solidarizohen nën moton "Je suis Charlie".
(Marre nga radio gjermane "DW")