Nuk mund të fyhet Kryetari i Shtetit
Nga Qamil Xhani
Projekti i këndit të lojërave në Parkun e Liqenit është kthyer në arenë përballjesh mes pushtetit vendor, shoqërisë civile, opozitës, por edhe drejtuesve të institucioneve kushtetuese. Prej dy ditësh në këtë debat ka hyrë Presidenti i Republikës me kreun e Bashkisë së Tiranës, si subjekti që ka marrë përsipër projektin e diskutueshëm. Mbështetja e hapur që kreu i shtetit u dha aktivistëve të shoqërisë civile që janë kundër ndërtimit të këndit të lojërave ka sjellë dhe reagimin e kreut të Bashkisë së Tiranës. Të martën, tonet e debateve ishin disi të moderuara. Ndërsa dje, replikat kaluan caqet e etikës së komunikimit publik. Presidenti shkoi vetë të takonte protestuesit në Kodrat e Liqenit duke mbështetur kauzën e tyre dhe duke e cilësuar ndërtimin lejuar nga Bashkia si shkelje të rregullave dhe ligjeve të shtetit. Është ndër rastet e rralla kur kreu i shtetit zbret vetë në sheshin e protestës. Por Kryetari i Shtetit është mbi palët dhe përfaqëson zërin e qytetarëve. Fakti që Presidenti i Republikës shkoi vetë tregon se shqetësimi qytetar është në kulm, por edhe sepse mund të ketë informacione nga shërbimet e institucioneve se po përgatitet ndonjë përplasje e madhe mes pushtetit dhe opozitës. Ndaj duhet të ketë vajtur për t’i thënë pushtetit që të gjejë zgjidhje me dialog qytetar për këtë Park Kombëtar që mbetet më kryesori në Shqipëri. Të gjithë janë të ndjeshëm, pasi ai është Park i të gjithëve, sepse pushtetet ikin e vijnë, porse Parku mbetet aty si pronë e kryeqytetit.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një dëgjese me Njësinë nr.10 sulmoi ashpër Presidentin e Republikës Bujar Nishani, duke deklaruar se nuk do t’i bëjë “fresk një Presidenti të diskredituar dhe qesharak, por do të punojë për fëmijët e Tiranës”. Ndërsa e cilësoi Presidentin si “mitingash të PD” që i “bashkohet kaubojsit me patllake në brez”. Pa i hyrë debatit, nëse projekti që po ndërtohet te Kodrat e Liqenit është i ligjshëm dhe ai i duhuri, ajo që bie në sy është niveli i debatit. Protestat e shoqërisë civile u instrumentalizuan nga PD-ja për një betejë politike. Kështu do të vepronte edhe PS-ja nëse do të ishte në opozitë.
Në të vërtetë dhuna ndaj forcave të rendit dhe pjesëmarrja në protestë e deputetit demokrat me armë, la shije të hidhur në gjithë zhvillimet e muajve të fundit te Parku i lojërave. Por të gjitha këto nuk i japin të drejtë, kreut të Bashkisë që çdo kritikë ndaj Parkut ta kthejë në një debat me akuza personale. I ndodhur nën sulmet e shpeshta të PD-së, Kryebashkiaku Veliaj reagoi me të njëjtën gjuhë edhe ndaj kreut të shtetit. Por nëse për PD-në është i kuptueshëm ky lloj reagimi, për kreun e shtetit një sulm i tillë është pa sens. Është pa sens, sepse dje te Kodrat e Liqenit nuk ishte ish-ministri i PD-së, Bujar Nishani, por Presidenti i Republikës. Na pëlqen ose jo, Presidenti është një institucion mbi palët, i zgjedhur nga Parlamenti. Është në të drejtën e tij kushtetuese të reagojë kur gjykon se për çështje të caktuara nuk ka transparencë, apo ka vendime të dyshimta që të reagojë. Apo dhe të shkojë ku e gjykon Ai të arsyeshme.
Nga ana tjetër, Kreu i Bashkisë së Tiranës me reagimin e ndaj Presidentit Nishani tregoi edhe një standard të dyfishtë brenda maxhorancës. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se për shumë gjëra nuk bie fare dakord me kreun e shtetit, por asnjëherë nuk do ta sulmonte në publik. Sulmet ndaj kreut të shtetit i ka cilësuar si modele të Berishës, i cili dikur quante Bamir Topin “horr bulevardi”. Veliaj nuk shkoi shumë larg Berishës kur e cilëson Presidentin, “mitingash të diskretituar”. Një reagim që i zbeh modelin e ri europian që realisht po sjell në Bashkinë e Tiranës. Kur punon edhe do sulmohesh, por mënyra sesi u përgjigjesh sulmeve ndonjë herë vlen më shumë sesa puna që po bën.
Ndaj dje, Kryetari i Bashkisë së Tiranës gaboi dhe do të bënte mirë t’i kërkonte falje Kryetarit të Shtetit, ndonëse mund të jetë i bindur se ka të drejtë për Parkun.